Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 5,6
Gjendja natyrore dhe kontrata shoqërore sipas Hobsit
Hobsi, ndërtues i teorisë së shtetit modern
Hobsi (Thomas Hobbes, 1588-1679) lindi në Malmesburi, në jug të Anglisë. Pas diplomimit në universitetin e Oksfordit, punoi si mësues privat i fëmijëve të kontit të Devonshirit. Kjo i dha mundësinë të udhëtonte në Europë, ku u takua me shkencëtarë dhe filozofë të shquar, si: Galileo Galilein, Rëne Dekartin etj.
Në vitin 1640, qarkulloi si dorëshkrim mes miqve të tij, vepra: “Elemente të ligjeve natyrore dhe politike”, një version i përmbledhur i sistemit të tij filozofik. Po në këtë vit, për t’u ruajtur nga lufta civile në Angli, shkoi në Paris ku qëndroi për 11 vjet resht. Gjatë kësaj periudhe publikoi veprën madhore, që përfshin të gjithë sistemin e tij filozofik, “Elemente Filozofike”. Pjesa e parë dhe e dytë, “Trupi” (De corpore) dhe “Njeriu” (De homine), u publikuan në vitet e fundit të jetës. Ndërkohë, që në vitin 1642, ai kishte publikuar “Qytetari” (De cive), pjesa e tretë e sistemit filozofik. Idetë mbi moralin, politikën dhe shtetin e bënë atë të famshëm. Ai vazhdoi të shkruante derisa vdiq i respektuar nga të gjithë, në moshën 90-vjeçare. Trupi i tij u varros në kishën e kështjellës së Devonshirëve.
Hobsi njihet si ndërtuesi i teorisë së shtetit modern. Ai kërkoi rithemelim në politikë, të barazvlefshëm me atë që bëri Dekarti në filozofi. Në mesin e shek. XVII, zbulimet në shkencën e fizikës, po u jepnin përgjigje shumë dukurive, që deri në atë kishin qenë të errëta. Zbulimet e ligjeve që drejtonin lëvizjen planetare nga Galileu dhe Kepleri, ndikuan shumë në filozofinë e tij. Ai kishte lidhje të ngushta edhe me Bekonin, nga i cili mori metodën e praktikës shkencore.
Vështrim mekanik i natyrës njerëzore
Hobsi shpresonte të themelonte ligje të ngjashme me ligjet e fizikës dhe mekanikës, për të shpjeguar sjelljen e qenieve njerëzore. Sipas tij, gjithçka në botë nga natyra, është krejt fizike dhe materiale. Kështu, Hobsi nuk i lë vend asnjë ekzistence tjetër, siç është mendja njerëzore dhe fuqitë e mbinatyrshme. Njerëzit dhe kafshët, sipas tij, nuk ishin gjë tjetër, veçse makina prej mishi dhe gjaku. Mendimet dhe emocionet njerëzore, vepronin në përputhje me ligjet fizike dhe ishin rezultat i zinxhirit shkak-pasojë. Hobsi i shikonte qeniet njerëzore, si makina, që ndjekin pa pushim interesin e tyre personal.
Gjendja natyrore dhe kontrata sociale
Filozofia politike e Hobsit është risi sepse, ai interesohet të zbulojë shkakun e krijimit të shoqërisë civile. Në gjendjen natyrore, njerëzimi nuk funksiononte në bazë të ligjeve të shtetit dhe mungonte morali në kuptimin tradicional të tij, që të përcaktonte vlerat dhe rregullat e shoqërisë. Njerëzit drejtoheshin nga ligjësitë e natyrës. Sipas Hobsit, njeriu në gjendjen natyrore vepronte në bazë të dëshirës dhe antipatisë, që kanë të njëjtin kuptim si dashuria dhe urrejtja. Njerëzit, shkonin pas atyre që i ndihmonin për të mbijetuar dhe urrenin ata, që iu dukeshin si kërcënim për veten. Ata nuk ishin të detyruar të respektonin njëri-tjetrin. Egoizmi i natyrës njerëzore, i bën të paaftë ata të krijojnë shoqëri të rregullt dhe paqësore. Në gjendje natyrore njerëzit duan të grumbullojnë sa shumë fuqi dhe “të mira” që të munden. Mungesa e ligjeve nuk parandalon dhe nuk i mbron ata nga krimet, si: vjedhjet dhe vrasjet. Njerëzit kanë të drejtë të kryejnë çfarëdolloj veprimesh në interes të tyre. Kjo është një gjëndje e vazhdueshme lufte, ku njerëzit jetojnë me frikë të përhershme nga njëri-tjetri, ose siç e quante Hobsi “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”. Ligji natyror që i drejton, është lufta për mbijetesë. Nga ana tjetër, dëshira për të jetuar i shtyu njerëzit të kërkojnë paqen dhe sigurinë. Për të mbrojtur veten, ata pranuan që të drejtat dhe liritë e tyre të ishin të barabarta, pasi interesi i tyre ishte i përbashkët.
“Frika e vazhdueshme dhe rreziku i një vdekjeje të dhunshme”, siç shprehet Hobsi, i detyroi njerëzit të kërkonin paqen. Sipas tij, paqja mund të arrihej vetëm duke u bashkuar për të “nënshkruar” një kontratë sociale. Në këtë kontratë njerëzit pranojnë të drejtohen nga shteti, me në krye autoritetin suprem, njeriun artificial, Leviatanin e madh. Leviatani (figurë biblike), është krijesë e detit që zotëron fuqi të jashtëzakonshme dhe shkatërruese, që shpreh vullnetin e Zotit dhe përfaqëson fuqinë e tij krijuese. Për të shmangur në jetën shoqërore anarkinë, njerëzit pranuan të heqin dorë nga një pjesë e lirive dhe të pranojnë autoritetin e tij. Kontrata në bazë të së cilës krijohet shteti, prodhohet prej frikës së njerëzve dhe përforcohet nga kjo frikë. Sovrani në krye të shtetit ka fuqinë për dënuar këdo që shkel kontratën. Frika natyrore për këtë dënim, i detyron subjektet të respektojnë kontratën dhe t’i nënshtrohen vullnetit të sovranit.
Monarkia absolute, si forma më e mirë e qeverisjes
Marrëveshja përmes të cilës njerëzit shmangën kaosin dhe hynë në shoqërinë e civilizuar, ishte marrëveshje mes individëve. Ajo nuk ishte marrëveshje midis sovranëve dhe shtetasve. Palët në kontratë ishin individët, të cilët i premtuan njëri-tjetrit të drejta të barabarta, për të shkuar drejt sovranitetit. Hobsi në fillim vë në dukje se, sovrani mund të jetë një individ ose një asamble individësh. Ideja e tij për sovranin dhe sovranitetin, nuk kishte identifikuar ndonjë formë të veçantë qeverisje. Njerëzit bien dakord që të dorëzojnë të drejtën e qeverisjes, në duart e një sovrani të vetëm, që përfaqëson vullnetin e tyre. Nuk duhet që vullneti i sovranit të bjerë në kundërshtim me atë të individëve. Pra, nuk mund të ketë rezistencë ndaj këtij vullneti, pasi kjo do të thotë të dalësh kundra vetes ose të kthehesh përsëri në gjëndjen natyrore.
Hobsi promovoi monarkinë, si formën më të mirë të qeverisjes dhe si të vetmen që mund të garantonte paqen. Tek “Leviatani”, në mënyrë të qartë ai argumenton se, monarkia absolute është forma e vetme e drejtë e qeverisjes. Hobsi kërkon të përcaktojë bazat racionale në të cilat shoqëria civile mund të ndërtohet, pa rrezikuar të shkatërrohet nga brenda. Ai thekson edhe rrugët sesi mund të zvogëlohen mosmarrëveshjet, mospëlqimet dhe ndarjet brenda shoqërisë. Hobsi besonte se çdo konflikt i tillë çon në luftë civile. Prandaj del në mbrojtje të idesë se, të gjithë anëtarët e shoqërisë duhet t’i nënshtrohen një autoriteti absolut qendror, për hir të ruajtjes së paqes së përbashkët. Sipas tij, sovrani fuqizohet për të drejtuar qeverinë dhe për të përcaktuar të gjitha ligjet. Ai është në drejtim të kishës, përcakton parimet themelore të shtetit dhe shuan debatet filozofike. Për Hobsin kjo është mënyra e vetme për të ruajtuar një shoqëri civile dhe paqësore, duke parandaluar luftën civile.
Reflekto dhe përgjigju
Cila është merita e Hobsit në fushën e politikës?
Si e koncepton ai natyrën njerëzore?
Cili ishte shkaku kryesor që i shtyu njerëzit të hyjnë në marrëveshje për krijimin e shtetit?
Pse monarkia, sipas Hobsit, ishte forma më e mirë e qeverisjes?
Debat dhe dialog
Diskutoni rreth paragrafit që parashtron idetë e Hobsit lidhur me krijimin e shtetit:
Mungesa e ligjeve, nuk parandalon dhe nuk i mbron njerëzit nga krimet, si: vjedhjet dhe vrasjet. Kjo është një gjendje e vazhdueshme lufte, ku njerëzit jetojnë me frikë të përhershme nga njëri-tjetri ose “luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”. Ligji natyror që i drejton, është lufta për mbijetesë. Ndani ju të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë e shtetit, për sigurimin e jetës dhe paqes në shoqëri? A është sot jeta e sigurt? Cilët janë faktorët që rrezikojnë sigurinë dhe të drejtat e njeriut? Si e kryen rolin e tij shteti ligjor?
Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim, idenë e Hobsit: “Shteti është një kontratë shoqërore mes individëve, me qëllim mbrojtjen e paqes dhe të drejtave të jetës”. Bazohuni në pyetjet e mëposhtme:
Cila është origjina dhe qëllimi i shtetit?
A ndani ju të njëjtin mendim me Hobsin, lidhur me lindjen e shtetit?
Cilat janë karakteristikat që duhet të ketë shteti, për të garantuar paqen dhe sigurinë për qytetarët e tij?
LEXIM
Në materialian më poshtë gjejmë tekstin e shkëputur nga kap. XIII, i veprës së Hobsit “Leviatani”. Lexojeni tekstin me kujdes për të kuptuar perspektivën e Hobsit rreth natyrës njerëzore.
Leviatani. 1651. Kapitulli XIII Për gjendjen natyrore të njerëzimit, përsa i përket lumturisë dhe mjerimit të tyre
Natyra i ka bërë njerëzit të barabartë në aftësitë e trupit dhe mendjes, edhe pse gjendet ndonjëherë një njeri, haptazi më i fortë në trup apo me mendje më të shpejtë se një tjetër. Por, kur të gjitha llogariten së bashku, dallimi mes njeriut dhe njeriut, nuk është aq i madh sa që dikush të pretendojë për veten e tij ndonjë përfitim, të cilën një tjetër nuk mund të pretendojë. Nga kjo barazi e aftësisë, lind barazia e shpresës për arritjen e qëllimeve tona. Si rezultat, në qoftë se dy njerëz dëshirojnë të njëjtën gjë, që nuk mund ta gëzojnë të dy, ata bëhen armiq dhe në fund përpiqen të shkatërrojnë ose të mposhtin njëri-tjetrin. Nga kjo mungesë besimi te njëri-tjetri, nuk ka asnjë mënyrë, për një njeri, që të sigurojë veten. Ai nuk mund që përmes kurtheve dhe intrigave, të ketë në dorë njerëzit e tjerë apo të mos rrezikojë sigurinë e tij nga një fuqi tjetër më e madhe.
Ka disa njerëz, që kanë kënaqësinë të shtojnë fuqinë e tyre përmes akteve të pushtimit, ndërkohë që të tjerët, kënaqen me jetën e qetë, brenda kufijve modestë dhe qëndrojnë vetëm në mbrojtje. Këta nuk do të jenë në gjendje të mbijetojnë dhe të durojnë gjatë. Kështu është e qartë se, gjatë kohës që njerëzit jetojnë pa një fuqi të përbashkët për t’i mbajtur ata të gjithë në frikë, ata janë në atë gjendje që quhet luftë. Një luftë e tillë është luftë e çdo njeriu kundër çdo njeriu. Rreziku i natyrës së luftës nuk qëndron në luftimin aktual, por në faktin që vazhdon gjatë gjithë kohës dhe nuk ka siguri për të kundërtën. Pas një periudhe paqeje, vjen përsëri një kohë lufte, ku çdo njeri është armik i çdo njeriu, me të njëjtën pasojë. Në gjendje të tillë, nuk ka vend zhvillimi për industrinë, sepse fruti i saj është i pasigurtë, nuk ka kulturë të tokës, as lundrim, as import nga deti, as ndërtime, etj., nuk ka art, letra, shoqëri dhe më e keqja është frika e vazhdueshme nga rreziku i vdekjes së dhunshme. Njeriu kështu do të ketë jetë të vetmuar, të varfër, të keqe, pa mend dhe të shkurtër.