Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 4 Mësimi 6: Averroes dhe rikthimi tek Aristoteli

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 6

Averroes dhe rikthimi tek Aristoteli

Përpjekja për të pajtuar fenë me filozofinë
Ibn Rushdiu (1126 -1198), i njohur nga europianët si Averroes, lindi në Kordovë, pjesë e Spanjës islamike. Ai rridhte nga një familje e njohur juristësh dhe mori arsim cilësor në fushën e drejtësisë, mjekësisë, astronomisë dhe filozofisë. U caktua në postin e kryegjykatësit dhe më pas si mjek i oborrit mbretëror. Averroes u bë i famshëm me komentet që i bëri veprës së Aristotelit, të cilin e quante filozofin më të madh të kohërave. Ai, sikurse Avicena, u bazua në filozofinë e Aristotelit dhe u përpoq të pajtonte fenë me filozofinë. Ai mendonte se çdo tekst, pa përjashtuar edhe shkrimet e shenjta (pra edhe Kuranin), duhet interpretuar duke iu nënshtruar analizës kritike dhe filozofike. Përgjegjësia, sipas tij binte mbi njerëzit e arsimuar, që duhet jo vetëm të lexojnë tekstet fetare, por të interpretojnë kuptimin e tyre duke u bazuar në teoritë shkencore. Për këtë arsye, njerëzit e gjykuan si të papërshtatshme filozofinë e tij dhe ai u dëbua nga vendlindja për dy vjet. U kthye sërish në Kordovë, por pas një viti, vdiq. Veprat kryesore, janë: “Traktat vendimtar”, “Moskoherenca e koherencës”, “Koment i thelluar i veprës së Aristotelit “Mbi shpirtin” etj. Veprat e tij të përkthyera në latinisht, ndikuan shumë në Europë gjatë shek. XIII dhe XIV.

Komenti i veprës së Aristotelit
Sikurse Aristoteli, Averroes mendonte se gjithësia ka ekzistuar gjithmonë. Kjo binte në kundërshtim me besimet fetare, që mendojnë se bota ka një fillim dhe origjina e saj është tek Zoti. Aristoteli kishte pranuar deri diku ndarjen e njohjes njerëzore në: intelekt aktiv dhe intelekt pasiv. Sipas tij, pas perceptimit të objektit, në mendjen tonë formohet pamja (imazhi), i cili varet nga subjekti që e ka perceptuar dhe ndryshon nga një individ tek tjetri. Por njohja, sipas tij, lidhet me intelektin aktiv, si formë universale dhe e pavarur prej individit. Averroesi bazuar tek Aristoteli, arsyeton se shpirti është forma e trupit dhe asgjësohet bashkë me të pas vdekjes. Intelekti pasiv që ndodhet te njeriu bashkohet me intelektin aktiv (si dije universale dhe e përbashkët), gjatë procesit të njohjes. Detyra e njeriut është të japë informacionin e marrë nga përvoja, pra imazhet pasqyruese të objekteve në mendjen e tij. Këto imazhe, njihen nga intelekti aktiv dhe më pas perceptohen si të tilla nga intelekti njerëzor. Megjithë rolin e rëndësishëm të njeriut dhe eksperiencës personale në njohje, ai është qenie e përkohshme. Për pasojë imazhet mendore, që lidhen me trupin, vdesin bashkë me të. Sipas interpretimit që Averroes i bën Aristotelit, arrin në përfundimin se, ajo që mbetet përgjithmonë është intelekti aktiv, universal dhe i përjetshëm. Kjo formë intelekti është e shkëputur nga njeriu, ndihmesa e të cilit në këtë proces është i limituar.

Zgjidhja që Averroesi jep, nga njëra anë zvogëlon shumë rolin e individit në procesin e njohjes, nga ana tjetër ve në dyshim pavdekësinë e shpirtit. Ide tjetër e Aristotelit, komentuar nga Averroesi, është raporti mes filozofisë dhe fesë.

Sipas Aristotelit, ekzistonin tre nivele ligjërate:
– shkencore (që bazohet në rregullat e silogjizmit);
– dialektike (që niset nga premisa jo të sakta, por të mundshme);
– retorike (që kërkon të bindë njerëzit, bazuar në gjuhën e figurshme).

Përballë tyre, sipas Averroesit, qëndrojnë tri kategori njerëzish:
– të parët janë filozofët, të cilët gjykojnë mbi baza shkencore dhe korrekte realitetin;
– të dytët janë teologët, që nuk i interpretojnë librat e shenjtë në mënyrë shkencore, por i përmbahen gjuhës së tyre të figurative;
– të tretët janë njerëzit e thjeshtë, të pashkolluar, që veprojnë më shumë me imagjinatë dhe më pak me arsye. Për pasojë, ata i tremben predikimeve të teologëve dhe njerëzve të fesë. Sipas Averroesit, filozofia dhe feja janë dy degë të ndryshme, por jo të papajtueshme mes tyre. E vërteta e Zotit, shprehet ai, është unike, por qasja e njerëzve ndaj saj është e ndryshme. Funksioni shoqëror i fesë është që dijet filozofike dhe të vërtetat e Zotit, t’i bëjnë të kuptueshme për njerëzit.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat janë drejtimet kryesore, në të cilat Averroesi komentoi Aristotelin?
Si arsyetoi ky filozof mbi teorinë e njohjes përmes intelektit?
Cili ishte shpjegimi i Averroesit, për raportin e filozofisë dhe teologjisë?

Debat dhe dialog
Organizoni në klasë një debat të strukturuar rreth idesë së Averroesit mbi teorinë e njohjes:
“Ajo çfarë mbetet përjetësisht është mendimi mbinjerëzor. Ndihmesa jonë është e kufizuar në pamjet
(imazhet) tona mendore, që lidhen me trupin dhe do të zhduken bashkë me të”. Jepni argumente pro dhe kundër, duke u përpjekur të jeni sa më bindës (të ndarë në grupe). Debati i strukturuar kërkon të respektoni fjalën e njëri-tjetrit.

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim mbi idenë e Averroesit, se: “Filozofia dhe feja nuk janë të papajtueshme”. Duke u bazuar në njohuritë e fituara në lëndën e filozofisë, përdorni arësyetime sa më bindëse, për të argumentuar bindjen tuaj.