Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 2
Frensis Bekon. Metoda shkencore si çelësi i dijes
Reformimi i filozofisë sipas Bekonit
Frensis Bekoni (Francis Bacon, 1561-1626), lindi në Londër. Ai ishte një nga mendimtarët që krijoi metodën shkencore. Në vitet e para të jetës u shkollua në shtëpi, pasi kishte shëndet të dobët. Në moshën 12 vjeçare filloi studimet e juridikut në Kembrixh, në kolegjin Triniti. Pas kësaj moshe spikati talenti i tij dhe pasi u njoh me shkencat mendoi se arsyetimi i deri atëhershëm, kishte qenë i gabuar. Bekoni qëndroi dhe studioi për disa vite jashtë vendlindjes, në Paris, në Itali dhe Spanjë. Kur u kthye në Angli, filloi aktivitetin politik dhe u zgjodh përfaqësues në parlament. Me ardhjen në fron të Mbretit Xhejms I, Bekoni bëri karrierë politike, pasi u emërua në postin e kancelarit, më tej baron dhe viskont i Shën Albanit.
Gjatë karrierës politike, iu kushtua edhe filozofisë, me një projekt për reformimin e njohurive, të titulluar: “Restaurimi i madh”. Kjo vepër u shkrua në disa vëllime. Fillimisht u publikua vëllimi i parë, me titull “Avancimi i njohurive”. Në vitin 1620, publikoi vëllimin e dytë “Organoni i ri”, që është edhe vepra ku paraqiti qartë idetë e tij filozofike. Një vit më pas u akuzua për korrupsion. Pranoi fajësinë për të shmagur burgun, por u detyrua të largohet përgjithmonë nga postet publike. Bekoni punoi dhe studioi gjithë kohën mbi filozofinë dhe përfundoi pjesën e tretë të projektit me titull: “Restaurimit të madh”. Vdiq papritur në Londër në vitin 1626. Bekoni refuzoi filozofinë e të kaluarës dhe autoritetin e filozofëve të vjetër. Ai kërkoi të ndërtojë filozofinë e epokës së re. Temat qendrore të filozofisë së lashtësisë ishin magjia dhe astrologjia. Në qendër të filozofisë së tij ai vendosi njohuritë e shkencës dhe filozofisë eksperimentale, që rridhnin nga kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën dhe përvojën. Sipas Bekonit, filozofia klasike merrej me abstragimin. Këtë tipar filozofia greke e kaloi në filozofinë pasardhëse, deri në filozofinë bashkëkohore. Në qëndër të filozofisë Bekoni vendosi analizën e kujdesshme të realitetit dhe të njohurive që të jep eksperienca. Në veprën “Organoni i ri”, ai argumenton se ekziston një dije, që mund të konsiderohet e padiskutueshme dhe autoriteti i të cilës është i përjetshëm dhe i vlefshëm për të gjithë. Ky projekt madhor synonte të ndryshonte mënyrën në të cilën njeriu studion natyrën, që ai e quan interpretimi i natyrës. Natyra nuk shikohej më si objekt i pakapshëm për mendimin njerëzor, por si realitet i matshëm dhe i prekshëm. Sipas tij duhej të përdororej më mirë mendja, për të studiuar natyrën. Bekoni sugjeronte sistem të ri logjik, që të bazohej në induksion dhe jo në silogjizëm, si në filozofinë e kaluar.
Induksioni fillon me faktet e natyrës dhe ecën shkallë-shkallë, drejt aksiomave ose hipotezave të përgjithshme, përmes eksperimentit dhe pranisë të shqisave në të.
Teoria e idhujve
Në intelektin njerëzor kanë rrënjë disa gabime dhe iluzione jo të vërteta, të quajtura nga Bekoni “idhuj” (lat. Idola). Ato janë forma të kota të dijes, që bëhen pengesë për një kuptim të saktë të realitetit. Bekoni synon t’i çrrënjosë këto koncepte. Ato rrjedhin nga natyra njerëzore ose nga abstragimet e mëparshme të filozofëve. Mungesa e vëmendjes ndaj filozofisë natyrore dhe mbivlerësimi i autorëve të lashtë, janë arsyet që njohja e natyrës ka përparuar me hapa kaq të ngadaltë. Ai dallon disa lloje idhujsh:
– Idhujt e fisit (tribusë), që rrjedhin nga prirja e natyrshme e mendjes, për të thjeshtuar gjërat. Shqisat nuk kanë aftësi për të kapur aspektet më të fshehta të natyrës, prandaj i thjeshtojnë ato duke krijuar koncepte të gabuara.
– Idhujt e shpellës, që janë gabime të cilat e kanë origjinën në natyrën unike të individëve. Çdo individ është i ndryshëm, si pasojë e edukimit që ka marrë apo ndikimit të mjedisit dhe rrethanave ku ai jeton. Ai e krahason me “mitin e shpellës” dhe thotë se “në shpellë reflektohet drita, që vjen nga jashtë”.
– Idhujt e sheshit publik (forumit), që janë gabime të cilat vijnë si rezultat i ndërveprimeve mes njerëzve. Forumi është vendi ku ndodh kontakti mes individëve dhe ku lindin gabime të këtij lloji, kryesisht nga keqpërdorimi i gjuhës.
– Idhujt e teatrit, që janë gabimet të cilat mund t’u ngarkohen teorive të ndryshme filozofike. Ato krijojnë kuptime jo të vërteta të realitetit, si ato që luhen në skenën e një teatri.
Njeriu duhet të çlirohet nga këto idhuj, në qoftë se do të arrijë të vërtetën dhe njohjen e natyrës, në mënyrë racionale.
Metoda induktive e Bekonit
Metoda që propozon Bekoni për njohjen e natyrës është metoda induktive. Kjo është një metodë logjike e ndryshme nga silogjizmi i Aristotelit, vërtetësia e së cilës nuk ishte e qëndrueshme. Ai nuk pretendonte se e kishte shpikur këtë metodë, por pohonte se ajo ishte nënvlerësuar dhe përdorur në mënyrë jo korrekte më parë. Metoda e re e Bekonit, është metodë shkencore e bazuar në eksperimentin, me qëllim testimin e hipotezës së studimit. Metoda induktive fillon me njohjen e fenomenit natyror dhe kalon në një seri hapash të ndërmjetme, për të arritur në aksiomat e përgjithshme mbi natyrën. Njohja fillon me sende konkrete të natyrës dhe jo me fjalë, si në rastin e silogjizmit. Metoda induktive e Aristotelit, kalon menjëherë nga e veçanta në të përgjithshmen. Ajo bazohet në “numërimin e thjeshtë” dhe në regjistrimin e disa rasteve, nga të cilat më pas nxirrej aksioma e përgjithshme.
Sipas Bekonit, kalimi nga një rast i veçantë te aksioma e përgjithshme, duhet të jetë kalim gradual. Fillimisht duhet të përgatitet me kujdes puna e mbledhjes së të dhënave dhe më tej duhet të përgatiten disa “tabela”.
Tabelat në këtë metodë ndahen në tre lloje:
– Tabela e prezencës, në të cilat paraqiten të gjitha rastet ku shfaqet dukuria, për të cilën kërkohet shpjegimi.
– Tabela e shmangieve, që liston të gjitha rastet në të cilat dukuria që po hetohet, mungon.
– Tabela e shkallëve, në të cilën paraqiten rastet ku dukuria ekziston, por ndryshon sipas shkallëve të intensitetit.
Pasi përgatiten këto tabela, mund të arrihet në përjashtimin e hamendësimeve të parëndësishme. Më tej mund të hidhet hipoteza e parë e studimit, të cilën Bekoni e quan “vjelja e parë.” Vetëm kështu mund të arrihet në fazën e fundit, që është verifikimi i saktësisë së metodës induktive. Për këtë qëllim kryhen një seri eksperimentesh konfirmimi. Hipotezat që nuk mund të verifikohen, përjashtohen dhe përzgjidhet shpjegimi më i saktë dhe më i qendrueshëm në vërtetësinë e tij. Përdorimi i eksperimenteve përbën një pjesë kryesore të veprës “Organonit të ri”. Deri në atë kohë shkencëtarët e kishin përdorur eksperimentin për të konfirmuar teori të mëparshme. Sipas Bekonit duhet të ndodhte e kundërta. Teoritë mund të formohen vetëm nëpërmjet eksperimenteve praktike dhe përvojës së natyrës. “Organoni i ri” përfshin shumë eksperimente të zhvilluara nga Bekoni dhe asistentët e tij, për përdorimin e instrumenteve, që përbënin një risi për epokën, si p.sh. mikroskopi.
Reflekto dhe përgjigju
Përse Bekoni bënte thirrje për rinovim të dijeve?
Cili ishte mendimi i tij për filozofinë e traditës?
Çfarë përfaqësonin “idhujt” e Bekonit?
Cilat ishin hapat që duhet të kalojë një studim shkencor, sipas metodës induktive të Bekonit?
Debat dhe dialog
Dëshira për rinovim të dijeve dhe hedhja poshtë e “idhujve” të së kaluarës, përbën temën kryesore për filozofinë e Bekonit. Arsyetoni për mënyrën sesi arrijmë njohjen në ditët e sotme. A ndikohemi në njohjet tona, nga paragjykimet dhe iluzionet? Sillni argumente nga përvojat tuaja personale.