Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 1 Mësimi 4: Fillimet e filozofisë dhe paraardhësit e Sokratit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 4

Fillimet e filozofisë dhe paraardhësit e Sokratit
Filozofia antike (shek. VI p.e.s.), mendohet se e ka vendlindjen në qytetin bregdetar të Miletit, në Azinë e Vogël. Ky qytet ishte në kryqëzim të rrugëve që shërbenin për tregëtinë detare dhe gëzonte begati. Populli i Miletit kishte shpirt kurreshtar, i interesonte arti dhe kultura, gjë që nxiti aktivitetin intelektual dhe filozofik. Filozofia greke – “parasokratike” përfshinte kontributin e dijetarëve të periudhës fillestare të filozofisë. Për të rindërtuar mendimin filozofik të tyre ka qenë vështirë, sepse është trashëguar shumë pak nga veprat e tyre. Hulumtimet dhe arsyetimet filozofike të dijetarëve të lashtësisë, lidheshin me ekzistencën e universit dhe qenies njerëzore. Këto teori kishin rëndësi sepse shkakun e ekzistencës së realitetit, nuk e kërkuan tek shpjegimet mitologjike dhe vullneti i perëndive. Megjithë naivitetin shkencor të kohës, ato hodhën bazat e filozofisë moderne. Parasokratikët u përpoqën ta shikonin botën si unitet, që bazohej në ligjësi dhe rregulla të caktuara. Disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të kësaj filozofie janë: Talesi, Pitagora, Herakliti dhe Demokriti.

Shkolla e Miletit
Shkolla më e hershme filozofike e Greqisë së lashtë, është themeluar në shek. VI p.e.s. në qytetin e Miletit, nga mendimtari i njohur i lashtësisë, Talesi (Thales, rreth 620 – 546 p.e.s.). Talesi, njihet si i pari në renditjen e “Shtatë të diturve” të antikitetit. Ai lindi dhe vdiq në qytetin e Miletit. Asnjë nga shkrimet nuk ka mbijetuar, kështu që është e vështirë të dimë saktë se cilat ishin zbulimet e tij. Ai përshkruhet si njeri jashtëzakonisht inteligjent dhe i shquar për dituri dhe urtësi. Talesi ishte politikan aktiv, i aftë në: inxhinieri, astronomi, gjeometri. Tregohet se udhëtoi në Mesopotami dhe në Egjipt, si tregëtar. Aty, priftërinjtë egjiptianë i mësuan bazat e gjeometrisë, të cilat më pas u studiuan në shkollën e Miletit dhe në shkollat e tjera në Greqi. Talesi ishte mësues në shkollën e filozofëve të Miletit, i dha mësim Anaksimandrit, i cili zgjeroi më tej teoritë shkencore dhe më vonë u bë mësuesi i filozofit të ardhshëm, Anaksimenit. Anaksimeni, mendohet se ka qenë mësuesi i Pitagorës. Filozofët më të shquar të kësaj shkolle, ishin natyralistë. Ata zhvilluan më tej rezultatet e mendimit filozofik të popujve të Lindjes dhe bënë shumë zbulime me vlerë në: gjeometri, gjeografi, astronomi dhe matematikë. Këta mendimtarë ishin mendjet më të ditura për kohën në të cilën jetuan. Ata donin të njihnin botën që i rrethonte.

Pyetjet që shtronin, ishin:
Cila është substanca që qëndron në themel të gjithçkaje? Çfarë mbetet e pandryshueshme, përderisa gjithçka në botë ndryshon? Përgjigjet që dhanë filozofët e Miletit ishin të ndryshme. P.sh., Talesi mendonte se lënda që qëndronte në themel të çdo gjëje, ishte uji. Sipas tij, substanca themelore që formonte gjithësinë duhej të ishte diçka e domosdoshme për ekzistencën e botës dhe e aftë për të ndryshuar. Talesi mendonte se uji, ishte elementi që i përmbushte të gjitha këto kushte. Filozofë të tjerë të kësaj shkolle përcaktonin si të tillë: ajrin, ujin, zjarrin, atomet apo vetë pafundësinë. Në skemë, jepen idetë kryesore parasokratike, lidhur me substancën themeluese të gjithësisë (universit).

Talesi
uji – substanca themelore, e aftë për të ndryshuar; qëndron në themel të gjithçkaje; transformohet nga njëri send tek tjetri
Pitagora
numri – sundimtari i formave dhe ideve; gjithçka në gjithësi është në përputhje me numrat dhe raportet matematikore
Herakliti
zjarri (logosi hyjnor) – vendos ekuilibrin e gjithësisë, që është në ndryshim të vazhdueshëm, për shkak të pëplasjes së të kundërtave
Demokriti
atomet – në përbërje të gjithçkaje; janë grimca të vogla, të pandashme, të përjetëshme dhe të pandryshueshme

Pitagora dhe koncepti i tij mbi numrat
Pak njihet jeta e Pitagorës (Pythagoras), sepse ai nuk la shkrime. Studiuesit mendojnë se ka lindur në ishullin grek të Samos, në vitin 570 p.e.s. Fëmijërinë e kaloi jo larg qytetit të Miletit, prandaj besohet se ka studiuar atje. Sikurse Talesi, ai kishte formim matematikor, mbi bazat e së cilës formoi filozofinë e tij. Pitagora u bë shumë i njohur me teoremën e tij, që njihet si “Teorema e Pitagorës”. Ajo shprehet me barazimin: a2 + b2 = c 2 (në të gjithë trekëndëshat kënddrejtë, katrori i hipotenuzës, është i barabartë me shumën e katrorëve të dy kateteve). Ky zbulim pati ndikim të jashtëzakonshëm për kohën. Pitagora ishte filozof, matematikan dhe themelues i lëvizjes fetare të quajtur pitagorianizëm. Ai ishte shumë fetar, supersticioz dhe besonte në ciklin e rimëshirimit të shpirtrave. Filozofia e tij predikonte respektimin e një vargu rregullash të rrepta të sjelljes dhe dijen shkencore praktike, si rrugë për të arritur çlirimin e shpirtit. Sipas filozofisë së Pitagorës, nëse ne kuptojmë se gjithçka në gjithësi është në përputhje me numrat, rregullat dhe përpjestimet matematikore, do të arrijmë të kuptojmë strukturën e kozmosit. Arkitektura klasike ndoqi raportet përpjestimore të zbuluara nga Pitagora. Për të, matematika ishte modeli kyç për të studiuar gjithçka, madje edhe mendimin filozofik. Një nga idetë e tij shumë të rëndësishme, ishte roli i rëndësishëm i mendimit abstrakt, mbi të dhënat e shqisave. Pitagora bëri hapin e parë për të pajtuar racionalen dhe fetaren, përpjekje që më pas, do të vazhdonte gjatë të gjithë historisë së filozofisë.

Herakliti. Lufta e të kundërtave, burim ndryshimi
Herakliti lindi në vitin 535 p.e.s., në Efes, në brigjet e Azisë së Vogël, jo shumë larg nga Mileti. Ai është një nga figurat më interesante dhe misterioze të filozofëve të lashtësisë, prandaj në Antikitet e quanin “Herakliti – i errëti”. Kjo për shkak të aforizmave të shkurtëra dhe enigmatike që përdorte ai, për t’u shprehur. Në ndryshim nga filozofët e tjerë të Miletit, si Talesi, Anaksimeni etj., të cilët i shikonin gjërat në thelb të pandryshueshme, Herakliti mendonte se gjithçka në botë ndryshon, rrjedh. Njihet shprehja e tij: “Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë”. Përtej këtij ndryshimi të pandalshëm, për të ekzistonte parimi i rregullsisë dhe ekuilibrit, që mundëson vazhdimësinë e botës. Nga ana tjetër, ai mendonte se, çdo gjë që ekziston është kombinim dhe përplasje e të kundërtave. Lufta midis të kundërtave çon në ndryshim të vazhdueshëm. Ato zëvendësojnë njëra-tjetrën: dita i zë vendin natës, jeta shkëmbehet me vdekjen, e nxehta me të ftohtën dhe kështu me rradhë, pafundësisht. Kjo ide, është nga parimet kryesore të dialektikës. Parimi universal kozmik, që qëndron në themel të gjithçkaje dhe ruan unitetin e gjithësisë, është logos – i, që në greqisht do të thotë arsye, logjikë. Për Heraklitin, ky parim ekziston përtej reales dhe natyrës. Ai mban në kontroll të kundërtat dhe tensionin që krijohet mes tyre, që asnjëra prej tyre të mos fitojë. Logosi hyjnor, mund të arrijë të njihet vetëm nga njerëzit e mençur apo filozofët e vërtetë. Sipas imagjinatës së tij, Herakliti logosin e shihte tek zjarri, që ka qenë elementi i parë ekzistues dhe më pas, me vullnetin hyjnor, u shndërrua në tokë dhe në ujë. Ai e shihte zjarrin si forcë aktive, e gjallë, që qëndron në bazë të krijimit të gjithçkaje dhe që përcakton çdo ndryshim në univers.

Demokriti dhe shkolla atomiste
Gjatë shekullit të V p.e.s., dy filozofë Demokriti dhe Leukipi, nga Abdera dhe Thraka, dolën me idenë se çdo gjë në botë formohet nga grimca të vogla, të pandashme, që quhen atome. Demokriti (Democrite, 460-371 p.e.s.) hodhi
hipotezën, se çdo gjë përbëhet nga këto grimca. Të dy filozofët pranonin se atomet lëvizin në boshllëk, duke u përplasur me njëri – tjetrin dhe formojnë mijëra kombinime në forma të përkohëshme. Në këtë mënyrë formohen trupat dhe bota ku jetojmë. Atomet që përbëjnë trupin tonë, nuk dekompozohen. Sipas tyre, pasi njeriu vdes, atomet që përbëjnë njeriun nuk zhduken, por shpërndahen për t’u kombinuar përsëri. Sigurisht, ky ishte interpretim naiv dhe i pambështetur shkencërisht, por që do t’i shërbente shkencës shumë kohë më vonë (teoritë atomike të shekullit XX). Teoria e krijuar nga Demokriti dhe Leukipi, u njoh me emrin atomizëm dhe ishte shpjegim mekanicist i gjithësisë, që nuk përfshinte rolin e perëndive në këtë proces.

Reflekto dhe përgjigju
Cilët janë parasokratikët dhe cila është ndihmesa e tyre në filozofi?
Arsyetoni mbi disa nga ngjashmëritë dhe dallimet mes këtyre filozofëve?
Çfarë ideje novatore solli teoria atomiste e Demokritit?
Cilat qenë kufizimet e kësaj teorie? Arsyetoni, bazuar në njohuritë tuaja në shkencën e fizikës dhe kimisë.

Debat dhe dialog
Diskutoni duke dhënë argumente mbi origjinën e botës dhe të jetës në Tokë. Përpiquni të sillni argumente shkencore, të bazuara në prova dhe fakte.

Jepni opinionin tuaj
Shfrytëzoni burime të tjera informacioni, për të mësuar më shumë rreth një filozofi parasokratik. Shpjegoni interesin për filozofin që përzgjodhët, duke e lidhur filozofinë e tij me jetën e përditëshme.

Të di më shumë
Thalesi një nga shtatë njerëzit më të ditur të Greqisë së lashtë Shtatë njerëzit e ditur, janë figura të rëndësishme publike të Greqisë së lashtë. Ata kanë jetuar në periudhën në fund të shek. VII dhe fillimit të shek. VI p.e.s. dhe hynë në histori si modele të urtësisë praktike.
Ai quhet themeluesi i matematikës greke, më saktë i gjeometrisë, ku njëra nga teoremat mban emrin e tij (teorema Thales). Thales shpiku matematikën deduktive. Sipas teoremës së tij:
– Një kënd i mbështetur në një gjysmërreth, është kënd i drejtë.
– Këndet e bazës në një trekëndësh dybrinjënjëshëm, janë të barabartë.

Fakti që e bëri të famshëm ishte parashikimi i eklipsit të plotë të Diellit, në vitin 585 p.e.s. Ai ishte i pari që hodhi idenë se hëna shkëlqen, sepse pasqyron dritën e Diellit. Ai përcaktoi numrin e saktë të ditëve të vitit. Tales bëri shumë matje dhe përcaktoi lartësinë e piramidës së Keopsit me metoda gjeometrike, që i befasoi priftërinjtë egjiptianë. Nga vëzhgimet e tij, arriti në përfundimin se të korrat e mbara, nuk vareshin nga lutjet ndaj perëndive, por nga kushtet e motit. Prandaj, duke parashikuar mot të përshtatshëm për prodhimin e ullirit, ai bleu të gjithë prerëset e ullinjve në ato anë, duke i dhënë më pas me qira, për shkak të rritjes së kërkesës.