Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 5 Mësimi 4: Spinoza Zoti shkaku i gjithckaje

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 4

Spinoza. Zoti, shkaku i gjithçkaje

Lindja e mendimit filozofik të Spinozës
Spinoza (Baruch Spinoza) lindi në Amsterdam në vitin 1632, në një familje çifute, me origjinë portugeze. Ai u arsimua në shkollë fetare, ku mësoi latinisht, gjë që e ndihmoi të studionte autorët bashkëkohorë të filozofisë. Për arsye të qëndrimeve të tij kundërshtuese, u përjashtua nga bashkësia hebraike.

Gjatë viteve 1658-1659, shkroi veprën e tij të njohur “Traktat për intelektin”. Më pas botoi në gjuhën holandeze “Traktat i shkurtër për Zotin, njeriun dhe lumturinë e tij”. Një pjesë e saj është përfshirë në veprën “Etika, e provuar si metodë gjeometrike.” Kjo vepër e angazhoi Spinozën gjatë gjithë jetës. Ai u transferua në Rijnsburg dhe më vonë në qytetin Aja ku u njoh me sekretarin e Shoqatës Mbretërore Britanike, Henri Oldenburg, me të cilin shkëmbeu shumë letra, që përfshihen në veprën “Epistullari”.

Në vitet e fundit të jetës shkroi “Traktatin teologjiko-politik”, ku mbron të drejtën për dije dhe tolerancë fetare. Ky libër u fut në listën e librave të ndaluar. Vdiq në vitin 1677. Spinoza jetoi në vitet kur Holanda po përjetonte zhvillim të madh të mendimit dhe njihej si atdheu i tolerancës dhe liberalizmit. Teoria e tij u ndikua shumë nga filozofia e Dekartit. Spinoza shkaktoi “skandal” në rrethin intelektual të kohës, në lidhje me konceptin që kishte për Zotin. Ky koncept nuk ishte as fetar dhe as jo-fetar. Zoti në këndvështrimin e Spinozës barazohej te natyra. Ai nënkuptonte mekanizmin që qëndronte pas kozmosit, të organizuar sipas ligjeve të caktuara. Spinoza në asnjë çast nuk pranoi të bënte kompromis dhe të mohonte idetë e tij. Ai nuk pranoi pensionin që i akordoi komuniteti portugez-hebraik i Amsterdamit, me kusht që të mos e manifestonte kundërshtimin e tij. Kjo i prishi edhe aktivitetin tregtar për shitjen e lenteve të mikroskopëve dhe teleskopëve. Ai refuzoi katedrën e Universitetit të Heidelbergut. Katedra i premtoi se do të kishte hapësirë për filozofi, me kusht që të mos kundërshtonte fenë, e cila ishte pranuar gjerësisht. Të dyja këto refuzime lidhen me dëshirën e tij, për të kërkuar në mënyrë të pakushtëzuar të vërtetën.

Etika e Spinozës. Zoti apo Natyra?
Sipas Spinozës, metoda gjeometrike është instrumenti i vetëm i përshtatshëm për të studiuar çdo aspekt të realitetit. Etika e tij parashtrohet si një traktat mbi gjeometrinë. Ajo përmban përkufizime dhe aksioma, si dhe ndjek një seri të rregullt të teoremave, provave dhe rrjedhimeve. Kjo pjesë e teorisë së Spinozës tregon qartë bindjen për ta kuptuar realitetin saktë, si matematikanët. Etika si titull, nuk lidhet me shpjegime të moralit, por me njohuritë mbi Zotin. Sipas Spinozës, bëhet fjalë për një substancë të vetme dhe të pafund. Zoti i Spinozës, nuk ka të bëjë me Zotin e krishterë. Që ta kuptojmë këtë ide, shprehet ai, duhet të largohemi nga përfytyrimi antropomorf i hyjnores. Për këtë arsye ai u akuzua për ateizëm. Zoti nuk është asgjë tjetër përveç një qenie absolutisht e pafund, një thelb i përbërë nga pafundësi atributesh. Kjo do të thotë se i gjithë realiteti apo natyra, është një unitet i vetëm, i quajtur Zoti apo Natyra (Deus sive Natura). Teoria e Spinozës shpesh trajtohet si një formë e panteizmit, që beson se Zoti dhe natyra janë një. Sipas Spinozës, për shkak të kufijve të intelektit njerëzor, ne arrijmë të njohim vetëm dy atribute të Zotit: vetinë e shtrirjes, që është bota materiale dhe vetinë e të menduarit, që është bota mendore. Zoti, është “substanca”, që qëndron në themel të realitetit dhe çdo gjë që ekziston, është mënyrë e shprehjes së Tij. Të gjitha sendet janë modifikime të vetive të substancës, Natyrës apo Zotit.

 

Meqënëse Zoti dhe bota janë një, atëherë shkaku dhe thelbi i botës gjenden tek Zoti. Pra, sipas Spinozës, çdo gjë e gjen shpjegimin tek Zoti. “Gjithçka që ekziston është te Zoti dhe asgjë nuk mund të ekzistojë apo të konceptohet pa Zotin – pohon Spinoza, – Zoti është shkaku i të gjitha gjërave”. Por, meqënëse çdo gjë buron prej Tij, atëherë në natyrë mbizotëron determinizmi, që do të thotë se asgjë nuk është rastësore. Shkaqet dhe pasojat ndërthurren në mënyrë të domosdoshme. Vetëm Zoti është i lirë, sepse nuk është i detyruar nga asnjë shkak i jashtëm, por vetëm nga natyra brenda tij .

Njeriu, megjithëse ka ndërgjegje, si pjesë e natyrës, i nënshtrohet determinizmit. Në skemë është arsyetimi i Spinozës, lidhur me ekzistencën e Zotit. Sipas Spinozës, njeriu fiton liri, nëse kupton vetveten dhe vendin e tij në Natyrë. “Sa më shumë të kuptojmë nga vetja jonë, aq më mirë do të njohim Zotin” –thotë Spinoza. Por njerëzve, (arsyeton ai) iu pëlqen të mendojnë se është forca e tyre e vullnetit, që i drejton dhe jo një forcë superiore. Kështu, ne bëhemi viktima të iluzioneve.

Thelbi i natyrës njerëzore: dëshira dhe pasioni
Njerëzit, për vetë natyrën e tyre, përpiqen të kërkojnë brenda qenies, për të zbuluar dhe për të njohur dëshirat e tyre. Këtë përpjekje Spinoza e quan konatus (conatus – lat. të përpiqesh, të sforcohesh). Dëshirat e njeriut mund të ndryshojnë nga ndërhyrja e shkaqeve të jashtme. Ne vuajmë nga veprimi i forcave, që janë të lidhura detyrimisht me ne, sepse jemi pjesë e Natyrës. Vetëm duke njohur forcën e Zotit dhe rregullin e përsosur universal, që Ai ka vendosur, ne mund të shpëtojmë nga dhimbja dhe të ndjejmë kënaqësi. “Vetëm njohja dhe përmirësimi i dijeve tona – thotë Spinoza – mund të na çlirojë nga skllavëria e pasioneve dhe të na çojë drejt lumturisë”. Gëzimi dhe dhimbja janë dy pasionet themelore, prej të cilave rrjedhin pasionet e tjera. Gëzimi, është ndërgjegjësimi i njeriut për shkallën e lartë të vetëpërsosjes. Në të kundërt, trishtimi dhe dhimbja janë reduktimi i kësaj kënaqësie. Për Spinozën, jeta e njeriut përbëhet nga kalimi i njëpasnjëshëm i pasioneve të trishtuara (urrejtja, zilia etj.). Këto pasione e kanë çuar njeriun në një gjendje të nënshtrimit, ose siç e quan ai pasivitet. Prandaj, ato duhen zëvendësuar nga ndjenjat e gëzimit, të cilat shtojnë fuqinë për të vepruar dhe e bëjnë njeriun aktiv. Përmes dijes së vërtetë, njeriu i mençur plotëson vetveten dhe ndjen kënaqësinë që i fal arsyeja.

Spinoza dhe Politika
Politika e Spinozës bashkohet me Etikën e tij dhe e plotëson atë. Sipas tij, shteti duhet të ndërtohet në mënyrë racionale. Vetëm kështu ai i hap rrugën lirisë, paqes dhe rendit publik. Shteti, sipas Spinozës, duhet të garantojë sigurinë e të gjithëve, duke iu dhënë mundësinë që duke përdorur arsyen e tyre, të jenë të lirë. Në konceptin e Spinozës të gjithë jemi pjesë e njëjtit thelb. Kështu, përcaktohet fati i njerëzve, që jetojnë nën regjimin e arsyes në një qytet të lirë. Spinoza është demokrat. Demokracia është sistem, ku askush nuk transferon të drejtat e tij te një tjetër dhe ku të gjithë janë të barabartë. Liria e ndërgjegjes është absolute. Duke hyrë në njohurinë e vërtetë, pra, duke pranuar se jemi pjesë të të njëjtit thelb, njeriu bëhet zot i njeriut.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat ishin kushtet historike dhe shoqërore në të cilat Spinoza shpalosi teorinë e tij?
Çfarë idesh, prezantohen në Etikën e Spinozës?
Cili është thelbi i natyrës njerëzore sipas Spinozës?
Si e plotëson politika teorinë etike të Spinozës?

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Spinoza mendon se ndjenjat negative, si: urrejtja, xhelozia etj., duhen zëvendësuar nga ndjenjat e gëzimit, të cilat shtojnë fuqinë për të vepruar dhe e bëjnë njeriun aktiv. A ndani ju të njëjtin mendim me të? Sillni argumentet tuaja, bazuar në shembuj nga përvoja të ndryshme që keni përjetuar.

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim rreth thënies së Spinozës: “Sa më shumë të kuptojmë nga vetja jonë, aq më mirë do të njohim Zotin”. Si e kuptoni ju këtë shprehje? Bazohuni në teorinë e Spinozës për Zotin, si shkak i gjithçkaje.