Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 6 Mësimi 3
David Hjum, përfaqësues i empirizmit
Hjum dhe njohja e botës
Hjum David (Hume David) lindi në 1711 në Edinburg, në Skoci dhe vdiq në vitin 1776. Rridhte nga një familje aristokrate, jo shumë e pasur. Ai ishte fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme. Familja shpresonte që Hjum të studionte për drejtësi, por prirjet e tij e udhëhoqën në një karrierë letrare, si filozof dhe historian. Mbas studimeve, Hjum shkoi në Francë, ku shkroi veprën e parë filozofike letrare “Një traktat i natyrës njerëzore”, në të cilën parashtron të gjitha idetë e tij filozofike. Më pas, në vitin 1763, emërohet në ambasadë në Paris. Gjatë kësaj periudhe u miqësua me filozofin francez Zhan Zhak Ruso dhe u bë i njohur në të gjitha rrethet e filozofëve. D. Hjum bën pjesë në grupin e empiristëve të mëdhenj britanikë, së bashku me Xhon Lokun dhe David Berklin. Ata arsyetuan se njohja njerëzore mund të vijë vetëm nga përvoja, duke kundërshtuar kampin e filozofëve racionalistë, që e vinin theksin te roli i arsyes apo reflektimit racional. Ai hedh poshtë pretendimin e racionalistëve se njerëzit vijnë në jetë me “ide të lindura”. Sipas tij, e vërteta ose e pavërteta mund të njihen vetëm nëpërmjet provave.
Hjum dallon dy dukuri te njeriu:
Mbresat, që krijohen nga ndijimet e para mbi sendet, të cilat Hjum i quan “ndjesi, pasione dhe emocione”. Idetë, që janë “mendimet, refleksionet dhe përfytyrimet”, të cilat mbeten te ne edhe pasi ka mbaruar një ndijim. Kështu Hjum e krahason njohjen me dhimbjen që përjetojmë kur përplasemi drejtpërdrejt me një objekt dhe më pas, kujtimi (përfytyrimi) që jemi përplasur dikur. Shpirti bën lidhjen e ideve që vijnë nga përvoja dhe kjo është rruga e vetme e njohjes. Përvoja lidhet me një zakon që na bën të besojmë lidhjen e domosdoshme midis shkakut dhe pasojës. P.sh., përvoja na mëson se uji vlon në 100 °C dhe kështu ndodh gjithmonë. Hjum thekson, se arsyeja pse besojmë se dielli do të lind përsëri nesër, është thjesht rezultat i përvojës tonë, e cila na tregon se nesër bota do të jetë njëlloj, si sot. Në këtë proces njohjeje nuk ka rëndësi arsyeja, por mënyra se si ne e shohim realitetin.
Hjum dhe feja
Teoria e Hjumit, që lidh njohjen me përvojën shqisore të njeriut, ështe në kundërshtim me fenë. Ishte pikërisht kjo arsyeja, që Hjumi u cilësua ateist dhe i pamoralshëm. Ai arsyetonte se nuk ka prova për ekzistencën e një krijuesi të parë dhe se ndërtimi i mrekullueshëm i botës nuk i detyrohet ndonjë krijuesi të përkryer. Hipoteza interesante e Hjum është se ne ndeshim në botë vetëm perceptimet tona dhe nuk e kemi gjetur shpirtin e pavdekshëm. Kjo hipotezë godiste drejtpërdrejt kishën, e cila i censuroi librat e Hjumit. Ai nuk e konsideronte si fakt ekzistencën e Zotit, sepse kjo gjë nuk mund të provohej në mënyrë empirike. Megjithatë, skepticizmi i Hjum-it ndaj ekzistencës së Zotit, nuk e bëri atë ateist, por thjesht theksoi rëndësinë e parimeve empirike për njohjen njerëzore. Hjum doli hapur ndaj historisë plot gjakderdhje të fesë së krishterë. Ai mendonte se feja duhet të shërbente si veprimtari ndihmëse ndaj bashkësisë së popujve. Guximi i tij filozofik dhe qëndrimi kritik ndaj fesë ishte i admirueshëm, sepse në atë kohë pasuria e kishës dhe pushteti i saj ishin të dukshëm.
Qëndrimi i Hjum ndaj moralit dhe politikës
Koncepti i moralit për Hjumin, buron jo nga arsyeja, por nga ndjenjat. Sipas tij zhvillimi i qytetërimit, ndikon te ne që të ndiejmë simpati, jo vetëm ndaj atyre që kemi të afërt, por edhe për njerëzit që janë tërësisht të huaj. Kjo është mënyra e vetme që pamja e lumturisë, gëzimit dhe mirëqenies së përgjithshme, të sjellë kënaqësi për individin. Pa u ndikuar nga një ndëshkim i mundshëm “hyjnor”, njeriu sillet si krijesë morale, kur ndjen si të mirë, “të mirën e përgjithshme” dhe çdo gjë që i shërben asaj. Vetëm në këtë moment njeriu ka të drejtë të ndjekë lirisht ndjenjat e tij. Sot, filozofët e njohin Hjumin si shenjë paralajmëruese e shkencës bashkëkohore, dhe si frymëzim për disa nga llojet më të rëndësishme të teorisë etike të zhvilluara në filozofinë morale të kohës. D. Hjum ishte miqësor ndaj bashkëkohësve të tij, por armiqësor me partitë politike. Ai mendonte se është e pamundur që një grupim i caktuar njerëzish, të paraqesin të njëjtat ndjenja, mendime dhe përgjithësime. Hjumi ishte skeptik, si në fushën e moralit, ashtu dhe të politikës. Në politikë, çdo gjë varet nga njerëzit, pra edhe regjimi demokratik mund të qeveriset mirë ose keq, në varësi nga mënyra si e realizojnë njerëzit që merren me atë.
Reflekto dhe përgjigju
Çfarë kuptoni me empirizëm?
Cili është koncepti empirik i Hjumit mbi njohjen?
Në cilat momente ai vlerëson ndjenjat e njeriut dhe jo arsyen?
Çfarë qëndrimi mban D. Hjum ndaj fesë?
Arsyetoni mbi skepticizmin e D. Hjum në fushën e moralit dhe politikës.
Debat dhe dialog
Diskutoni në klasë rreth pyetjes së Hjumit:
“Pse ne zbatojmë rregulla që mund të jenë në kundërshtim me interesat tona?”
Jepni opinionin tuaj
Kërkoni materiale në internet për skemën e ndërgjegjes të D. Hjum. Përgatituni për diskutim në grup. Si mund t’i përgjigjemi sot shqetësimit të filozofit empirist? Jepni raste nga shoqëria jonë.