Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 3 Mësimi 1,2: Filozofia dhe politika në Romë. Stoicizmi romak

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 3 Mësimi 1,2

Filozofia dhe politika në Romë. Stoicizmi romak

 

Kushtet historike dhe shoqërore të lindjes së stoicizmit romak
Filozofia romake u ndikua shumë nga filozofia stoike greke, por kishte formë më pak të ngurtë dhe përshtatej më mirë me nevojat e njerëzve në përballje me vështirësitë e jetës. Stoicizmi romak, në shekujt e parë të erës sonë, u përgjigjej kërkesave të klasës sunduese romake, që në këtë kohë u fuqizua shumë në të gjithë rajonin e Mesdheut. Aristokracia romake, nën ndikimin e vazhdueshëm të filozofisë greke, filloi të vlerësonte doktrinën stoike, si pjesë e rëndësishme e edukimit të qytetarit romak. Në shek. I p.e.s. dhe veçanërisht pas shek. I e.s., në historinë e mendimit filozofik, afirmohen shumë personalitete të lidhura me stoicizmin. Veprat e tyre, nuk sollën zhvillime të reja teorike, por rikthyen në vëmendje parimet e vlefshme të filozofëve stoikë të së kaluarës. Këto mësime paten rëndësi të madhe në kushtet e shoqërisë së përçarë nga konflikte të shumta. Në jetën politike, ky konflikt krijohej mes sundimit absolut të princit dhe klasës së senatorëve. Koncepti stoik shërbente për të prodhuar qëndrime të ndryshme në përputhje me interesat e jetës politike. Ai mund të nxiste, si pranimin pasiv të situatës, ashtu dhe angazhimin aktiv në politikë, drejt një gjëndje më të mirë sociale dhe morale. Disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm për idetë e tyre, janë: Seneka, Epikteti, perandori Mark Aurel etj. Seneka (viti 4 p.e.s. – viti 65 e.s.), lindi në Kordovë të Spanjës, në familje të pasur e të kulturuar romake. Në moshë shumë të re, ai studjoi në Romë filozofi dhe oratori. Pasi u njoh më parë me pitagorizmin, ai u bë pjestar i doktrinës stoike, të cilën e zbatoi deri në fund të jetës. Vepra e tij përbëhet prej shkrimesh të ndryshme, si: poezi, fjalime politike, traktate shkencore, tragjedi, punime filozofike etj. Veprat kryesore të Senekës janë: “Kërkime mbi natyrën” e përmbledhur në shtatë vëllime, “Dialogjet” në dymbëdhjetë vëllime, etj. Përveç filozofisë, ai ishte i interesuar për fushën e ligjeve dhe politikës, prandaj u zhvendos në Romë, ku ra në kontakt me rrethin e perandorit Klaudio.

Pas bashkëpunimit të shkurtër me të, perandori e dëboi Senekën në ishullin e Korsikës. Vetëm pas tetë vjetësh, ai mundi të rikthehej në Romë, me cilësinë e mësuesit të perandorit të ardhshëm Neron (që erdhi në pushtet në vitin 54 e.s.). Kjo është periudha e përfshirjes më të madhe të Senekës në politikë. Ai u emërua në postin e këshilltarit të perandorit dhe gëzonte autoritet të padiskutueshëm.

Duke u bazuar në parimet stoike të vetëkontrollit dhe korrektësisë, Seneka u përpoq të ruante rendin social, përmes një politike të fortë. Ky rend i dënonte fajtorët, por respektonte të drejtat e tyre, ishte kundër torturës dhe ndëshkimit të padrejtë. Bashkëpunimi i ngushtë me perandorin Neron, nuk zgjati shumë dhe në vitin 62 e.s., Seneka u largua nga skena politike, duke përdorur si shkak moshën dhe punën studimore. Më vonë, i dyshuar për komplot kundër perandorit, u detyrua të vetëvritej. Etika e filozofisë së Senekës, bazohet në temat më kryesore të etikës stoike. Në veprën “Dialogjet”, ai trajton çështje që lidhen me sjelljen dhe veprimet në jetën e përditshme dhe vlerësimin e gjërave që na rrethojnë. Seneka trajton kohën e limituar që çdo njeri ka në dispozicion për të jetuar dhe për t’u kujdesur për qetësinë e shpirtit. Seneka, shfaqet si udhërrëfyes moral, jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për brezat e ardhshëm. Pas tërheqjes së Senekës nga politika, filozofia e tij pësoi ndryshime nën ndikimin e filozofisë së Platonit.

Seneka rivlerësoi rëndësinë e pavarësisë dhe forcës së vullnetit të njeriut, për të përmirësuar sjelljen, drejt virtytit dhe lumturisë. Sipas tij, çdo individ, pavarësisht nga pozita sociale, ka aftësinë e vetëkontrollit të brendshëm, për të përballuar pengesat e jetës dhe për të luftuar veset, siç ishte p.sh., etja për lavdi dhe pushtet. Në përpjekje për t’u përshtatur me botën, filozofia e Senekës, nga njëra anë rriste shkallën e lirisë së njeriut dhe nga ana tjetër, shmangte konfliktet dhe protestat e shtresave të varfra të popullsisë.

Në teorinë e tij, Seneka arsyeton se, filozofia nuk është art për t’u siguruar njerëzve luks dhe favore. Ajo lidhet jo me fjalët, por me veprat e gjithsecilit. Filozofia, sipas tij, formon mendjen, drejton veprimet, të mëson atë që duhet të bësh dhe atë që duhet të shmangësh.

Në veprën, “Letra Lucilios” shprehet: “… Filozofia është në timon të anijes dhe e drejton atë në rrjedhën e valëve, përmes rreziqeve. Pa të, askush nuk mund të jetojë i qetë dhe i çliruar nga frikërat. Çdo çast, ndodhin ngjarje të panumërta, të cilat kërkojnë këshilla, që vetëm filozofia mund t’i japë.”

Mark Aureli, është përfaqësues i rëndësishëm i stoicizmit romak. Ai lindi në Romë, në vitin 121 e.s., u bë perandor në vitin 161 dhe vdiq në vitin 180 e.s., në Vindobona (Vjena e sotme). Në moshë të re u njoh dhe mbeti i magjepsur nga filozofia stoike, parimet e së cilës e frymëzuan në veprën e tij. Refleksionet personale, nga përvoja e jetës si perandor dhe njeri i zakonshëm, i përmblodhi në veprën, me dymbëdhjetë vëllime, “Porosi vetvetes”, ose ndryshe “Kujtimet”. Në këtë vepër, ai jep këshilla të vlefshme për jetën e bazuar në moral. Çdo njeri, në fund të ditës duhet të reflektojë për sjelljet që ka kryer, çfarë ka bërë mirë apo keq. Filozofia e tij përfaqëson kulmin e përshtatjes së parimeve stoike me pushtetin politik. 

Perandori Aurel, e shikonte postin udhëheqës, si detyrë të rëndësishme dhe të vështirë që duhet përmbushur me përgjegjësi. Ai e konsideronte politikën si angazhim, me qëllim ruajtjen e harmonisë së rendit shoqëror, në përputhje me përsosmërinë e universit. Ky detyrim, sipas Aurelit, duke patur parasysh se qeniet njerëzore janë të përkohshme në ekzistencën e tyre, e bën të panevojshme rendjen pas famës dhe lavdisë.

Reflekto dhe përgjigju
Cilët ishin faktorët që ndikuan në përhapjen e filozofisë stoike në perandorinë romake?
Çfarë të rejash solli stoicizmi romak në krahasim me parardhësit e tyre në Greqi?
Cili është koncepti i Senekës për rëndësinë e lirisë dhe vetëkontrollit, te individi?
Arsyetoni për kuptimin që Mark Aureli kishte për politikën.

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Seneka mendon se, filozofia është rruga përmes së cilës njeriu orientohet drejt së mirës dhe lumturisë. A mendoni ju se, edukimi dhe arsimimi i mirë, të ndihmon të gjesh rrugën e duhur në jetë? Arsyetoni duke reflektuar nga përvoja juaj apo e rrethit tuaj shoqëror.

Mark Aurel, arsyeton se, njerëzit kanë ekzistencë të kufizuar në kohë, prandaj duhet të përmbushin me përgjegjësi detyrimet e tyre dhe jo të rendin pas famës dhe lavdisë.

A ndani të njëjtin opinion? Konkretizoni mendimin me shembuj liderësh në politikë, nga historia e Shqipërisë dhe më gjerë.

Sillni këndvështrimin tuaj, duke u përpjekur të keni argumenta sa më të qarta dhe bindëse.

Jepni opinionin tuaj
Duke u mbështetur në parimet e filozofisë stoike, përshkruani me shkrim, disa nga tiparet që do të respektonit më shumë tek individi i shoqërisë së sotme moderne. Organizoni mbrojtjen e ideve tuaja, duke patur parasysh se kjo çështje varet nga formimi dhe bindjet e gjithsecilit.