Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 5 Mësimi 7,8: Xhon Loku. Modeli i shtetit liberal

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 7,8

Xhon Loku. Modeli i shtetit liberal

Xhon Loku (John Locke, 1632-1704) lindi në rrethinat e Bristolit, Angli, në familje puritane. Pasi mori arsim klasik dhe cilësor në shkollën Uestminstër në Londër, vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Oksfordit. Mësimet e bazuara në filozofinë aristoteliane, që mori në kolegjin e Oksfordit e zhgënjyen Lokun, i cili interesohej më shumë për shkencat mjekësore dhe natyrore. Loku u tërhoq veçanërisht nga metoda empirike, me të cilën u njoh nga kimisti i njohur Robert Bojli. Interesat shkencore e shtynë të vazhdonte studimet për mjekësi, por më vonë kuptoi se i pëlqente karriera në diplomaci.

Në vitin 1667, shkruan: “Ese për tolerancën”, që mbetet e papublikuar. Aty shpreh idetë e tij për bashkëjetesën paqësore mes njerëzve me pikëpamje të ndryshme fetare dhe politike. Loku, u largua dy herë nga Anglia, si azilant politik, por u kthye përsëri në vitin 1688, me ardhjen në pushtet të Vilhelm Oranzhit. Në këtë kohë shkruan veprat e tij: “Letër mbi tolerancën” dhe “Dy traktatet për qeverisjen”. Gjatë viteve 1690-1704, strehohet në fshatin Oats, në kontenë e Eseksit, ku shkruan vepra të tjera deri sa vdiq. Disa prej tyre, janë: “Mendime për edukimin”, “Arsyetimi i krishtërimit”, “Guida për intelektin”, që u publikuan pas vdekjes. Megjithëse teoria empiriste, pati vlerë në fushën e shkencës, Loku u bë i famshëm për shkrimet politike.

Vepra “Dy traktatet mbi qeverisjen”, konsiderohen si themeli i liberalizmit modern, ku ai shprehet se, qëllimi i rendit politik është të ruajë lirinë e njeriut. Idetë liberale të Xhon Lokut i kanë shërbyer politikës së brezave në vijim. Kështu p. sh., shprehja e tij,: “njerëzit janë të gjithë të barabartë dhe të lirë”, “zotërojnë të drejtat natyrore, të jetës, shëndetit, lirisë dhe barazisë”, u përdorën më vonë, në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve dhe hartimin e kushtetutës amerikane.

Teoria empirike e njohjes
Loku kundërshtoi teorinë e ideve të lindura, të Dekartit. Ai është mbështetës i teorisë empiriste, sipas së cilës e gjithë njohja vjen vetëm përmes eksperiencës. Loku argumenton se kur lind njeriu, mendja e tij është si një tabula rasa (tabelë e bardhë), që më pas mbushet me dije mbi botën. Ato fitohen vetëm përmes përvojës të përftuar nga shqisat. Nëse do të kishte ide të lindura, ato do të ishin universale, njëlloj për të gjithë njerëzit, kohërat dhe kulturat. Kjo nuk ka kuptim, thotë Loku, sepse edhe kur njerëzit kanë mendime të përbashkëta, ajo mund të vijë si rezultat i përvojave të ngjashme dhe jo ideve të tyre të lindura.

Njohja, sipas tij, ka dy burime:
– Ndijimin, që ka të bëjë me perceptimin shqisor, nga ana e subjektit, të objekteve të jashtme. Këto janë lënda e parë e njohjes apo idetë e thjeshta.
– Refleksionin ose pasqyrimin, që ka të bëjë me mendimin dhe arsyetimin njerëzor. Përmes intelektit, krijohen dije të reja ose idetë e përbëra, si rezultat i krahasimit dhe kombinimit të ideve të thjeshta, të fituara nga përvoja e shqisave.

Idetë tona, arsyeton Loku, korrespondojnë me realitetin e jashtëm, sepse mendja nuk mund të shpikë gjëra jashtë eksperiencës. P.sh., një njeri i verbër, nuk është i aftë të formojë konceptin e ngjyrave, sepse nuk i ka parë kurrë ato. Sendet dhe cilësitë e tyre ekzistojnë, por dija për to varet nga përvoja e subjekti që i percepton. Idetë tona, arsyeton ai, janë të kufizuara nga eksperienca. Ne e kemi të pamundur të zotërojmë eksperiencë, për çdo gjë që ekziston në botë. Loku pohon se pavarësisht se njohja jonë është e kufizuar, ne mund të jemi të sigurtë për disa gjëra. P.sh., për ekzistencën tonë jemi të sigurtë në mënyrë të padyshimtë dhe intuitive.

“Kemi njohje intuitive dhe perceptim të brendshëm dhe të pagabueshëm se, ne jemi” – shprehet Loku.
Teoria e njohjes e Lokut, pati rëndësi sepse pranoi aftësinë njohëse të njeriut, duke u përpjekur të përcaktojë kufijtë realë të saj. Loku pranon ekzistencën e Zotit, si qenia më e fuqishme dhe e përjetëshme, për të cilën njohja jonë është shumë e sigurt edhe pse shqisat nuk e perceptojnë. Ideja e Zotit, sipas tij, është rezultat i të pranuarit të Tij dhe jo i të vëzhguarit të drejtpërdrejtë.

Shteti dhe e drejta e pronës private
Loku, në teorinë e tij për shtetin, u nis nga periudha e primitivitetit, që ndryshe nga çfarë e përshkruan Hobsi, nuk ishte vetëm “luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”. Në gjendjen natyrore ekzistonte liria dhe barazia mes njerëzve, të cilët vendosën të “nënshkruajnë” kontratën shoqërore për krijimin e shtetit, jo vetëm për të siguruar paqen, por edhe për të mbrojtur më mirë të drejtat e tyre natyrore.

Në gjendjen primitive njerëzit drejtoheshin nga ligjet morale, por për shak të pakujdesisë ata shpesh i shkelnin këto rregulla. Loku thotë se mosmarrëveshjet rriteshin dhe çdo individ do të bëhej gjykatës i vetvetes dhe do të dëshironte të vendoste sipas interesit tij. Prandaj, lindi nevoja për të patur shtet, i cili do të vendoste ligjet dhe gjykimin e pavarur, të drejtë të konflikteve. Kalimi në statusin civil të shoqërisë, garantonte dhe legalizonte të drejtat e individit, mbi jetën, pronën private dhe për të gëzuar lirisht gjithçka që ai prodhonte nga kushtet natyrore, përmes punës së tij. Këto sipas Lokut, përbënin funksionet e shtetit dhe lidhen me konceptimin liberal të tij.

Në ndryshim nga sovrani absolut i Hobsit, Loku mendonte se “fuqia supreme”, duhej t’i takonte pushtetit legjislativ, që ishte zgjedhur nga shumica e njerëzve. Ai theksonte domosdoshmërinë e ndarjes së pushteteve, sipas funksioneve të ndryshme: legjislative ose parlamenti, ekzekutive ose mbreti dhe federative që lidhej me politikën e jashtme. Kjo ndarje është e rëndësishme, sepse njerëzit që administrojnë ligjet, mund t’i përshtasin në interes të tyre. Pushteti legjislativ, sipas tij, nuk ishte i pazëvendësueshëm, por bazohej në besimin që populli kishte në të. Nëse ky besim humbet, sepse qeveria nuk i shërben interesave të shumicës që e ka besuar, atëherë pranohet e drejta e rebelimit të njerëzve kundër saj. Kur shteti nuk është i aftë të mbrojë liritë dhe të drejtat për jetën, pronën dhe të mirat materiale, atëherë njerëzit duhet të ngrihen dhe të bëjnë rezistencë apo të zëvendësojnë qeverinë ekzistuese me një tjetër. Në ndryshim nga Hobsi, që “sovranin” e vuri nën gjykimin e Zotit, Loku e solli këtë pushtet më pranë popullit dhe gjykimit të tij.

Besimi dhe toleranca fetare
Thelbi i teorisë së Lokut lidhet me konceptin e tolerancës për besimin fetar. Shteti, nuk ka të drejtë të imponojë askënd lidhur me zgjedhjen e besimit. Pas luftërave fetare, kjo tolerancë u bë temë qendrore, sepse askush nuk duhej të kërcënonte paqen e shoqërisë për shkak të besimit në Zot, që ishte mjaft subjektiv dhe personal.

Sipas Lokut, shoqëria duhej të kishte platformë mirëkuptimi dhe bashkëjetese paqësore, mes njerëzve me pikëpamje të ndryshme fetare dhe politike. Ai ishte për ndarjen e shtetit nga kisha. Sipas Lokut ekzistojnë tre lloje ligjesh:
– Ligjet morale, të krijuara nga vetë njerëzimi, në bazë të cilave gjykohen sjelljet e moralshme nga të pamoralshmet. Loku pranon se është e vështirë të bësh këtë ndarje, sepse kultura të ndryshme kanë koncepte jo të njëjta mbi moralin dhe virtytin.
– Ligjet civile, të cilat krijohen nga shteti, për të garantuar të drejtat dhe liritë e individit. Zbatimi i tyre bëhet nga gjykata.
– Ligji hyjnor, që njeriu e njeh përmes arsyes dhe besimit. “Ligji hyjnor i është dhënë njeriut nga Zoti, për të qeverisur veten, prandaj unë mendoj -thotë Loku- që asnjëri nuk është kaq mosmirënjohës, sa ta mohojë këtë”.

 

Të gjitha ligjet e tjera duhet të jenë në përputhje me ligjin hyjnor. Shtetit i ndërtuar nga Loku mund të cilësohet si model liberal, që vendosi bazat e shtetit modern të ardhshëm, për disa arsye:
– Mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë natyrore dhe civile të njeriut.
– Parashikon ndarjen e pushteteve, për të ruajtur qeverinë nga korrupsioni.
– Pranon të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes.
– Është tolerant në drejtim të lirisë së besimit fetar dhe e shikon kishën të ndarë tërësisht nga shteti.

Reflekto dhe përgjigju
Pse Loku trajtohet si filozof empirist?
Ku e bazon Loku teorinë e tij të njohjes?
Cila është teoria e Lokut mbi shtetin dhe politikën?
Cilat ishin, sipas Lokut, funksionet e shtetit?
Pse themi se modeli i Lokut, vendosi bazat e shtetit modern liberal?

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Sipas Lokut, shoqëria duhej të kishte platformë mirëkuptimi dhe bashkëjetese paqësore, mes njerëzve me pikëpamje të ndryshme fetare dhe politike. Sillni opinionet dhe idetë tuaja, lidhur me tolerancën, si vlerë e një shoqërie demokratike. Jepni shembuj të bashkëjetesës fetare, duke marrë si model vendin tonë dhe duke e krahasuar atë me vendet e tjera europiane. Mund të themi të njëjtën gjë për tolerancën ndaj bindjeve politike? Analizoni faktorët që kanë ndikuar tek populli ynë, në formimin e këtyre qëndrimeve.

Jepni opinionin tuaj
Argumentoni në formën e një eseje, idenë e Lokut, se: “Qëllimi i rendit politik është të ruajë lirinë e njeriut”. Bazohuni në pyetjet e mëposhtëme:
Çfarë kupton Loku me liri të njeriut?
Pse themi se ai ka koncept modern liberal, mbi formën e qeverisjes?
Si e mendoni ju rolin e shtetit në mbrojtje të të drejtave të individit?

 

Konkretizoni idetë tuaja nga realiteti i politikës në vendin tonë.