Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 5
Filozofia arabe, Avicena, përfaqësuesi i saj
Filozofia myslimane si sintezë mes besimit dhe arsyes
Filozofia arabe, sikurse i gjithë mendimi i Mesjetës, ishte përpjekje për të sintetizuar besimin me arsyen. Bota myslimane kishte përkthyer në gjuhën arabe, veprat filozofike dhe shkencore të lashtësisë greke. Kështu p.sh., mendimtarë të shquar, si: Avicena, Averrroes etj., interpretuan veprat e Aristotelit, të cilat më pas, u përkthyen në latinisht dhe u përhapën në Europën e krishterë. Këto interpretime u përdorën nga autorë të shumtë europianë, një prej të cilëve ishte Shën Akuini. Shpjegimi që dijetarët arabë të Mesjetës i bënë veprës së Aristoteli, ishte i ndryshëm nga ai i filozofëve të krishterë. Këto punime patën vlerë të madhe për të kuptuar më mirë këtë mendimtar, si edhe për të harmonizuar mes tyre filozofinë dhe besimin.
Avicena (980-1037)
Ibn Sina ose Avicena, siç e quajtën europianët, lindi pranë Buharasë, në Persinë e atëhershme, sot Uzbekistani. Ai ishte fëmijë me inteligjencë të jashtëzakonshme. Studioi gjeometri, logjikë, fizikë, drejtësi, teologji dhe mjekësi. Në moshën 16 vjeçare u njoh si mjek praktik dhe u bë shumë i famshëm. Kur ishte vetëm 17 vjeç, kuroi me sukses sundimtarin e asaj kohe Nuh ibn Mansur, nga një sëmundje e shumë e rëndë. Si shpërblim i riu kërkoi të përdorte bibliotekën e pasur të mbretit. Avicena bëri shpikje të rëndësishme në mjekësi, të cilat përdoren edhe sot. Ai dha ndihmesë edhe në shumë fusha të tjera, si: fizikë, teologji, matematikë, astronomi, muzikë etj. Filloi të shkruante në moshën 21 vjeçare dhe është autori i më shumë se 200 veprave. Më kryesoret janë: “Libri i shërimit”, “Kanoni i mjekësisë”, “Udhëzime dhe memo” etj. Ai u mbështet në idetë aristoteliane për ekzistencën e përjetëshme të universit. Kjo pikëpamje binte në kundërshtim me islamizmin, i cili mendon se bota ka fillimin e saj dhe është e krijuar nga Zoti. Avicena krijoi doktrinën e tij për krijimin e gjithësisë, duke ndërthurrur filozofinë e Aristotelit, me neoplatonizmin. Ai pranon ekzistencën e shkakut të parë dhe të domosdoshëm në krijimin e gjithçkaje. Ky shkak i parë, që vjen nga vetvetja, është Zoti. Në këtë teori u mbështet Shën Akuini, në provën e tij të tretë, për ekzistencën e Zotit. Sipas Avicenës, Zoti nuk ka fillim dhe është në veprim të përhershëm, duke i dhënë jetë qenieve në mundësi.
Në ndryshim nga Aristoteli, që shpirtin e konsideronte si formën e trupit dhe të pandarë prej tij, Avicena si dualist, i shikon ata të ndarë nga njëri-tjetri. Sikurse Platoni, që e quante trupin si burgun e shpirtit, ai përpiqet të vërtetojë natyrën e ndryshme që kanë këto dy substanca. Shpirti apo vetja, pohon ai, nuk mund të jenë pjesë e botës materiale. Sipas Avicenës, në ndryshim nga trupi, shpirti është i pavdekshëm. Kjo binte në kundërshtim me teorinë fetare, që pranonte ringjalljen e njeriut (si një i tërë) në botën e përtejme. Duke u mbështetur në teorinë neoplatonike të hierarkisë së qenieve, Avicena vendosi:
– Zotin në krye, si inteligjenca më e lartë dhe e kulluar,
– hierarkinë e engjëjve,
– intelektin aktiv, i cili krijon shpirtrat individualë të njerëzve.
Kjo ide përforcohet në teorinë e njohjes.
Me anë të shqisave marrim informacion të pjesshëm për gjëra konkrete të botës materiale. Ndërsa, përmes intelektit abstragojmë nga realiteti dhe arrijmë në përgjithësime. Avicena mendonte se njeriu nuk mund të njohë thelbin e gjërave. Mendja njerëzore është e aftë të njohë, por jo gjithmonë ajo njeh. Fuqinë për të mbërritur në thelbin e njohjes e ka vetëm intelekti aktiv, që ndriçon mendjen e njerëzve. Pas vdekjes shpirti mund të arrijë shkallë më të larta përsosmërie dhe njohjeje, sepse kthehet përsëri në burimin e tij, në intelektin aktiv. Në shek. XII, vepra e Avicenës u përkthye në latinisht dhe bë e njohur në radhët e filozofëve dhe teologëve të krishterë. Megjithë kritikat për dualizmin e tij (ndarjen e trupit nga shpirti), që binte ndesh me Biblën dhe librat e shenjtë, ata mbështetën idenë e tij për shpirtin e pavdekshëm. Në vitin 1640, filozofi i shquar Dekart, do t’i kthehej përsëri idesë së dualizmit trup – shpirt, duke arritur në të njëjtat përfundime me Avicenën: “uni”, vetja ose shpirti është i ndryshëm nga trupi dhe në dallim nga ai, është i pavdekshëm.
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Gjeni pikat e përbashkëta dhe dallimet mes ideve të filozofëve të mëposhtëm.
Akuini
Avicena
Aristoteli
Reflekto dhe përgjigju
Cila është ndihmesa e Avicenës në filozofinë e Mesjetës?
Si e konceptonte ky filozof raportin e trupit me shpirtin?
Ku qendron lidhja mes filozofisë së Avicenës dhe pasardhësve të Platonit?
Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni në mënyrë të pavarur idenë e Avicenës: “Shpirti është i ndarë nga trupi”. Duke u bazuar në njohuritë e marra në lëndën e filozofisë, si dhe në lëndë të tjera apo në përvoja personale, argumentoni sa më qartë idetë për këtë çështje.