Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 6 Mësimi 5: Volteri dhe idetë e tij iluministe

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 6 Mësimi 5

Volteri dhe idetë e tij iluministe

Toleranca dhe besimi
Volter (Fransua –Mari Arouet – Voltaire) lindi më 1694 në Paris. Kur mbushi 10 vjeç u regjistrua në kolegj Jezuit ku studjoi deri në vitin1710. Që në moshë të vogël, u dallua për inteligjencën e jashtëzakonshme, prirjen e tij për poezi dhe talentin e rrallë prej satiriku. Edukimi që mori nga i ati, i cili ishte jurist, si dhe miqësia me shokët e kolegjit, bënë që Volteri të afrohej me disa nga qarqet liridashëse të kohës.

Volteri punoi për disa vite si jurist në Paris, por pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke shkruar vjersha satirike, që ishin dhe pasioni i tij. Ai shkroi tragjedinë “Edip”, që i siguroi shumë të ardhura dhe e bëri të njohur në qarqet e aristokracisë. Në këtë kohë iu dha mundësia të afrohej në oborrin mbretëror.

Për idetë e tij shumë liberale, në moshën 30 vjeçare, e mbyllën dy javë në burgun e Bastijës, duke ia ndaluar qëndrimin në Paris. Volteri më pas largohet në Angli, ku qëndron për tre vjet. Kjo është pikërisht koha e burrërimit dhe e formimit të tij, si personalitet dhe filozof. Atje, mësoi shumë mirë anglishten, lexonte dhe studjoi në disa degë të shkencës dhe dijes. Qëndrimi në Angli pati rol përcaktues në formimin ideopolitik të Volterit. Nga bashkëkohësit u tha, se Volteri shkoi në Angli si poet, por u kthye filozof. Ai jetoi tre vjet në oborrin e monarkut të Prusisë dhe më pas në Zvicër. Në vitin 1778, u kthye në Paris dhe po në këtë vit vdiq. Klerikët katolikë nuk pranuan që kundërshtari i tyre të varrosej pranë kishave të Parisit. Trupi i tij u varros në Shampanjë. Në vitin 1791, arkivoli me eshtrat e Volterit u soll në Paris dhe u nderua në sheshin e Bastijës, mbi grumbullin e gurëve të kështjellës (burgu i shkatërruar). Me nderime të jashtëzakonshme, u çua në Panteon ku prehet edhe sot. Volter është simbol i iluminizmit dhe përfaqëson modelin francez të filozofit të kësaj periudhe. Ai është i njohur si shkrimtar, që ndërhyn në debatin politik të kohës dhe ka botuar libra dhe artikuj mbi probleme politike dhe morale të kohës. E gjithë puna e këtij njeriu të madh, është përmbledhur në 90 vëllime.

Tek Volteri nuk gjejmë një doktrinë të plotë filozofike, por ai pati idetë e tij origjinale dhe shumë përparimtare për kohën. Ndjenjat e larta të qytetarisë i shohim të kombinuara me etjen për pasuri dhe idetë e tij të mrekullueshme për përparim. Volteri ka dhënë ndihmesë të çmuar në letërsi, ka shkruar: poezi, poema lirike, poema satirike, drama, tragjedi, komedi, skica e novela letrare, filozofike etj.

Romanet dhe tragjeditë e shkruara prej tij, janë fushata të fuqishme publicistike për krijimin e shpirtit të ri. Gjithashtu ka shkruar vepra historike me shumë vëllime, artikuj për shkencën dhe filozofinë dhe së bashku me Didronë punoi për “Enciklopedinë”. Kryevepra më e lexuar e Volterit është “Kandid”, një novelë filozofike, ku ai është përpjekur të harmonizojë dy anë të tij: optimizmin vetjak dhe pesimizmin historik. Këtë vepër e përshkon ideja se individi ka të drejtë të jetojë dhe veprojë, ashtu siç dëshiron dhe të realizojë atë që dëshiron. Sipas tij, jeta duhet marrë ashtu si të vjen dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët dhe jetën e të tjerëve. Ai është kundër egoizmit dhe merr në mbrojtje mirëkuptimin mes njerëzve.

Volteri dhe koncepti i tolerancës
Beteja për tolerancën mbeti mendimi më i ngulitur gjatë jetës së Volterit, sepse sipas tij, ajo është themeli i lirisë së mendimit. Ky koncept i papranueshëm për kishën, e ndëshkoi me disa ditë burgim në kështjellën e Bastijës. Ky ishte momenti kur Volteri shpalli përfundimisht armiqësinë me kishën, si kundërshtare të hapur të ideve të tij. Në këtë periudhë, kisha mbronte me çdo mënyrë idenë e shpjegimit të zanafillës së botës, duke ndëshkuar rreptë çdo kundërshtar të saj. Britma e luftës së Volterit kundër kishës, e përmendur shpesh në letrat e tij, ishte: “Ta shtypim të poshtrën”! Volter, i frymëzuar nga një histori e vërtetë, shkruan “Traktatin e tolerancës”, në të cilin ai parashikoi ekstremizmin fetar, që në ditët e sotme është bërë kërcënim për sigurinë dhe paqen në botë. Libri shpalos idetë përparimtare të Volterit, duke ilustruar me shembuj realë nga historia e popujve, mbi mënyrën sesi janë sjellë me besimin dhe rëndësinë e tolerancës. Volter e quan fanatizmin sëmundje për mendjen e njeriut, që kur ajo zë vend, vetëm të këqija mund të sjellë për shoqërinë. Duke u ngritur kundër paragjykimeve dhe dogmave fetare ky libër, është një himn për lirinë, rëndësinë e dijes dhe përparimit.

Filozofia e historisë e Volterit
Në librat, artikujt dhe analizat e tij mbi shoqërinë, Volteri ka kritikuar mënyrën e studimit të mëparshëm të historisë. Sipas tij, historia nuk është rezultat i mrekullive të mbretërve, por duhen marrë parasysh njerëzit e zakonshëm dhe veprimet e tyre shoqërore. Volteri ironizon historianët, që mbivlerësojnë saktësinë e historisë së tyre, duke i etiketuar si të pacivilizuara historitë e kombeve të tjera. Historiani, duhet të mbështetet në fakte historike dhe jo në opinione, të cilat mund të shtrembërojnë ngjarjen e kaluar. Si çdo veprim në shoqëri, historia ka nevojë për arsyen dhe objektivitetin e historianit dhe jo për pasionet e tij. Historia e popujve të ndryshëm, nuk mund të përdoret si kriter i ndarjes së tyre, në popuj të zgjedhur apo në raca të ulta. Një histori objektive si shkencë, kërkon metoda të sakta dhe jo dëshira apo nxitje, të cilat humbasin mundësinë për të qenë shembull historik i atij kombi. Me të drejtë Volter mbahet si frymëzuesi ideologjik i revolucionit të madh francez, por edhe njëri prej personaliteteve më të spikatura të historisë botërore. Ai me veprën e tij ndikoi gjerësisht në botën shpirtërore dhe intelektuale të Europës.

Reflekto dhe përgjigju
Cili është koncepti i Volterit për tolerancën?
Si duhet studjuar historia sipas tij?
Cili është kriteri i vërtetësisë së gjykimit të historisë?

Debat dhe dialog
Klasa ndahet me grupe për të diskutuar temën: “Si e mendoni njeriun tolerant në shoqërinë e sotme?”
Jepni shembuj nga jeta juaj e përditshme. I listoni në tabelë cilësitë e njeriut tolerant.

Jepni opinionin tuaj
Shprehni me shkrim opinionin tuaj për pyetjen e mëposhtme:
Cilat mendime të Volterit, duhet të kenë parasysh historianët tanë, në studimin e periudhës së kaluar të diktaturës?