Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 1
Fillimi i filozofisë moderne. Racionalizmi dhe empirizmi
Kushtet e lindjes së dy rrymave filozofike
Epoka e racionalizmit ose e arsyes, gjatë shekujve XVII – XVIII, në Europë, u shoqërua me zhvillimin e shkencës, rritjen e tolerancës fetare dhe liberalizmit. Ajo shënoi fillimet e filozofisë moderne dhe rritjen e besimit ndaj arsyes njerëzore për zbulimin e të vërtetës. Dy doktrina kryesore, që shfaqen në këtë periudhë, janë: racionalizmi dhe empirizmi. Në dokrtinën e racionalizmit besohej se, dija është rezultat i arsyetimit deduktiv dhe intelektual. Shumë nga filozofët e njohur, si: Dekarti, Lajbnici, Paskali etj., ishin matematicienë të shquar. Ata mendonin se logjika matematike ishte rruga për të përftuar dijen e vërtetë. Besimi se njohja arrihej përmes arsyes, do të sundonte gjithë mendimin filozofik të Europës. Njëkohësisht, në Britani, u themelua një rrymë tjetër filozofike, empirizmi. Përfaqësuesit e kësaj doktrine besonin se e gjithë dija njerëzore, vjen nga përvoja. E përbashkëta mes dy rrymave (megjithë ndryshimet e tyre), ishte venia e njeriut në qendër të botëkuptimit filozofik. Njohja, duhej të bazohej tek arsyeja ose përvoja njerëzore dhe jo te dogmat e fesë. Kjo filozofi i dha goditje të rëndë autoritetit të kishës së asaj kohe dhe i hapi rrugën zhvillimit të shkencës moderne.
Lindja e shkencës moderne
Në vitet 1500 – 1600, në mendimin filozofik dhe shkencor europian ndodhi një ndryshim rrënjësor. Dolën shumë publikime të shkencëtarëve, si: Kepleri, Njutoni dhe Galileu, që krijuan imazh të ri për shkencën moderne. Shkenca nuk zhvillohej vetëm brenda universiteteve dhe jo detyrimisht në gjuhën latine. U rrit bashkëpunimi mes shkencëtarëve, të cilët filluan të punojnë të organizuar në institucione dhe shoqata kërkimore – shkencore. Paralelisht me këtë, ndryshoi edhe imazhi për shkencëtarin, i cili tashmë nuk kishte njohuri të padiskutueshme, që i përkisnin vetëm atij. Njohuritë shkencore iu nënshtruan eksperimentit dhe filluan të shprehen me gjuhë të kuptueshme për të gjithë.
Marrëdhëniet shkak – pasojë në natyrë
Në këtë periudhë ndryshoi mënyra e konceptimit të shkaqeve, që qendronin pas çdo dukurie. Sipas pikëpamjeve teologjike, që mbizotëronin deri në atë periudhë, rregulli në natyrë vendosej nga Zoti. Çdo gjë kishte një shkak final dhe ekzistonte sipas rendit të përcaktuar.
Me zhvillimet e reja shkencore, rendi natyror cilësohej si rastësor dhe ishte i bazuar në marrëdhëniet shkak – pasojë. Në saje të zinxhirit shkakësor, natyra ruante ekuilibrin e saj. Shkenca mund t’i studionte këto marrëdhënie dhe t’i përkthente ato në ligje dhe rregulla matematikore
Rrethanat historiko – sociale
Gjatë shekujve të XV-XVI, Europa kaloi krizë politike dhe fetare, që ndikoi shumë në mendimin filozofik të asaj kohe. Luftrat civile (si p.sh., në Angli) dhe ato me natyrë fetare (luftrat mes katolikëve dhe protestantëve), u shoqëruan me ndryshime në raportin mes besimit fetar dhe lirisë së ndërgjegjes. Feja filloi të shihej si çështje e besimit privat të individit. Për herë të parë u hodhën idetë rreth tolerancës dhe lirisë së ndërgjegjes. Megjithë konfliktet dhe problemet në planin politik, social dhe kulturor, filozofët rritën optimizmin dhe besimin tek fuqia e arsyes njerëzore. Ata filluan bashkëpunimin në rrugën e kërkimit të së vërtetës, përmes arsyetimit dhe reflektimit.
Filozofia racionaliste
Filozofia e shek. XVII, pasqyron fitoren e mendimit racional dhe shkencor ndaj dogmës së krishterë. Ishte fillimi i periudhës, që u njoh me emrin “Epoka e arsyes”. Arsyeja u integrua me dijen shkencore, duke i hapur rrugën ideve të reja në filozofi dhe shkencë. Revolucioni në mendimin filozofik, fillon nga racionalisti i parë francez, Dekart. E gjithë filozofia e mëtejshme perëndimore mund të shikohet si përgjigje ndaj ideve të tij. Metoda skeptike e Dekartit, synonte të hidhte poshtë çdo gjë që ngjallte dyshim (duke përfshirë shqisat, që shkaktonin iluzione). Pyetja e Dekartit, ishte: “Çfarë mund të njoh unë?” Ai besonte se njohja vjen vetëm nga arsyeja. Hollandezi Spinoza, është filozofi tjetër i racionalizmit. Teoria e tij quhet “moniste”. Ai pranonte ekzistencën e një lloj substance, nga e cila përbëheshin të gjitha sendet dhe që ne mund ta quajmë Zoti ose natyra. Lajbnici, racionalisti gjerman, krijoi teorinë metafizike me në qendër “monadat”, që ishin elemente të përjetshme dhe jomateriale. Ato vepronin sipas harmonisë hyjnore të paracaktuar nga vullneti i Zotit (monada supreme). Sipas Lajbnicit, Zoti rregullon çdo gjë në botë, në mënyrë deterministe.
Filozofia empiriste
Në këtë periudhë në Europë, u zhvillua rrymë tjetër filozofike, që ishte empirizmi britanik. Tre përfaqësuesit kryesorë të tij, janë: Loku, Hobs dhe Berkli. Loku ishte empiristi i parë që argumentoi se, të gjitha idetë tona rrjedhin nga eksperienca. Për pasojë, e gjithë njohuria që mund të arrijmë është e kufizuar, nisur nga fakti se thelbi i gjërave nuk mund të njihet apo të provohet. Në dallim nga racionalistët Loku besonte se mendja jonë kur lind, është tabula rasa (tabelë e bardhë) dhe e gjithë dija jonë vjen nga përvoja përmes shqisave. Ai besonte se njeriu lindte me të drejta të caktuara, të cilat i përshkruan në etikën e tij. Loku dhe filozofët Hobs dhe Ruso, njihen për teoritë e tyre të kontratës sociale. Këto ide, më vonë u bënë thelbi i ideve liberale që ndikuan te revolucioni francez. Hobsi, u shqua më shumë në filozofinë politike. Ai u bë i famshëm me veprën “Leviatani”, të cilën e shkroi në vitin 1651. Në këtë vepër, Hobsi arsyeton për lindjen e shtetit, si kontratë shoqërore, ku njerëzit pranuan të humbisnin liritë natyrore, kundrejt sigurimit të rendit dhe paqes. Empiristi i tretë britanik, ishte irlandezi Xhorxh Berkli, idetë e të cilit ishin më të skajshme në krahasim me përfaqësuesit e tjerë. Ai krijoi sistemin sipas të cilit, realiteti ekziston vetëm në mendjet dhe idetë e njerëzve. Sipas Berklit, një objekt ekziston vetëm nëse dikush është aty për ta perceptuar dhe ndierë atë. Pra, individët mund të arrijnë të njohin vetëm përmes përvojës, e cila na jepet përmes shqisave. Shprehja e tij, është: “Të ekzistosh, do të thotë të jesh i perceptuar” (lat. esse est percipi). Berkli përpiqet të kapërcejë kontradiktën në teorinë e tij duke pranuar se, Zoti është mendja e pafundme, që percepton çdo gjë, gjatë gjithë kohës, prandaj dhe objektet vazhdojnë të ekzistojnë.
Reflekto dhe përgjigju
Në cilat rrethana historike dhe shoqërore lindën rrymat filozofike të racionalizmit dhe empirizmit?
Çfarë kuptoni me racionalizëm dhe cilët janë përfaqësuesit më të rëndësishëm të tij?
Cilat janë veçoritë e empirizmit dhe filozofët që e përfaqësuan atë?
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Analizoni disa nga dallimet mes përfaqësuesve të racionalizmit dhe empirizmit, duke krahasuar idetë e tyre, lidhur me:
– vlerësimin e arsyes njerëzore, në arritjen e dijes filozofike dhe shkencore,
– mundësinë e njohjes njerëzore dhe vërtetësinë e saj,
– vlerësimin e përvojës së shqisave në njohjen e botës.
Jepni opinionin tuaj
Shprehni në formën e esesë argumentuese, mendimin tuaj rreth temës: “Filozofia moderne pasqyron fitoren e mendimit racional dhe shkencor, për dogmën e fesë”.