Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 2 Mësimi 1: Rrethanat e lindjes së filozofisë në periudhën romake

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 2 Mësimi 1

Rrethanat e lindjes së filozofisë në periudhën romake

Periudha helenistike dhe tiparet e saj
Periudha helenistike, fillon me vdekjen e Aleksandrit të Madh, në vitin 323 p.e.s., deri në pushtimin romak të mbretërisë së Egjiptit, në vitet 31-30 p.e.s. Gjatë kësaj periudhe vihet re një qytetërim i ri, që gërsheton elementet e kulturës greke me ato të vendeve të Lindjes. Pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh, ndodhën shumë ndryshime në strukturën politike të shteteve.
– Së pari, dobësimi i qytetërimit grek, për shkak të konflikteve të brendshme, mes qytet – shteteve.
– Së dyti, krijimi brenda pellgut të Mesdheut, i mbretërive të mëdha të fuqishme të: Maqedonisë, Pergamit, Epirit, Sirisë dhe Egjiptit. Kryeqyteti i Egjiptit, Aleksandria, u kthye shkallë – shkallë në qendrën e kulturës së lashtësisë, në sajë të Muzeut dhe Bibliotekës së mirënjohur. Qendra e përhapjes së filozofisë dhe mësimdhënies së saj, vazhdoi të mbetej Athina. Pas daljes së platformave të mëdha teorike të Platonit dhe Aristotelit, filozofia mori një drejtim tjetër, për shkak të ndryshimeve historike dhe gjeopolitike të kohës. Pas luftës së Peloponezit (betejat mes Spartës dhe Athinës, në vitet 431- 404 p.e.s.), qytetërimi grek u dobësua shumë dhe njerëzit u bënë të pasigurt për të ardhmen e tyre.

Fuqizimi i pushtetit të Romës
Në fund të shek III p.e.s., u shfaq pushteti romak, me gjithë fuqinë politike dhe ushtarake. Ky pushtet u konsolidua në fillim të shek. II p.e.s. Me fitoret e ushtrisë romake, kjo perandori shtriu kontrollin e saj mbi zonat bregdetare të Mesdheut, deri në Siri dhe Egjipt. Perandoria romake shpesh tronditej nga revolta të brendshme popullore. Pakënaqësia lidhej kryesisht me taksat e shumta, të cilat mblidheshin për të mbuluar shpenzimet e mëdha të kryeqytetit. Trashëgimia e gjerë kulturore e qytetërimit helenistik, ndikoi shumë në kulturën romake, e cila deri në atë kohë nuk shquhej për zhvillim cilësor. Pjesa më e madhe e intelektualëve grekë, u transferuan në Romë ku mund të kishin sukses dhe të bëheshin të famshëm.

Lindja e një qytetërimi të ri: Nga helenizmi në Romë
Në këtë periudhë mund të flasim për një botë kulturore helenistikeromake. Shumë nga aristokratët romakë ribotuan në gjuhën e tyre pjesë të rëndësishme të veprave artistike greke. Arti romak u ndikua nga kultura klasike greke, nga e cila mori disa elemente të rëndësishme si: ndërtimin e sheshit qendror të qytetit (agora), disa lloje ndërtesash publike, teatrot etj. Megjithatë funksionimi politik dhe social i perandorisë romake, ndryshonte nga Greqia e vjetër. Nuk kishte qytet – shtete të vogla dhe të pavarura. Organizimi kishte në bazë kryeqytetin dhe qytetet e vogla të rrethinave. Romakët ndërtuan objekte të rëndësishme inxhinierike, si: ujësjellës, rrugë dhe qytete të reja. U realizuan disa vepra kulturore, si: harqe, tempuj, amfiteatra etj., jo vetëm në Romë, por në të gjithë Europën. Në këtë kohë, Greqia ishte shumë e zhvilluar nga ana kulturore, por ishte e dobët ushtarakisht. Në vitin 146 p.e.s., ajo u bë provincë e Romës. Qytetarët e thjeshtë grekë humbën çdo interes ndaj teorive filozofike, që kishin të bënin me një shoqëri ideale. Ata filluan të kërkojnë ide më praktike për të përballuar jetën reale.

Katër shkollat filozofike dhe skepticizmi
Në këtë periudhe, përveç dy shkollave ekzistuese, Akademisë së Platonit dhe Liceut aristotelian, në Athinë lindën edhe dy shkolla të reja: shkolla stoike, e themeluar nga Zenoni dhe shkolla Epikuriane. U krijua një rrymë e mendimit filozofik, e quajtur skepticizëm, e cila lidhej fillimisht me emrin e e Pirronit. Megjithëse përfaqësonin drejtim të ri, ato bazoheshin edhe te filozofia paraardhëse. Kështu p.sh., Epikuri mori nga Demokriti teorinë atomiste mbi natyrën, stoikët u mbështetën tek kuptimi i Heraklitit mbi zjarrin, ndërsa skeptikët ndërtuan një metodë studimi të bazuar mbi dyshimin sokratik. Filozofët e kësaj periudhe ishin në zbulim të rrugëve drejt qetësisë shpirtërore dhe lirisë personale të individit. Ata kërkonin të përdornin dijet filozofike, për të treguar mënyrën sesi arrihej kënaqësia dhe lumturia në jetë. Ky drejtim i ri i filozofisë, ndikoi në popull, sepse nuk zhvilloi dije që i takonin vetëm një elite të zgjedhur filozofësh. Ato, iu drejtuan njerëzve të thjeshtë, duke i ndihmuar të largonin frikën dhe ankthin gjatë jetës. U përpunua një filozofi me karakter moral, përmes së cilës njerëzit do të jetonin të sigurtë, do të ishin më pozitivë dhe praktikë ndaj dukurive sociale dhe njerëzore, si: dhimbja, vuajtjet dhe vdekja.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat ishin rrethanat historike dhe shoqërore që përcaktuan drejtimin e ri që mori filozofia?
Tregoni disa nga shkollat e reja filozofike, që lindën në Athinë dhe Romë, si pasojë e ndryshimeve në kohë.
Cili ishte roli që luajti filozofia gjatë periudhës helenistike – romake?

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Organizoni në klasë një diskutim, për rolin e ri të filozofisë gjatë periudhës romake, si reflektim i krizës së besimit të qytetarëve. Jeni të mendimit se dija filozofike, mund t’i shërbente njerëzve, për të arritur jetë të ekuilibruar? Sillni argumente bindëse, për të mbrojtur qëndrimin tuaj.

Jepni opinionin tuaj
Duke analizuar krizën morale dhe shoqërore që kalojnë shtetet në situata të ndryshme, shprehni me shkrim idenë tuaja për rolin që mund të luajnë filozofia dhe shkencat e tjera sociale, në kohën e sotme.