Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 1 Mësimi 3: Refleksioni filozofik si synim drejt së vërtetës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 4

Refleksioni filozofik si synim drejt së vërtetës

Kuptimi për refleksionin filozofik
Filozofia është përpjekur gjithnjë për gjetjen e së vërtetës drejt lumturisë, ruajtjes së pastërtisë dhe qetësisë së shpirtit njerëzor, në luftë kundër vesit. Kjo ishte detyrë e vështirë sidomos për çështje që as shkenca e as feja nuk jepnin shpjegim. Edhe pse filozofët ishin mendjet më të fuqishme për kohën, ata kishin shumë pikëpyetje që i shqetësonin dhe u shkaktonin habi. Ishte kjo “habi filozofike” që i shtyu të kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre, sigurisht të kufizuar nga niveli i zhvillimit të shkencës dhe shoqërisë. Jo çdo lloj mendimi mund të quhet refleksion. Shpesh veprojmë pa pasur ide të qarta dhe më pas analizojmë pasojat e veprimeve tona. Aftësia për të shtruar pyetje lidhur me një çështje të caktuar, për të kundërshtuar, për të ngritur hipoteza dhe për të gjetur argumente është fillimi i procesit që në filozofi quhet refleksion filozofik. Refleksioni filozofik ka si objekt vetë aktin e të menduarit, duke vënë në dyshim shpesh gjëra shumë të thjeshta. Idetë e reja lindin përmes diskutimit, shqyrtimit, analizës dhe kritikës së ideve të njerëzve të tjerë. Debati filozofik e ka çuar mendimin drejt ideve të reja, ndoshta edhe pa zgjidhje përfundimtare. Një nga filozofët e lashtësisë, i cili ka mbetur simbol i dialogut dhe i debatit filozofik, është Sokrati. Ai i nxiste vazhdimisht pasuesit e tij që ta kundërshtonin dhe të jepnin arsyetimet e tyre, për të arritur te thelbi i së vërtetës. Që të lindë refleksioni filozofik duhet të ekzistojë shqetësimi intelektual rreth një problemi të caktuar. Sipas Sokratit të zgjosh një shpirt drejt filozofisë, do të thotë t’i mësosh atij tronditjen. Që kjo “tronditje” të lindë, duhet të ekzistojë problemi, sepse mendimi filozofik, lind për t’iu përgjigjur një pyetjeje ose shqetësimi njerëzor. Disa nga çështjet që dhe sot vazhdojnë të shqetësojnë vetëdijen njerëzore janë:
Nga se përbëhet gjithçka?
A ekzistojnë gjërat pavarësisht nga ne, apo varen nga perceptimi ynë?
A ekziston forca e mbinatyrshme dhe nëse po, çfarë marrëdhënie ka ajo me botën dhe njerëzit?
Cila është lidhja mes trupit dhe shpirtit?
A mund t’i njohim gjërat dhe cilat janë rrugët që të çojnë tek e vërteta?
Për ata që besojnë se përgjigjet lidhen me fuqi të mbinatyrshme dhe superiore ndaj inteligjencës njerëzore, duket e kotë metoda e refleksionit filozofik. Këta besimtarë jetojnë në shoqëri ku individët ndajnë opinione të ndryshme. Për të vërtetuar tezat e ndryshme, duhet të përdoret forca e argumentit.

Rëndësia e refleksionit filozofik
Filozofia nuk imponon ide. Ajo ka për qëllim të nxisë refleksionin tek të gjithë, me qëllim që çdo individ të përpiqet të zbulojë të vërtetën. Refleksioni filozofik ka funksion të dyfishtë: Shërben për të vlerësuar në mënyrë kritike gjykimet e të tjerëve. Mbron pavarësinë e gjykimeve tona nga besimet dhe nga paragjykimet sociale. Në këtë kuptim, refleksioni filozofik ndihmon në formimin e profilit personal, aktiv dhe jokonformist, të aftë të bashkëveprojë me të tjerët në një botë komplekse. Kjo mënyrë të arsyetuari të ndihmon të jesh qytetar i mirë, kritik dhe aktiv, të ndihmon të shprehësh pa ndrojtje mendimet, duke përdorur lirinë e fjalës dhe të mendimit. Të shijosh filozofinë si art i të menduarit, do të thotë të ndiesh gëzimin e hulumtimit dhe të zbulimit të ideve të reja, që nuk i kemi huazuar, nuk na janë diktuar nga të tjerët, por tek të cilat kemi arritur përmes arsyetimit tonë.

Raporti i mitit me arsyen në lashtësi
Rreth 2500 vjet më parë, në Greqinë e lashtë, lindi mendimi filozofik si reagim ndaj gjithçkaje të panjohur, që e rrethonte njeriun dhe si kureshtje për të mësuar më shumë për botën dhe veten. Filozofët e vërtetë nuk do t’i kërkonin shpjegimet në mite dhe legjenda mbi perënditë, por do të përdornin intelektin dhe fuqinë e arsyes. Kështu p.sh., në filozofinë e Platonit, mbizotëronin argumentet racionale, që ishin gjithnjë objekt i rishikimit dhe zhvillimit. Në këtë proces kërkimi ai nuk pranonte se ishte i frymëzuar nga fuqi hyjnore, por ia kushtonte gjithçka fuqisë së arsyes. Shumë dijetarë gjatë kësaj periudhe, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të tyre, u përpoqën të gjejnë të përbashkëtat mes fuqisë së mbinatyrshme dhe arsyes njerëzore.

Reflekto dhe përgjigju
Ç’kuptoni me refleksion filozofik?
Si e kuptoni debatin filozofik përmes pikëpamjeve të kundërta?
A mendoni se metoda e debatit sjell zhvillim? Kur mund të ndodhë e kundërta?
Çfarë kuptoni me fjalën – “mit”?
Cili është dallimi i “mitit” me mendimin shkencor filozofik?

Debat dhe dialog
Analizoni paragrafin që lexuat në tekst:
Të shijosh filozofinë si art i të menduarit do të thotë të ndiesh gëzimin e hulumtimit dhe të zbulimit të ideve të reja, që nuk i kemi huazuar, nuk na janë diktuar nga të tjerët, por tek të cilat kemi arritur përmes arsyetimit tonë.
Diskutoni të ndarë në grupe rreth fjalisë: “Refleksioni filozofik ruan pavarësinë e gjykimeve tona nga besimet dhe paragjykimet sociale”.
Përpiquni të sillni sa më shumë argumente, deri në shterimin e tyre nga pala kundërshtare. Sillni shembuj konkretë të refleksioneve tuaja, gjatë jetës së përditshme.

Jepni opinionin tuaj
Shkruani një ese me temë: “Refleksioni filozofik të ndihmon të jesh qytetar i mirë, kritik dhe aktiv, që shpreh pa ndrojtje mendimet, duke përdorur në mënyrë racionale lirinë e fjalës dhe të mendimit”. Përdorni njohuritë e marra gjatë orëve të filozofisë, duke i ndërthurur ato me formimin tuaj të mëparshëm në lëndën e qytetarisë, si dhe me përvojën personale.