Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 4 Mësimi 9: Filozofia e Kampanelës dhe utopia e tij

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 9

Filozofia e Kampanelës dhe utopia e tij

Jeta dhe formimi si filozof i Kampanelës
Tomazo Kampanela (Campanella Tommaso, 1568 -1639), lindi në Kalabri të Italisë. Në moshën 14 vjeçare, për shkak të devotshmërisë që tregonte ndaj besimit të krishterë, prindërit e rregjistruan në Urdhërin Domenikan. Për 10 vjet udhëtoi nëpër Itali, i etur për të njohur sa më shumë rreth vendit të tij. Studioi shkenca ekzakte, nën ndikimin e Galileo Galileit (në Padova ishte nxënës dhe mik i afërt i tij) dhe filozofi, nën ndikimin e filozofisë platoniste, me të cilën ra në kontakt gjatë qëndrimit në Firence. U akuzua disa herë për përdorim të dijeve të fshehta, që binin në kundërshtim me doktrinën fetare. Për këtë arsye, e detyruan të kthehej në Kalabri. Në vitin 1598, Kampanela ishte në krye të kryengritjes popullore kundër shtypjes spanjolle. U arrestua me akuzën e rebelimit ndaj autoriteteve dhe u dënua me 27 vjet burg. Gjatë viteve që kaloi në burg, 1599 – 1626, ai shkroi disa vepra të rëndësishme, si: “Apologjia pro Galileut”, në të cilën mbronte lirinë e shkencëtarëve dhe filozofëve, shkrimin politik “Qyteti i Diellit”, “Metafizika” etj. Në vitin 1629, ai fitoi lirinë. Në 1634, akuzohet përsëri për komplot kundër Spanjës, prandaj largohet nga Italia drejt Francës. Atje u prit nga mbreti Luigji XIII. Vitet e fundit të jetës ia përkushtoi përsëri shkrimit të veprave, me natyrë kryesisht politike, derisa vdiq në vitin 1639.

Teoria e njohjes në filozofinë e Kampanelës
Kampanela arsyeton se të gjitha objektet , qeniet kanë ndjesi (yjet, metalet, gurët, bimët, kafshët dhe njeriu), si një frymë universale që udhëhiqet nga Zoti në të gjithë veprimtarinë e saj. Kjo ndjeshmëri, e cila lidhet me ekzistencën e shpirtit tek qeniet, është në shkallë të ndryshme përsosmërie. Kështu p.sh., kafshët kanë shkallë më të lartë ndjesish në krahasim me metalet apo bimët, por ndodhen më poshtë se njeriu, tek i cili shpirti arrin një formë të lartë përsosmërie. Kjo i jep atij mundësinë të bëjë arsyetime nga më të ndërlikuarat dhe të njohë botën në mënyrë racionale. Mbi të gjitha, mendja ose arsyeja është e ndriçuar nga forca hyjnore, ose Zoti, si dimension specifik i Tij dhe si model i shpirtit tonë. Kampanela mendon se njohja njerëzore nuk mund të bazohet tek shqisat. Natyra, sipas tij njihet duke u bazuar në parimet e brendshme të saj dhe çdo qenie njihet përmes shpirtit. Vetëm njeriu njihet jo vetëm përmes shpirtit, perceptimeve dhe pasioneve, por dhe përmes mendjes, që ndryshe nga shpirti, ka origjinë hyjnore. Sipas Kampanelës, ekzistenca e qenieve më të larta, bazohet në tre parime të rëndësishme, si: fuqia, urtësia dhe dashuria. Te Zoti të tre parimet janë në formën më të lartë dhe të përsosur, ndërsa te qeniet e fundme si njeriu, ato kufizohen nga të kundërtat e tyre, si: pafuqishmëria, injoranca dhe urrejtja. Këto të fundit janë shkaku i mungesës së arsyes dhe të keqes në botë. Bazuar në këto parime, Kampanela propozon një reformë për unifikimin dhe rinovimin e fesë dhe politikës.

Sipas Kampanelës, dashuria për Zotin është e lindur në mënyrë natyrale tek krijesat e tij. Kështu, mund të flitet për një fe natyrore, e cila u bë e vetëdijshme përmes fesë së krishterë, që është manifestimi i kësaj dashurie. Për këtë arsye feja e krishterë është superiore ndaj feve të tjera. Kampanela krijoi modelin e shoqërisë ideale, duke i konkretizuar idetë e tij në atë që e quajti, “Qyteti i Diellit”. Në këtë vepër me natyrë politike, përshkruan rrugët që duhen ndjekur për të shkuar në shoqërinë e bazuar në arsyen. Kampanela u përpoq ta përshtaste teorinë e tij me Europën e asaj kohe. Si kusht të parë Kampanela vendosi kapërcimin e ndasive dhe konflikteve fetare dhe pranimin e krishtërimit si fe botërore. Ai pretendoi të bashkonte të gjithë njerëzimin në një komunitet të përbashkët fetar nën besimin e krishterë, të rilindur dhe të rinovuar. Ai u caktoi si detyrë monarkive të mëdha europiane, të ishin “krahu i armatosur” në krijimin e njëlloj teokracie universale. Nga ana tjetër, ai na prezantoi vizionin e tij për qeverisje botërore, të unifikuar dhe paqësore. “Qyteti i Diellit”, sipas Kampanelës, ishte struktura e përsosur e shtetit. Në krye do të ishte papa, ose Dielli, që mishëronte tre parimet fillestare: pushtetin, urtësinë dhe dashurinë. Ligji i vetëm në botë duhej të ishte kristianizmi, që do të mundësonte qeverisjen ideale, harmoninë dhe paqen. Të gjitha ligjet e tjera specifike të shtetit, do të ishin në përputhje me të. Sipas tij, në “Qytetin e Diellit” do të kishte harmoni dhe barazi mes qytetarëve. Klasat shoqërore dhe ndarja e punës (mendore dhe fizike) nuk do të zhdukeshin, por asnjë profesion nuk do të quhej i turpshëm. Secili do të punonte në atë çfarë dinte të bënte më mirë dhe do të respektohej nga të tjerët. Puna e përbashkët e të gjithëve, do mundësonte që qytetarët të punonin vetëm katër orë në ditë. Askush nuk do të zotëronte asgjë, pra nuk do të kishte pronë private. Gjithçka do të ishte e përbashkët, që nga shtëpitë, ushqimi dhe deri tek gratë dhe fëmijët.

Marrëdhënia mes burrave dhe grave do të ishte e bazuar më shumë tek respekti dhe miqësia, sesa tek tërheqja seksuale. Filozofi ishte i shqetësuar për brezin e ri dhe edukimin e tyre me virtyte morale nga prindërit. Mungesa e edukimit të mirë sillte vetëm vuajtje dhe rrënim. Sipas tij, arsimimin e qytetarëve, si vlerë e rëndësishme e shoqërisë, do ta merrte në ngarkim shteti.

Reflekto dhe përgjigju
Si e ka ndërtuar Kampanela teorinë e tij të njohjes?
Cila ishte reforma që Kampanela propozoi në drejtim të fesë?
Çfarë përfaqësonte “Qyteti i Diellit” i modeluar nga ky filozof?
Cilat janë disa nga anët utopike të këtij modeli?

Debat dhe dialog
Organizoni në klasë debat të strukturuar rreth idesë së Kampanelës, për ekzistencën e besimit të lindur te Zoti. A ndani ju të njëjtin mendim me të? Sillni argumente bindëse (po, jo) lidhur me këtë ide.

Jepni opinionin tuaj
Shkruani ese ku të argumentoni idenë, se: “Feja është çështje besimi i çdo individi dhe nuk mund të unifikohet”.