Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 5 Mësimi 5
Sofistët dhe kritika ndaj mendimit njerëzor
Gjatë shekullit të V p.e.s., Athina nën drejtimin e Perikliut (445-429 p.e.s.), u bë një nga qytet-shtetet më të rëndësishme të Greqisë. Si qendër e kulturës dhe artit, tërhoqi pranë saj njerëz nga të gjitha anët e vendit. Një pjesë e të ardhurve në qytet ishin mësuesit shëtitës, të cilët u mësonin qytetarëve (kundrejt pagesës), artin e oratorisë dhe retorikës. Fuqia e të folurit në mënyrë të qartë dhe bindëse, kishte rëndësi të veçantë në Athinën demokratike. Shumë qytetarë dëshironin të ngjiteshin në shkallët e hierarkisë politike. Këta filozofë të ardhur, e quajtën veten sofistë ose “intelektualë” (nga fjala greke sophos, që do të thotë i urtë). Meqenëse sofistët kishin jetuar në vende të ndryshme, kishin njohuri enciklopedike rreth kulturave dhe zakoneve të popujve. Përvoja dhe njohuritë i ndihmuan të kërkoheshin për përgatitjen e qytetarëve të rinj athinas. Disa nga sofistët më të njohur janë: Protagora (Protagoras) nga Abdera e Thrakës, Gorgiasi (Gorgias) nga Leontiumi i Siçilisë së Jugut, Trasimaku (Thrasymachus) nga Kalcedoni etj. Protagora, është një nga përfaqësuesit më të shquar dhe më me ndikim i kësaj rryme filozofike. Ai u bë këshilltar i Perikliut, gjatë kohës së sundimit të tij në Athinë. Sipas legjendës, Protagorën e paditën si të pafe dhe ia dogjën të gjitha shkrimet, nga të cilat kanë mbijetuar vetëm disa fragmente. Meqënëse Athina qeverisej në mënyrë demokratike dhe kishte një sistem ligjor të konsoliduar, çdo individ mund të mbrohej në rrugë gjyqësore për të kërkuar të drejtën e tij. Në mungesë të avokatëve mbrojtës, këtë rol filluan ta luanin disa nga sofistët. Një nga këta ishte dhe Protagora. Ai duke u bazuar në parimet filozofike, nuk interesohej për të vërtetuar drejtësinë e një çështjeje, por gjente argumente që të fitonte gjyqin. Ai pohonte se çdo argument mund të trajtohet në mënyra të ndryshme, për ta kthyer atë në favorin tënd. Kjo nuk varet nga vërtetësia e provës së paraqitur, por nga aftësia debatuese dhe forca bindëse e atij që e parashtron. Sipas Protagorës, e vërteta si çdo parim tjetër moral, ka natyrë subjektive. Sofistët u kritikuan nga opinioni dhe më pas nga filozofë të njohur, si: Sokrati dhe Platoni.
Disa nga arsyet më kryesore të kësaj kritike, janë:
– Mësimi i retorikës, sillte rrezikun e përdorimit të fuqisë së fjalës edhe për çështje të padrejta, që ishin në interes të individëve të veçantë.
– Analiza kritike, që sofistët i bënë mësimeve të fesë dhe të moralit. Qytetarët e kohës shpreheshin se ata po ndikonin negativisht te edukimi i të rinjve
– Largimi nga imazhi i mirë i filozofëve, si mendimtarë të pa interesuar për të fituar para. Në të kundërt, sofistët merrnin pagesa nga nxënësit e tyre, të cilët përpiqeshin t’i gjenin nga familje të pasura.
Skepticizmi dhe kritika ndaj tij
Pyetja që shqetësonte më shumë këta filozofë ishte nëse mendja njerëzore do të mund të njihte të vërtetën universale. Kjo çështje u lidh me problemin e së mirës. A mund të kishte një koncept absolut të së mirës, nëse mendja njerëzore nuk ishte e aftë ta njihte atë? Si do ta rregullonte jetën e saj shoqëria, që nuk njihte të mirën universale dhe konceptin për të vërtetën? Ata arsyetonin se, nuk mund të kishte përkufizime absolute të vlerave morale, si: e vërteta, drejtësia, virtyti etj. Vlerësimi i tyre, sipas sofistëve, ishte subjektiv dhe varej nga individi ose shoqëria, që e gjykonte si të tillë. Rregullat morale dhe etike ndryshojnë në varësi komuniteteve të ndryshme. Ajo çfarë mund të quhet e moralshme për një kulturë, mund të mos konsiderohet si e tillë për kulturën tjetër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për individë të ndryshëm, të cilët nuk kanë të njëjtat gjykime mbi moralin. Kjo i jep vlerën relative dhe subjektive parimeve të etikës. Prandaj Protagora shprehet, se: “Njeriu është masa e të gjitha gjërave”. Në të njëjtën mënyrë ai arsyeton në lidhje me fenë, sepse ai nuk pranon faktin e ekzistencës së sigurtë të perëndive. “Shumë gjëra e pengojnë dijen, ndër to janë paqartësia e subjektit dhe shkurtësia e jetës njerëzore”, shprehet ai. Megjithë problemet që patën, filozofia e sofistëve ishte mënyrë e re arsyetimi, që i vendoste qeniet njerëzore, në qendër të saj. Pra, ndërsa filozofët para tyre e përqendruan vëmendjen tek natyra, sofistët e zhvendosën interesin e filozofisë, drejt studimit të mendimit dhe të sjelljes. Sofistët i dhanë shtysë përpara mendimit të kohës. Protagora me studimet e tij, ka dhënë ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin e etikës së: virtytit, gramatikës, retorikës dhe artit të diskutimit.
Reflekto dhe përgjigju
Çfarë kategorie sociale përfaqësonin sofistët?
Cili ishte objekti i filozofisë së tyre?
Çfarë vlerësimi kanë ata për rregullat morale dhe etike në shoqëri?
Cilat janë disa nga arsyet e kritikës që iu bë kësaj filozofie?
Debat dhe dialog
Diskutoni të ndarë në grupe, pro dhe kundër, lidhur me thënien e Protagorës: “Njeriu është masa e të gjitha gjërave”.Sillni argumentet tuaja, duke përdorur artin e retorikës, sikurse bënin sofistët.
Jepni opinionin tuaj
Protagora shprehej se, “…e vërteta si çdo parim tjetër moral, ka natyrë subjektive”. Shkruani një ese, lidhur me dyshimin e Protagorës mbi ekzistencën e drejtësisë. Mundohuni të sillni këndvështrimin tuaj për çështjen, duke dhënë argumente sa më qarta dhe bindëse. A ju duket i drejtë përdorimi i retorikës, për të mbrojtur në gjyq çdo lloj interesi të individëve? Cila do të ishte mënyra më e mirë, për të penguar padrejtësinë dhe korrupsionin në sistemin gjyqësor?