Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 3 Përsëritje
Drejtimet filozofike në shekujt e parë të erës sonë
Të diskutojmë dhe të reflektojmë si filozofë, duke u bazuar në: njohuritë e përvetësuara në Linjën 3, leximet, informacionet dhe eksperiencat e fituara gjatë aktiviteteve të zhvilluara.
I Rikujtoni idetë filozofike
Filozofia romake u ndikua shumë nga filozofia stoike greke, por iu përshtat më mirë nevojave të njerëzve të thjeshtë, në përballje me vështirësitë e jetës. Drejtimi që mori stoicizmi romak, në shekujt e parë të erës sonë, u përgjigjej kërkesave të klasës sunduese romake, që në këtë kohë u fuqizua shumë në të gjithë rajonin e Mesdheut. Aristokracia romake, nën ndikimin e vazhdueshëm të filozofisë greke, filloi ta vlerësonte doktrinën stoike, si pjesë e rëndësishme e edukimit të qytetarit romak. Pas shek. I e.s., në historinë e mendimit filozofik, afirmohen shumë personalitete të lidhura me stoicizmin. Veprat e tyre, nuk sollën zhvillime të reja teorike, por ato rikthyen në vëmendje parimet më të vlefshme të filozofëve stoikë të së kaluarës. Disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm për idetë e tyre, janë: Seneka, Epikteti, perandori Mark Aurel etj. Nga ana tjetër, kryesisht në shekujt në vazhdim (shek. I – III e.s.), mendimi platonian, mori nuanca të tjera nga origjina e tij. Filozofia e Plotinit dhe e pasardhësve të tij, neoplatonistëve, do të bëhej baza e krishtërimit dhe e të gjithë filozofisë së Mesjetës.
Periudha perandorake romake
Filozofia stoike, u përhap me shpejtësi të madhe në Romë, në shekujt e parë të erës së re. Ajo u ndikua nga stoikët grekë, duke u përshtatur me nevojat e reja social – politike të shoqërisë romake. Përfaqësuesit kryesorë ishin: Seneka, Mark Aurel etj. Një rrymë e rëndësishme e kësaj kohe ishin neoplatonistët me përfaqësues kryesor, Plotinin
Idetë filozofike
Stoicizmi gjatë sundimit të perandorisë romake, shërbeu për t’u dhënë shpresë njerëzve të thjeshtë, në përballje me vështirësitë. Ndërsa, neoplatonizmi, që filloi me Plotinin, shënoi fundin e filozofisë greke dhe lindjen e doktrinës së krishterë.
Seneka – thekson rëndësinë e forcës së vullnetit, për të përmirësuar sjelljen, drejt virtytit dhe lumturisë.
Mark Aureli – njerëzit kanë ekzistencë të kufizuar në kohë, prandaj duhet të përmbushin detyrimet dhe jo të rendin pas famës dhe lavdisë.
Plotini – Shpirti i njeriut pastrohet, si rezultat i sjelljeve të drejta, aktivitetit intelektual dhe kontrollit mbi pasionet e trupit.