Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 6 Mësimi 2: Monteskje për ligjet dhe ndarjen e pushteteve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 6 Mësimi 2

Monteskje për ligjet dhe ndarjen e pushteteve

Karakteri historik dhe kushtëzimi gjeografik i ligjeve
Monteskje ( Montesquieu) 1689 – 1755, lindi pranë Bordosë (Francë), në një familje të pasur. Ai ishte filozof i njohur francez, në fillim të viteve 1800. Studioi drejtësi dhe filozofi në Paris. Më pas, u emërua president i Parlamentit të Bordosë më 1716, duke realizuar frymën dhe formimin e tij antimonarkist. Ai analizoi natyrën dhe rëndësinë e ligjeve në shoqëri duke theksuar se: ligjet më të mira janë ato, që mbështeten në arsyen njerëzore. Monteskje e shpreh këtë me fjalët: “Ligji, në përgjithësi, është arsyeja njerëzore, pra mënyra si ai qeveris të gjithë popujt e botës”.

Monteskje krahason sistemet politike të vendeve të ndryshme të botës, duke shpjeguar ndikimin e faktorëve të tillë, si: klima, veçoritë gjeografike, traditat dhe zakonet e jetës së njerëzve. Të gjitha këto ndikojnë në hartimin e ligjeve të mira dhe që funksionojnë në shoqëri. Sipas mendimit të tij, ekzistojnë ligje të cilat përmbajnë të drejtën natyrore të njerëzve, që me lindjen e tyre. Këto formojnë të drejtën natyrore. Ka dhe ligje, që krijohen nga ligjëvënësi, duke u mbështetur në të drejtën natyrore dhe formojnë të drejtën pozitive. Monteskje, ka qenë studiues i thellë i së drejtës duke nxjerrë përfundime të cilat janë të bazuara në argument dhe arsyetim.

Ai shprehet: – shtetet me shtrirje të madhe territoriale, janë të prirura drejt despotizmit, ndërsa shtetet me territore më të vogla drejt republikës. Në përputhje me këto veçori duhen hartuar edhe ligjet. Ligjet pozitive (të krijuara nga ligjvënësi), ndryshojnë nga njëri shtet tek tjetri. Arsyet lidhen me klimën, natyrën, shpirtin e popujve, mënyrat e jetesës së tyre. Faktori gjeografik ndikon në ekonominë e një vendi dhe si i tillë ai duhet të mbahet parasysh edhe në hartimin e ligjeve specifike të tij. Të tillë faktorë mund të jenë: pjelloria e tokës, numri i popullsisë, veprimtaritë jetike etj., të cilat duhet të rregullohen patjetër përmes ligjeve. “Klima, feja, zakonet, rregullat morale të mësuara dhe pozita gjeografike formojnë shpirtin e përgjithshëm të ligjeve”- shprehet Monteskje. Si njohës i historisë dhe politikës, ai dallon tri forma të qeverisjes:

Despotizmi – Pushteti drejtohet nga pasioni dhe tekat e një personi.
Monarkia – Një person qeveris përmes ligjeve të pandryshuara, që bazohen në nderin e tij.
Republika – Bazohet në konceptet liri dhe barazi. Ajo mund të ekzistojë në dy forma: aristokracia (një pjesë e shoqërisë drejton politikën) dhe demokracia (vullneti qeverisës i shumicës).

Sipas Monteskje, çdo shtet brenda organizimit të tij, përbëhet nga tri forma të pushteteve:
Pushteti legjislativ (ligjbërës), i cili harton dhe miraton ligjet.
Pushteti ekzekutiv, që zbaton ligjet në formën e qeverisjes.
Pushteti gjyqësor, që shqyrton dhe zgjidh mosmarrëveshjet midis njerëzve.

Njeriu sipas Monteskje, ka prirje të përdorë pushtetin derisa të ndeshë pushtetin tjetër. Prandaj, tri format e pushteteve duhet të veprojnë të pavarura nga njëra – tjetra. Midis tyre duhet të vendoset ekuilibër. Nga ana tjetër, tri pushtetet kontrollojnë punën e njëri – tjetrit. Ky kontroll përmbushet me anë të vetos. Nëse ekzekutivi vëren një ligj arbitrar dhe të keq, e shfuqizon atë. Kështu mund të mënjanohet arbitrarizmi dhe absolutizmi i pushtetit. Pavarësia e pushtetit gjyqësor, lidhet me faktin se ai nuk duhet të japë dënime të pa merituara ndaj njerëzve të zakonshëm, të cilët i shohin si më të prirur drejt krimit. Monteskje beson absolutisht në rolin e ligjvënësve të mbështetur në shpirtin e kombit të tyre. Populli i zgjedh ata si qeverisës, për arsye të mungesës së ndërgjegjes politike të mjaftueshme. Qytetarët zgjedhin politikën që dëshirojnë, përmes sistemit demokratik.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat janë tri format e pushtetit? Përshkruani ekuilibrin midis tyre sipas Monteskje. A ekziston ndryshimi midis të drejtës natyrore dhe asaj pozitive? Shpjegoni këtë ndryshim.

Debat dhe dialog
Diskutoni thëniet e mëposhtme duke i vendosur në kohë dhe hapësirë të caktuar:
“ Pushteti kufizohet vetëm me pushtet” – Monteskje.
“ Nuk ka gjë më të mirë sesa gjërat që bëjmë me vullnet të lirë, duke ndjekur prirjen tonë të natyrshme”- Monteskje.

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim, se çfarë mund të ndodhte nëse ligjvënësit do krijonin ligje që synojnë ndryshimin me dhunë të zakoneve dhe traditave të popullit.