Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 13: Ludvig Vitgenshtajn dhe filozofia analitike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 13

Ludvig Vitgenshtajn dhe filozofia analitike

Gjuha dhe komunikimi njerëzor në shoqëri
Ludvig Vitgenshtajn (Ludwig Wittgenstein, 1889 – 1951) ishte një nga filozofët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai ishte filozof britanik me origjinë austriake. Vitgenshtajn dha kontribut të madh në bisedat mbi gjuhën, për logjikën dhe metafizikën, për etikën dhe mënyrën sesi duhet të jetojmë në botë. Ai botoi dy libra të rëndësishëm, me të cilat u bë shumë i njohur: “ Traktatit logjiko – filozofik” (1921) dhe “Hulumtime filozofike” (1953). Këto vepra ishin kontribute të mëdha për filozofinë e shekullit të gjuhës.

L. Vitgenshtajn lindi në Vjenë në vitin 1889. Ishte nga një familje protestante me prejardhje hebreje. Babai i tij ishte një nga industrialistët më të mëdhenj të perandorisë Austro – Hungareze. Pasi mbaroi maturën në vitin 1906, Vitgenshtajni studioi për dy vjet inxhinieri mekanike në shkollën teknike të Berlinit dhe më pas vazhdoi matematikën teorike. Për të plotësuar formimin e tij si inxhinier shkoi në Mançester. Ai mori pjesë në Luftën e Parë Botërore, ishte ushtar në front ku u dallua për trimëri në përleshjet luftarake. Librin e parë “ Traktati logjiko – filozofik”, Vitgenshtajni e shkroi në pushimet ndërmjet betejave të luftës. Më pas u kthye në Universitetin e Kembrixhit dhe në vitin 1939 u emërua profesor titullar i filozofisë. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore punoi sanitar në një spital të Londrës, e më pas në një laborator të Njukasllit. Pas luftës u kthye përsëri në Universitet, por nderimet dhe sukseset nuk ia qetësuan shpirtin e tij të shqetësuar. Vdiq nga një sëmundje e pashërueshme në vitin 1951. Në vitin 1948 iu kushtua plotësisht veprës “Hulumtime filozofike”e cila u botua pas vdekjes së tij.

Cila duhet të jetë përmbajtja e filozofisë?
Vitgenshtajni njihet ndër të parët filozofë, të cilët filluan të studiojnë dhe të analizojnë gjuhën e përditshme si edhe kuptimet e saj. Analiza e tij në veprën “Hulumtime filozofike” vendos në qendër gjuhën e përdorimit të përditshëm dhe funksionin e saj duke hequr dorë nga ndërtimi i një gjuhe ideale si nevojë për shprehjen filozofike.
“Kur flas për gjuhën (fjalë, fjali etj.),- pohon ai, -e kam fjalën për gjuhën e përditshme. Por, mos vallë kjo gjuhë është shumë e rëndomtë dhe materiale për ato që na duhet të themi? Por, si do të ishte një tjetër gjuhë që do të mund të ndërtonim? Dhe a ka kuptim që ne të mos arrijmë të themi ato që duam me këtë gjuhë që kemi!?”

Filozofia, sipas Vitgenshtajnit duhet të studiojë gjuhën, logjikën dhe format e mendimit. Duke studiuar gjuhën ai arriti në përfundimin se filozofia është arma më e mirë që duhet të shpjegojë si bashkohet mendimi me gjuhën. Ajo duhet të jetë kritike ndaj gjuhës, por dhe të sqarojë logjikisht mendimet. Nisur nga kjo ide, Vitgenshtajni dallohet për studim të hollësishëm të gjuhës jo vetëm si mjet informimi, por edhe si shprehje e mënyrës sesi jeton njeriu. Në fakt (sipas pikëpamjeve të shprehura në “Hulumtimet filozofike”), për të folur një gjuhë na mjafton të njohim sintaksën e saj dhe mund të shprehemi vetëm në bazë të rregullave që lidhen me shenjat gjuhësore. Ne i renditim mendimet tona në fjali të cilat përbëhen nga fjalë. Rëndësi të madhe ka edhe renditja e fjalëve në fjali sepse kjo siguron kuptimin e saj.

Gjuha shpreh edhe botën emocionale të njeriut.
Sipas tij, gjuha duhet të respektojë karakterin shkencor dhe t’u përshtatet të dhënave empirike. Për këtë, ajo duhet të organizohet sipas një sistemi dhe frazat duhet të kombinohen midis tyre në mënyrë të tillë që të jetë e pamundur futja e “elementeve të papastra”. Ato mund të ndikojnë në saktësinë e një gjuhe rreptësisht shkencore. Sipas Vitgenshtajnit, në strukturën e gjuhës dallohen frazat e thjeshta dhe frazat e përbëra. Detyra e filozofisë mbetet që të vendosë: cili është diskutim i arsyeshëm dhe cili është diskutim jo i arsyeshëm. I arsyeshëm do të jetë vetëm ai diskutim, që është i komunikueshëm në kontekstin e lojës së gjuhës që përfshin një grup të caktuar qeniesh njerëzore.

Shpjegimi analitik i fjalës
Vitgenshtajn mendon se, bota mund të përshkruhet në fragmente të fjalive që duhet t’i lidhim në mënyrë logjike. Mësimi i gjuhës nuk është vetëm mësim i fjalëve të saj ose i fjalorit, por lidhja midis tyre në situata të caktuara shoqërore. Në fillim të veprës “Hulumtimeve filozofike ”, Vitgenshtajni sjell në vëmendje mendimin e Shën Agustinit: “Fjalët emërtojnë objektet dhe fjalitë janë kombinime të emrave që u vendosen atyre”. Sistemi i komunikimit, i dhënë sipas tij, nuk përfaqëson në të vërtetë atë që ne e quajmë sot gjuhë. “…Të mendosh gjuhën është të mendosh për një formë të jetës … ”; “…Të folurit e gjuhës është pjesë e një veprimtarie … ” Në këtë rast, Vitgenshtajn propozon termin e ri, që do të zëvendësojë konceptimin e deriatëhershëm të gjuhës, termin e “lojës gjuhësore”. Sipas filozofisë së tij, gjuha përdoret në shumë “lojëra gjuhësore”. P.sh., fjala “lojë” ka shumë kuptime, duke filluar që nga: “lojë shahu”,“lojë fjalësh”, “lojë sportive”, “lojë në grup” etj. Ka “lojëra” të tilla që lidhen me teknikën, lutjet, shprehjen e shpresës, të dëshirave, të shkrimeve, por edhe të shumë gjërave të tjera që mund të shpikë mendja njerëzore. Fjalët, shprehjet që përdorim në bisedime të ndryshme me miqtë, me prindërit, të dashurit dhe me këdo tjetër duhet të jenë sa më të thjeshta, të qarta, pa formulime abstrakte filozofike. Pra është e pamundur sipas tij t’i sintetizosh të gjitha kuptimet që kanë këto lojëra në një përkufizim të thjeshtë.

Madhështia e tij qëndron në atë që, formulimet abstrakte të mbushura me shprehje të vështira filozofike, i kombinon me tregime të thjeshta, me shprehje të qarta e komunikuese. Prandaj metoda dhe filozofia e Vitgenshtajnit quhet analitike në zbërthimin e kuptimit të gjuhës. Fjala e mësipërme mund të kuptohet në situatë apo në marrëdhënien e dhënë. Vithgenshtajni tregon përmes “lojës së gjuhës ” tërësinë e përbërë nga fjala dhe nga situata në të cilën është përdorur. Gjuha dhe jeta shoqërore janë të pandara nga njëra – tjetra.

Reflekto dhe përgjigju
Cili duhet të jetë misioni i filozofisë?
A shpreh gjuha përvojën njerëzore sipas Vitgenshtajnit?
Si duhet të ndërtohet një gjuhë që të jetë e saktë dhe të shmangë çdo keqkuptim?
Pse filozofia e Vitgenshtajnit është analitike, nisur nga objekti që ajo studion?

Jepni opinionin tuaj
Interpretoni idenë e Vitgenshtajnit se gjuha shpreh përvojën e njeriut. Shfrytëzoni skemën e mësipërme. A tregon skema logjike, lidhjen mes elementëve të saj sipas një rregulli të caktuar? Jepni një shembull duke kaluar sipas radhës në elementet e skemës.

Të di më shumë
Le të kuptojmë konceptin e Vitgenshtajn për lojën gjuhësore:
Fjalët kombinohen midis tyre sipas veprimtarive të njeriut, rregullave, shprehjeve gjuhësore. Në çdo lojë gjuhësore sipas tij duhen mësuar jo vetëm fjalët, por edhe situatat në të cilat ajo përdoret. Kështu edhe mendimi ynë pasurohet me fjalë të reja. Sipas mënyrës së jeteses popujt krijojnë fjalët e tyre. Edhe gjuha ka rregulla. Pa mësuar ato, si në çdo lojë tjetër, as me fjalët nuk mund të luajmë. “Loja e gjuhës” është një aktivitet i ndjekur nga ne, me qëllim të caktuar. Loja të ndryshme gjuhësore kanë fusha të ndryshme aplikimi.