Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 1
Lindja e filozofisë. Veçoritë e dijes filozofike
Ç’është filozofia?
Fjala filozofi lindi rreth gjysmës së dytë të shek. V p.e.s. dhe fillimit të shek. IV p.e.s., midis intelektualëve më të njohur të kohës: Sokratit, Platonit dhe më pas Aristotelit. Fjala vjen nga nga greqishtja e vjetër, philo – mik dhe sophia – dituri. Kuptimi i termit “filozofi”, sikurse njihet në shumicën e teksteve është dashuri për dije. Njerëzit nga natyra e tyre janë qenie kureshtare. Në lashtësi, kureshtje e tyre ndaj botës që i rrethonte, ishte shumë e madhe sepse dijet shkencore ishin të pakta. Ata përpiqeshin t’i shpjegonin dukuritë natyrore dhe shoqërore me forca të mbinatyrshme; me perëndi që drejtonin jetën në Tokë dhe shpjegonin: ëndrrat, sëmundjet, jetën, madje edhe vdekjen. Filozofët nuk u mjaftuan me shpjegimet fetare të pranuara nga shumica e njerëzve. Ata kërkonin përgjigje logjike për pyetjet e shtruara. Çfarë është filozofia? A ka ajo objekt specifik të studimit? Këto pyetje kanë marrë përgjigje të ndryshme dhe shpesh përgjigjet kanë qenë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në dallim nga shkencat ekzakte, përkufizimi i filozofisë nuk është i thjeshtë. Filozofët duhet të jepnin përgjigjet e duhura për pyetjet e shtruara para tyre si për shembull: ekzistencën, dijet, të vërtetën, lumturinë, të bukurën, moralin, ligjin etj. Aristoteli u përpoq për herë të parë të përcaktonte objektin dhe kufijtë e filozofisë. Një pjesë e rëndësishme e saj, arsyetonte ai, është filozofia e natyrës. Ajo studion përbërjen e trupave dhe ligjet që drejtojnë ekzistencën e tyre dhe të gjithë universin. Filozofia në lashtësi përfshinte të gjitha dijet shkencore të kohës, si: matematika, fizika, astronomia etj. Ajo quhej shkenca e shkencave, ku përmblidheshin arritjet më të larta të dijes njerëzore. Filozofia shihej si çelësi për gjetjen e rrugës drejt lumturisë dhe zotërimit të pasioneve të errëta të shpirtit njerëzor. Njerëzit donin të dinin si të jetonin në harmoni me veten dhe me shoqërinë që i rrethonte. Filozofët u përpoqën të jepnin zgjidhjet e tyre, të cilat jo gjithnjë kishin sukses.
Tiparet e dijes filozofike
Dija filozofike, ndryshe nga dijet e shkencave ekzakte, nuk lidhet me objekte ose me dukuri të veçanta dhe konkrete. Ajo lidhet me botën dhe me jetën në tërësinë e saj. Filozofia mbështetet te mendimi dhe tek arsyet njerëzore dhe nuk mund të provojë vërtetësinë e përfundimeve të saj përmes fakteve ose provave materiale (siç ndodh me shkencat e tjera). Dija filozofike fillon me shtrimin e problemit dhe vazhdon me analizën, argumentimin, debatin dhe në fund me ndërtimin e konceptit të ri. Filozofia është arti i të menduarit të thelluar dhe i refleksionit. Njeriu nga natyra e tij, synon njohjen dhe dijen. Prandaj filozofia është nevoja e të mësuarit për botën. Përballë mrekullisë së saj, njeriu zbulon edhe vendin e tij në të. Arsyetimi filozofik përfaqëson kritikën e ideve të pranuara dhe synon të shkojë më tej. Në dallim nga njohuritë e shkencave ekzakte, të cilat i përdorin vetëm specialistë të fushës, dija dhe arsyetimi filozofik përdoret nga të gjithë njerëzit. Filozofia nuk është privilegj vetëm i mendimtarëve të shquar. Të gjithë filozofojnë gjatë jetës, madje çdo ditë, sa herë që u jepet mundësia për të komunikuar me veten ose me të tjerët. Njeriu ka aftësi intelektuale dhe kureshtje për jetën dhe botën, të cilat e shtyjnë drejt arsyetimit filozofik. Njeriu filozofon kur përpiqet t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla kryesore, që e shqetësojnë gjatë jetës, si:
– Cila është origjina e botës sonë dhe e universit? A ekziston Zoti? Çfarë e pret njeriun pas vdekjes? A ka jetë të përtejme? Ne themi se kemi menduar në mënyrë filozofike, sa herë që:
– arsyetojmë dhe përpiqemi të gjejmë përgjigje për pyetjet tona.
– debatojmë me të tjerët dhe nuk i marrim të mirëqena pohimet e tyre, por japim argumente nga përvoja jonë.
– ndajmë me shoqërinë, me të afërmit etj., pikëpamjet mbi çështje të diskutueshme, për të cilat nuk ka ende një përgjigje të qartë.
Cilët ishin filozofët kryesorë të antikitetit?
Filozofët e kohës moderne studiojnë në shkolla për filozofi, shpesh si profesion më vete, por krejt ndryshe ishte në antikitet, ku filozofia ishte mënyrë të jetuari. Filozofët e lashtë dalloheshin nga njerëzit e zakonshëm jo vetëm për idetë dhe shkrimet e tyre, por edhe për mënyrën sesi jetonin. Kjo i bënte ata të çuditshëm, por edhe të respektuar nga të gjithë. Në kohën e lulëzimit të qytetshteteve greke, filozofia u përhap me shpejtësi në të gjithë territorin; nga Jonia në Athinën e lashtë, e cila u bë qendra kulturore e Greqisë. Figurat më të rëndësishme të kësaj periudhe janë: Sokrati, i cili kishte ndikim të madh te filozofia klasike greke dhe te pasardhësit e tij. Për shkak të rëndësisë, Sokrati shërbeu si vijë ndarëse. Të gjithë filozofët para tij u quajtën parasokratikë. Platoni, ishte nxënësi i Sokratit. Ai themeloi shkollë filozofie në Athinë, Akademi. Në Akademi ai përhapte dhe zhvillonte idetë e mësuesit të tij, Sokratit. Aristoteli, nxënës i Platonit, do t’i zhvillonte më tej mendimet e tij në shkollën që e quajti Lice ose shkolla peripatetike.
Debat dhe dialog
Ndahuni në grupe, pro dhe kundër, pyetjes: “A ekziston një forcë e mbinatyrshme dhe e plotfuqishme, apo njerëzit janë zot të fateve të tyre?” Ashtu si filozofët, jepni sa më shumë argumente për të mbrojtur pozicionin tuaj.
Jepni opinionin tuaj
Zgjidhni një nga thëniet e mëposhtme për filozofinë dhe arsyetoni, në formën e një eseje, për rëndësinë e saj: “Supersticioni ndez flakë në botë, filozofia e shuan atë!”- Volteri “Habia është diçka shumë e dashur për filozofin, pasi për filozofinë nuk ka fillim tjetër përveç saj!”- Platoni.
Të di më shumë
A e dini se simboli i filozofisë është Minerva? Minerva (perëndesha greke Athina, në mitologjinë romake quhet Minerva), ishte perëndesha romake e diturisë, poezisë, mjekësisë, arteve, shkencës, veprave artizanale, tregtisë dhe e luftës. Ajo përshkruhet shpesh si krijesë e shenjtë dhe si simbol i filozofisë dhe urtësisë. Zakonisht duket e veshur me parzmore dhe përkrenare. Simbolet e saj ishin: bufi ose pema e ullirit. Në dorë mban një buf, i quajtur «bufi i Minervës”, që simbolizon lidhjet e saj me urtësinë, mendjemprehtësinë dhe diturinë. Sytë dhe sqepi i bufit ndjekin vijën e shkronjës φ (fi), simbol grek i alfabetit të filozofisë. Hegeli, filozofi idealist i shek. XIX, ka thënë: “Bufi i Minervës i hap krahët vetëm kur bie muzgu”. Si ta kuptojmë këtë metaforë filozofike? Pse Hegeli thekson se fluturimi i zogut bëhet gjatë natës? Kjo shprehje është përdorur për të treguar disa funksione të filozofisë: – Filozofia, shërben për të përgjithësuar dhe për të kuptuar shoqërinë, bazuar në realitetin konkret dhe në përvojën historike. Filozofët i shpjegojnë dukuritë sociale, në fund të procesit (pasi ato kanë ndodhur), mbështetur në këtë përvojë. – Mendimi filozofik lind për t’i dhënë zgjidhje një problemi. Pra filozofia fillon kur ka lindur shqetësimi intelektual. – Filozofia fillon atëherë kur dija njerëzore ka arritur nivel të caktuar zhvillimi dhe vjen si përgjithësim i kësaj dije. Çfarë simbolizon bufi? Bufi është përdorur në lashtësi, në Egjipt dhe në Athinë si simbol i mençurisë dhe i largpamësisë. Ai është krijesë inteligjente, që shikon edhe në errësirën e natës, ku gjallesat e kanë vështirë të orientohen. Përmes kësaj metafore tregohet se filozofia ka aftësinë të depërtojë në thellësi të mendimit dhe të shpirtit njerëzor. Pra, simboli i bufit është përdorur për të treguar largpamësinë e dijes filozofike: – Në kohën kur të tjerët janë në gjumë, mendimi filozofik nuk njeh kohë dhe kufij. – Kur shumica e njerëzve “flenë” dhe pranojnë si të vërteta ato që u japin të tjerët, filozofët arsyetojnë dhe reflektojnë drejt një përfundimi të ri.