Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 3 Mesimi 3,4: Filozofia novatore e Plotinit. Neoplatonistët

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 3 Mësimi 3,4

Filozofia novatore e Plotinit. Neoplatonistët

Konteksti filozofik i lindjes së neoplatonizmit
Historia e platonizmit, ndryshon nga rrymat e tjera filozofike, si epikurizmi dhe stoicizmi, të cilat ishin sisteme të unifikuara dhe me vazhdimësi në kohë. Gjatë shek. I p.e.s., skepticizmi platonik, i cili sundoi për dy shekuj me rradhë (shek. II – I p.e.s.), hyri në krizë dhe kjo do të shënonte mbylljen e Akademisë së Platonit. Filozofë të ndryshëm do të tentonin ta kthenin platonizmin në doktrinë të konsoliduar dhe dogmatike. Në shekujt më pas (shek. I – III e.s.), mendimi platonian mori nuanca të tjera nga origjina e tij. Filozofia e Plotinit dhe e pasardhësve të tij, neoplatonistëve, do të bëhej baza e krishtërimit dhe e gjithë filozofisë së Mesjetës.

Tendenca kryesore e kësaj filozofie, ishte renditja e botës sipas rendit hierarkik. Për të gjithë këta filozofë, në krye të piramidës, qëndronin jo idetë (sikurse tek Platoni), por forca superiore ndaj ideve, që ata e quajtën Njëshi ose Zoti. Kontributin më të rëndësishëm të kësaj periudhe, e ka dhënë padyshim Plotini me filozofinë e tij.

Plotini (lat. Plotinus, rreth 205 –270 e.s.), lindi në Likopolis të Egjiptit. Ai iu kushtua filozofisë dhe në moshën 28 vjeçare, ndoqi mësimet e filozofit të njohur platonian, Ammonius Saccas në Aleksandri, që në këtë periudhë ishte qendër e rëndësishme e kulturës antike. Plotini u formua si filozof nga studimi i figurave të shquara të kohës, si: Pitagora, Platoni, Aristoteli, Epikuri dhe stoikët. Mes tyre, zgjodhi filozofinë e Platonit dhe u bë një nga pasuesit më të rëndësishëm të ideve të tij. Në vitin 245, Plotini themeloi në Romë shkollën ku tërhoqi elitën e shoqërisë romake, përfshirë perandorin dhe bashkëshorten e tij. Pas vdekjes këto shkrime u mblodhën dhe u botuan nga nxënësi i tij Porfiri, i cili i ndau ato në gjashtë grupe, me nëntë traktate secila, që u quajtën Eneada (nga greq. ennea, tregon numrin nëntë). Ato i kushtohen, përkatësisht: grupi i parë, etikës; grupi i dytë dhe i tretë, universit; më pas trajtohen kapitujt për shpirtin, idetë dhe intelektin; ndërsa grupi i gjashtë, trajton qenien dhe Njëshin (Zotin).

Plotini, mes tradicionales dhe të resë
Plotini është njëkohësisht novator dhe ndjekës besnik i traditës së mëparshme filozofike. Sipas Plotinit, shumë filozofë para tij nuk e kishin kuptuar drejt raportin e shpirtit me trupin, sepse i shikonin të lidhur së bashku. Ai, sikurse Platoni, arsyetonte se shpirti është realiteti i vetëm, ndërsa trupi është burgu i tij, nga i cili përpiqet të çlirohet, për t’u kthyer përsëri në ekzistencën e mëparshme. Ai i dha teorisë së Platonit formë të re. Plotini formoi doktrinën për Zotin ose Njëshin.

Sipas tij, Njëshi:
– është burimi i gjithçkaje;
– është vendi, ku shpirti i njeriut kthehet përsëri;
– përcakton objektet e veçanta, por nuk është material.

Njëshi, është i:
– pandryshueshëm, i pafundëm dhe i pakapshëm, për përvojën tonë shqisore dhe racionale;
– përhershëm, ka ekzistuar para gjithçkaje dhe gjithmonë;
– pakrijueshëm;
– pandashëm, një dhe i vetëm.

Pra, është uniteti absolut.
Plotini e shpjegon zanafillën e botës nga Njëshi, duke e krahasuar me dritën që buron nga Dielli, apo ujin që rrjedh nga burimi. Dielli asnjëherë nuk shuhet, ai i jep dritë dhe ngrohtësi gjithçkaje. Po kështu, Zoti i jep formë dhe jetë realitetit. Por, sikurse energjia që buron nga Dielli, vjen duke u zbehur sa më larg të arrijë, ashtu dhe qeniet që rrjedhin nga Zoti, kanë rënie graduale në shkallën e tyre të përsosmërisë.

Plotini e shpjegon këtë ide me formën e piramidës.

Hierarkia e botës sipas Plotinit.
Njëshi ose Zoti
Intelekti universal
Shpirti botëror
Shpirti njerëzor
Materia lëndore

Në krye të saj, qëndron Njëshi (Zoti), më pas, vjen krijimi i parë i Tij, që është intelekti (nousi) universal. Intelekti përmban idetë e botës së sendeve (e ngjashme me botën e ideve të Platonit) dhe është burimi i realitetit të natyrës dhe objekteve të veçanta, që ai e quan shpirti botëror. Pjesë e shpirtit botëror është edhe shpirti njerëzor, i cili lidhet me trupin, por nuk shkrihet me të. Sipas Plotinit, pjesa më e lartë e shpirtit, që i jep unitetin, është intelekti (nousi). Ai është superior ndaj pjesës tjetër, siç janë perceptimet dhe dëshirat, që lidhen me trupin e njeriut dhe që lindin gjatë marrëdhënieve në jetën e përditshme. Intelekti është i pavdekshëm, arsyeton Plotini, në krahasim me trupin, që është i përkohshëm. Ndërsa, lënda ose materia, është forma më e ulët në hierarkinë e qenieve, pra më larg Njëshit dhe përsosmërisë së tij.

Në skemë, jepet modeli hierarkik i ndërtimit të botës, sipas Plotinit. Plotini e krahason materien, me pasqyrën, që reflekton në mënyrë pasive realitetin, që i jepet nga jashtë. Pra, ai e konsideron botën materiale, si reflektim të botës së intelektit. Zoti, rrezaton përsosmërinë e tij. Atëherë si mund të shpjegohet ekzistenca e së keqes, vuajtjes, dhimbjes? Plotini, shkakun e të keqes mes njerëzve, e shpjegonte me idenë se trupi është material, pra në shkallë më të ulët perfeksioni. Ai kthehet në pengesë për pjesën racionale të shpirtit, pra, për intelektin, i cili duhet të luftojë me pasionet dhe dëshirat e trupit.

Sipas Plotinit, shkaku i të keqes është trupi njerëzor.
Por, meqënëse çdo gjë rrjedh nga Zoti, atëhere dhe e keqja duhet të burojë prej tij. Ai përpiqet ta shpjegojë këtë paqartësi, me idenë se e keqja është thjesht mungesë përsosmërie, njëlloj si errësira, kur drita mungon. Pra, e keqja nuk ekziston, ajo është thjesht mungesa e Njëshit.

Rruga e shpëtimit, që filozofia e Plotinit na jep, është një eksperiencë mistike. Sipas tij, bota ku jetojmë, edhe pse e papërsosur, nevojitet si një mjet për të zhvilluar intelektin dhe virtytet morale, që më pas ndihmojnë bashkimin e shpirtit me Zotin.

Kjo rrugë është e gjatë dhe e vështirë. Shpirti mund të kalojë përmes disa rimishërimeve, për pastrimin e tij moral, derisa arrin të shkrihet përsëri me Njëshin. Ky bashkim është rezultat i sjelljeve të drejta, dijes, aktivitetit intelektual dhe kontrollit mbi pasionet e trupit. Filozofia e Plotinit paraqet një formë të krishtërimit, ku u bazuan shumë filozofë të krishterë të Mesjetës, si: shën Agustini etj.

Neoplatonizmi
Pas Plotinit, neoplatonistët vazhduan rrugën e tyre, duke u mbështetur në mësimet e këtij filozofi të madh. Tre shekuj më vonë, pra deri në fund të Antikitetit, kjo rrymë ishte nga më të rëndësishmet në filozofi dhe e vetmja që mundi të konkurronte kristianizmin (i cili nga shek. IV u bë fe zyrtare e perandorisë romake). Neoplatonistët, përballë ndikimit të fesë së krishterë, për të rritur interesin tek besimtarët, i dhanë rëndësi të veçantë praktikave të ritualeve. Ata filluan të përdornin metoda mistike të magjisë, përmes të cilave pretendonin të hynin në kontakt me botën hyjnore, për ta lidhur atë me botën fizike. Ata, u përpoqën të pajtonin filozofinë e Platonit dhe të Aristotelit. Kjo ishte e vështirë, veçanërisht për shkak të kritikës që Aristoteli i kishte bërë teorisë së ideve të Platonit. Disa nga filozofët neoplatonikë, janë: Porfiri, Jambiku, Proklus etj. Filozofia e Antikitetit, me neoplatonizmin, do të mbyllte historinë e saj. Krishtërimi do të hapte epokën e re, periudhën e Mesjetës, që do të kthehej në pengesë serioze për mendimin e mirëfilltë filozofik.

Reflekto dhe përgjigju
Cilat ishin disa nga tiparet që karakterizuan zhvillimin e platonizmit, gjatë shekujve të I – III e.s.?
Çfarë kupton Plotini, me hierarki të krijimit të botës, bazuar tek Njëshi?
Si e shpjegon Plotini, ekzistencën e të keqes në botë?
Çfarë kontributi dhanë në filozofi, pasuesit e Plotinit, neoplatonistët?

Debat dhe dialog
Diskutoni për idenë e Plotinit, se: “ Njëshi është uniteti absolut”.
Këtë arsyetim, bazoheni në shpjegimin që Plotini i bën karakteristikave të Njëshit apo Zotit. Jepni opinionin tuaj, lidhur me këtë çështje, duke dhënë argumente sa më bindëse.
Përpiquni, sikurse filozofët, ta trajtoni idenë në shumë këndvështrime.

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni, në formën e esesë, lidhur me shpjegimin që Plotini jep, për ekzistencën e së keqes, dhimbjes dhe vuajtjes në botë. Argumentoni, duke u bazuar në mënyrën se si i konceptoni ju, shkaqet e këtyre dukurive sociale.