Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mesimi 14: Martin Haideger dhe teoria e tij mbi qenien

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 14

Martin Haideger dhe teoria e tij mbi qenien

Qenia dhe problemi i ankthit
Martin Haiderger (Martin Heidegger) lindi në vitin 1889 në Meskirsh, në jug – perëndim të Gjermanisë në një familje katolike. Pas përfundimit të shkollës fillore, me ndërhyrjen e priftit të qytetit, u regjistrua në seminarin fetar të Kontancës. Në vitin 1909, Haideger filloi studimet për teologji në Universitetin e Friburgut. Jo shumë i bindur në zgjedhjen e tij, në vitin 1911, u regjistrua në fakultetin e matematikës dhe shkencave të natyrës. Paralelisht studioi dhe filozofinë dhe në vitin 1913 mbrojti tezën: “Doktrina e gjykimit në psikologjizëm”. Në po këtë vit përfundoi doktoraturën në filozofi. Pas botimit të veprës “Interpretimet fenomenologjike të Aristotelit”, ai fitoi vendin e punës, profesor në Universitetin e Marburgut.

Në 1927 doli vepra kryesore e tij “Qenia dhe koha”.
Në prill të vitit 1933 pranoi me entuziazëm idetë naziste, gabim të cilin e kuptoi një vit më vonë, por i kushtoi shumë në karrierën e tij pedagogjike të pasluftës. Autoritetet franceze e ndaluan për gjashtë vjet të jepte mësim. Haidegeri vazhdoi të jepte leksione private dhe botoi disa libra filozofikë. Vdiq në vitin 1976 në Friburg dhe u varros në fshatin e lindjes.

Haidegeri mendohet të jetë mendimtari më i shquar i shek. XX. Çështja e kuptimit të qenies përbën thelbin e diskutimit të tij. Filozofët ekzistencialistë, ku bën pjesë edhe Haidegeri, na mësojnë se vetëm ne jemi përgjegjës për të krijuar një jetë kuptimplote në botën absurde dhe të padrejtë.

Koncepti i Haidegerit për njeriun
Filozofia e Haidegerit është ontologji, domethënë, teori për qenien. Njeriun ai e vendos në qendër të filozofisë së tij. Sipas tij njeriu nuk e zgjedh se ku, nga kush dhe kur do vijë në botë. Këtë e vendosin të tjerët, por ai hidhet në këtë botë dhe e vazhdon jetën e tij, duke krijuar edhe vetveten në marrëdhënie me botën. Dasein (jaqenia – shqip), është qenia njerëzore, si e vetmja pjesë e qenies që mendon për qenien. Kuptimi i jaqenies për Haidegerin, është tërësia e marrëdhënieve që ai ka dhe që e kushtëzojnë në veprimet e tij. Çështja e kuptimit të qenies përbën thelbin e diskutimit të tij. Të jesh në botë, domethënë “ të jesh këtu”, midis gjërave nga të cilat njeriu (jaqenia) dallohet, se pranon me vetëdije të jetë këtu. Qenia njerëzore e përballon botën jo si diçka të huaj, por si tërësi gjërash që kanë të bëjnë me të dhe që prej tij fitojnë rëndësi të veçantë. Njeriu në botë ka mënyrën më të veçantë të ekzistencës, sepse duke vepruar në të ai ndryshon dhe veten. Meqenëse ai vjen vetëm një herë në botë, përpiqet të bëjë gjëra të veçanta nga të tjerët. Kjo me qëllim që të kujtohet si origjinal dhe jo si dikush që nuk bie në sy, por vetëm jeton si gjallesat e tjera. Njeriu ka cilësinë e planeve të së ardhmes dhe ky fakt i jep vlerë jetës së tij.

Haidegeri mbi gjendjet e Dasein – it (njeriut)
Duke qenë i hedhur në këtë botë, njeriu sipas Haidegerit, shoqërohet nga gjendje të ndryshme, si: mërzia, gëzimi, hidhërimi, ankthi. Si i shpjegon ai disa prej tyre? Duke shpjeguar gjendjen e ankthit, Haidegeri bën dallimin e tij nga frika prej objekteve. Vetë ankthi lind nga të ekzistuarit e njeriut në botë dhe shpesh të çon në pyetjen shekspiriane “Të jesh apo të mos jesh në këtë botë?” Ankthi vjen kur jaqenia zbulon dramën e kotësisë së qëllimeve të saj, sepse është një qenie që do të vdesë, fakt të cilin çdo njeri e përjeton në mënyrën e tij. Ankthin e dikujt e kuptojmë kur njeriu ndihet i kërcënuar, i veçuar nga të tjerët, i trembur nga momenti. Nga jashtë ndien kërcënim nga gjithçka dhe nga brenda ka krijuar rregulla dhe norma shoqërore për t’i siguruar ekzistencën. Duke shpjeguar bisedën, diskutimin, Haidegeri i quan proces në të cilin jaqenia lëviz duke i shndërruar sendet e gjendjet shpirtërore në fjalë. Vdekja për Haidegerin është fundi i ekzistencës së jaqenies, e cila që kur lind është një qenie për të vdekur. Për të, vetë jaqenia e kapërcen herë pas here ankthin e situatave që afrojnë vdekjen. Njeriu e kupton fundin e ekzistencës së çdo gjëje, pra dhe të vetvetes.

Qenia dhe koha
Për Haidegerin qenia dhe koha ndodhen të vendosura mbi njëra – tjetrën. Koha për filozofin nuk është një përmasë e jashtme në të cilën jaqenia do të zhvillohej e më pas do të vdiste. Ajo është e brendshme “vetëm duke shkuar përpara”. Kryesore është e tashmja e ekzistencës së botës dhe jaqenies. Njeriu i ardhshëm nuk mund jetë veçse‚“ai që ka qenë gjithmonë”, pra vetë “e kaluara” e tij. Qenia dhe koha rrjedhin nga njëra – tjetra, i japin asaj në mënyrë reciproke gjallëri. Për çdo njeri, e rëndësishme nuk është përjetësia, por përmasa e kohës në të cilën ekziston e tanishmja ekzistenciale. Haidegeri ngrihet kundër studimit metafizik të botës nga shkencat e natyrës duke copëtuar qenien për të studiuar objektin e tyre. Ai mendon se ato gabojnë sepse njeriu ka nevojë të kuptojë jo pjesën, por të tërën dhe të gjejë vendin e tij. “Gjuha është shtëpia e qenies” pohon Haidegeri. Sipas tij gjuha, jo vetëm transmeton informacione, por duhet të jetë e kuptueshme dhe e qartë.

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Përballje mes filozofëve:
Ku qëndron ndryshimi ndërmjet ideve të Haidegerit dhe Kierkegardit për ankthin dhe Haidegerit e Niçes për jaqenie – mbinjeriun?

Debat dhe dialog
Sa më ndihmon filozofia?
A ndieni ankthin e përzgjedhjes së profesionit të ardhshëm?
Nëse zgjidhni të bëheni jurist, kjo ju mohon mundësinë për t’u bërë mjek! A ju shkakton ankth kjo situatë?
Si mund ta zgjidhni?