Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 6 Mësimi 4
Enciklopedistët francezë
Përhapja e diturive kusht i zhvillimit të shoqërisë
Enciklopedia franceze është fjalor i shkencave, artit dhe veprave artizanale, botuar në vitet 1751-1772 nga Didro dhe d’Alamber. Didro i kushtoi 20 vite të jetës së tij krijimit dhe redaktimit të këtij fjalori. Ajo është vepër monumentale, që përmban shtatëmbëdhjetë vëllime në formën e tekstit dhe njëmbëdhjetë vëllime pllakash të gdhendura, të një cilësie të jashtëzakonshme. Enciklopedia, u kthye në modelin e të gjithë fjalorëve enciklopedikë të ardhshëm dhe përfaqëson veprën më të arrirë të epokës së Iluminizmit. Në këtë botim përfshihen materiale të përmbledhura nga shkencat e kohës, artet, letërsia, si dhe nga fusha e artizanatit dhe industrisë. Enciklopedia u krijua si vepër kolektive, në të cilën morën pjesë personalitete të ndryshme: Volteri, Bufoni për botanikën dhe Zhan Zhak Rusoi, me të cilin Didro mbajti miqësi të ngushtë për një kohë të gjatë. Bashkëpunëtorë të shumtë u ftuan të jepnin ndihmesën e tyre, secili në specialitetin e tij.
Ata ishin mendimtarë të emancipuar, që përfituan nga rasti për të dhënë mendime, nganjëherë të guximshme për fenë dhe politikën. Këta studiues u quajtën enciklopedistë. Botimi u ndalua shumë herë, por në saje të mbështetjes së miqve të fuqishëm të iluministëve (mbreti Luigj XVI), vepra gjigante u përfundua.
Ishte Didro dhe bashkëbotuesi i tij d’ Alamber (me cilësi intelektuale dhe njerëzore të jashtëzakonshme), që krijuan bashkëpunimin mes një grupi të madh filozozfësh dhe shkencëtarësh, që iu përkisnin sferave të ndryshme të dijes. Botëkuptimi udhëheqës i autorëve të Encikopedisë, ka qenë: Zoti e krijoi gjithësinë dhe përcaktoi ligjet e saj, por nuk u përgjigjet lutjeve të njeriut dhe nuk ndërmjetëson në realizimin e tyre. Enciklopedia është vepër e madhe e shek. XVIII dhe e para Enciklopedi franceze. Duke sintetizuar njohuritë e kohës, ajo përbën një simbol të punës së Iluminizmit. Nuk ka as më të voglin dyshim që Enciklopedia me frymën e saj e ndihmoi zhvillimin e lëvizjes revolucionare në Francë, në vitin 1789.
Didro ( 1713-1784)
Denis Didro (Denis Diderot) lindi në vitin 1713 në Langres, në Shampanjë. Në periudhën 1723 – 1728, ai vazhdoi kolegjin e jezuitëve, ndërsa në vitin 1732, u regjistrua në kurset e teologjisë në Sorbonë. Në të njëjtën kohë punonte si ndihmës pranë një avokati. Didro jetonte me punë të vogla, si: shkrime predikimesh për fillestarët klerikë, mësime private, redaktim artikujsh gazetash dhe përkthime nga anglishtja. Didro iu përkushtua hartimit të Enciklopedisë, fillimisht e menduar si përkthim i thjeshtë i një vepre angleze, të botuar më 1728. Ky personalitet mundi të frymëzonte një projekt të kësaj përmase, sepse dinte të shihte përtej grindjeve filozofike të ngushta. Ai kishte interes të vazhdueshëm për kërkime të reja shkencore.
Parimi i Didrosë ishte: “Të jetosh dhe tregosh ndjenja të vërteta dhe autentike”.
Ky parim u bë frymëzim i shoqërisë së mesit të shekullit XVIII. Duke qenë shkrimtar dhe poet, ai kuptonte vlerën e artit në edukimin e vlerave morale në shoqëri. Pikërisht në romanin e tij “Zhak Fatalisti”, në mënyrë artistike dhe letrare trajton ligjet që drejtojnë botën dhe vullnetin e lirë të njeriut përballë kësaj ligjësie. Didro flet për një botë molekulash plot gjallëri, që bashkohen për të ndërtuar format më të zhvilluara të jetës. Këto ide të mësuara nga biologjia dhe fizika, janë themeli i materializmit të tij dhe i paraprinë me sukses teorisë evolucioniste të Darvinit.
Në veprën “ Letra mbi të verbërit”, shpalosi idenë, se realiteti nuk përputhet gjithmonë me idetë dhe shqisat tona. Sipas tij, pamjaftueshmëria e shqisave në njohje, kërkon patjetër që të përdorim arsyen. Duke analizuar jetën politike në shoqëri, Didro pranon se edhe sundimtarët, duhet të jenë shërbëtorë të pushtetit dhe përpara ligjit ata janë njëlloj si qytetarët e tjerë. Morali, sipas Didrosë, është i lidhur me trupin. Një i verbër në rast se bie viktimë e një vjedhjeje, duhet të dënohet më tepër se një njeri që shikon. Në botimin “Mendime filozofike”, në formën e dialogut, Didro kritikon fanatizmin fetar dhe sulmon kishën katolike.
d’Alamber dhe shkenca
d’Alamber (Jean Le Rond d’Alembert) lindi në Paris më vitin1717 dhe vdiq në tetor të vitit 1783. Në kolegj ai studioi drejtësi, filozofi dhe arte dhe pas diplomimit i kushtoi rëndësi studimeve vetëm në drejtësi. Në vitin 1738 mori titullin avokat, edhe pse kurrë nuk e ushtroi këtë profesion. Pas një viti studimesh në fushën e mjekësisë, më në fund ia kushtoi jetën studimeve të matematikës. d’Alamberi ishte matematicien, filozof, teoricien muzike dhe një ndër njerëzit më me ndikim të kohës së tij. Ai u nderua me çmim të veçantë për studime në matematikë, në Akademinë e Berlinit dhe u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze, në 1754. Në vitet 1761 – 1780, botoi artikujt për matematikën, të përmbledhura në tetë vëllime.
Një nga teoremat e algjebrës, që në Francë njihet me emrin “Teorema d’Alamberit”, vazhdon të përdoret dhe në ditët e sotme. d’Alamberi pati rol të rëndësishëm në zhvillimin e shkencës. Ai besonte se shkenca ishte i vetmi burim i pastër i njohurive të vërteta dhe i vetmi mjet për përmirësimin dhe edukimin e shoqërisë. Si matematikan dhe fizikan, u zgjodh për të redaktuar artikuj në matematikë dhe fizikë, për enciklopedinë franceze. Më vonë, d’Alamberi u kthye në fushën e filozofisë, letërsisë dhe muzikës. Disa nga veprat e tij filozofike, u vlerësuan nga shoqëria e lartë në sallonet që ai frekuentonte.
Reflekto dhe përgjigju
Çfarë ishin enciklopedistët?
Cila është rëndësia e veprës së tyre?
Përse Didro vlerësohet si filozof me ide materialiste?
A mund te krijohet në ditët e sotme një enciklopedi e tillë?
Nëse po, si e mendoni ju përmbajtjen e saj?
Debat dhe dialog
Jepni kuptimin dhe interpretimin tuaj në lidhje me këtë pohim të Didro – it:
“Gënjeshtra mund të shërbejë vetëm një çast, me kalimin e kohës ajo bëhet e dëmshme, kurse e vërteta edhe në qoftë se duket e dëmshme, me kalimin e kohës do të bëhet patjetër e dobishme.”
Jepni opinionin tuaj
Grupi i parë:
-Duke shfrytëzuar materiale nga burime të tjera informacioni, diskutoni për idenë e Didrosë, se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.
Grupi i dytë:
Diskutoni për veprën e Didro-it “Letra mbi të verbërit” edhe për idenë e tij, se “…pamjaftueshmëria e shqisave tona në njohje, kërkon patjetër që të përdorim arsyen”.
Për këtë shfrytëzoni materiale nga burime të ndryshme informacioni.