Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 2 Mësimi 2: Filozofia dhe politika në Romë. Stoicizmi romak

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 2 Mësimi 2

Stoicizmi dhe parimet morale të tij

Themelimi i shkollës stoike
Stoicizmi si shkollë filozofike, u themelua nga Zenoni (334 – 262 p.e.s.). Më vonë në kë shkollë u përfshinë edhe mendimtarë të tjerë të shquar të kohës, si: Kleanthi dhe Krisipi në Athinë; Ciceroni, Seneka dhe Mark Aureli në Romë. Vendi ku u ngrit shkolla, në greqisht quhej stoa (galeri, portik), nga ku morën emrin filozofët stoikë. Ndryshe nga karakteri popullor i shkollës epikuriane, kjo filozofi i takonte elitës intelektuale. Qëllimi i saj ishte të mësonte njerëzit të jetonin në mënyrë sa më të përshtatshme, duke u bazuar në moral të rreptë dhe të ngurtë. Stoikët nuk i pranonin veset, por i quanin gjykime të gabuara të arsyes dhe të keqen e vetme që kërcënonte njeriun. Katër pasionet nga të cilat lindin veset, sipas tyre, ishin: dhimbja, kënaqësia, dëshira dhe frika. Për të garantuar jetë të virtytshme, gjendja më ideale për njeriun, ishte mungesa e pasioneve. Kjo, sipas tyre, arrihej përmes ekuilibrit perfekt të arsyes dhe përmes urtësisë. Sistemi i filozofisë stoike u ndërtua sipas modelit të Aristotelit, i ndarë në tre pjesë: logjika, fizika dhe etika (morali).

Logjika stoike
Stoikët mendonin se njeriu krijon dijet për sendet dhe botën, përmes perceptimeve të tij shqisore. Teoria e tyre e njohjes, bazohet te ndijimet, të cilat lënë pamjen (imazhin) e tyre në mendjen tonë. Pamjet e përsëritura të objekteve, krijojnë kujtesën njerëzore dhe mundësinë e formimit të koncepteve të reja më të përgjithshme. Pra, stoikët pohonin lidhjen e mendimit, me ndijimet e njeriut. P.sh., krijimi i pamjes së malit, vjen si rezultat i perceptimit të tij, bazuar tek të parët. Por, si formoheshin konceptet abstrakte, si: dashuria, mirësia, urrejtja, etj.? Këtu, stoikët pranonin lidhjen e mendimit, me ndjenjat e njeriut. Sipas stoikëve, dija që ne krijojmë përmes perceptimit, hedh bazat e të vërtetave dhe shkencës. Sipas tyre, përvoja e krijuar rreth këtyre të vërtetave, realizohet si mendim sintetik. Pra, në fillim kapen anët e veçanta (mendimi analitik) dhe më pas krijohet figura, si një e tërë. Pra, perceptimi shndërrohet në unitet sintetik, i cili i jepet shpirtit tonë si e vërtetë e qartë. Në skemë, paraqiten shkallët që ndjek njohja njerëzore, sipas stoikëve. Përfaqësuesit e kësaj shkolle arrijnë në përfundimin se mendimi njerëzor, lind nga përballja e perceptimeve tona me objektet që na rrethojnë. Ata pranojnë se i vetmi realitet që ekziston në të vërtetë, është ai i sendeve materiale. Në këtë mënyrë, filozofia e tyre bën pjesë në rrymën e materializmit.

Fizika e stoikëve
Sipas stoikëve, bota është gjithmonë në lëvizje dhe ndryshim. Ekuilibri në gjithësi (univers), mbahet nga Zoti apo Arsyeja hyjnore. Sipas tyre, gjithçka është Zot dhe Zoti është gjithçka. Përfaqësuesit e kësaj shkolle filozofike arsyetonin se, asgjë nuk ndodh rastësisht. Ekziston një lloj rregulli natyror, i cili përputhet me logjikën supreme apo hyjnore, që drejton çdo gjë drejt shkakut final. Kjo mënyrë arsyetimi, është e njëjtë me atë që ne quajmë, fat.

Etika stoike
Duke pranuar se rregulli vendoset nga një mendje universale, si edhe duke e barazuar atë me fatin e njerëzve, kjo teori kufizonte shumë lirinë e individit. Nëse gjithçka është e përcaktuar dhe e parashikuar nga Arsyeja hyjnore, njeriut, në përpjekjen për të arritur më të mirën, i duhet vetëm t’i bindet këtij vullneti, Stoikët arsyetonin se njerëzit janë të lirë të zgjedhin, por duke pranuar nënshtrimin ndaj të përkryerës supreme.

Stoikët pranuan filozofinë e nënshtrimit të njerëzve ndaj fatit, duke e konceptuar atë si vullnet superior, të cilit duhet t’i bindeshin gjatë jetës së tyre. Ashtu sikurse regjisori, zgjedh aktorët e tij për të realizuar role të ndryshme, ashtu dhe Zoti përcakton fatet e njerëzve. Disa prej tyre do të luajnë role “kryesore”, disa të tjerë do të jenë më pak të rëndësishëm. Por, secili duhet të përpiqet të luajë sa më mirë “rolin” e tij. Kështu, edhe nëse je i varfër, skllav etj., duhet të jesh njëlloj i kënaqur dhe i përgjegjshëm, si të ishe sundimtar, i pasur, i lirë etj. Stoikët mendojnë se njerëzit nuk vendosin dot për rolet që do të luajnë në jetë, por ata mund të kontrollojnë ndjenjat dhe emocionet e tyre. Sipas tyre, ne, nuk duhet të biem pre e ndjenjave negative, si: zilia, xhelozia, urrejtja. Njeriu i mençur, qëndron indiferent ndaj këtyre ndjenjave, duke arritur qetësinë e shpirtit, pra, lumturinë. Ata mendonin se njerëzit nuk janë të aftë të ndikojnë te ngjarjet, por mund të kontrollojnë sjelljet e tyre ndaj këtyre ngjarjeve. P.sh., ne nuk mund të ndikojmë te vdekja, si dukuri, por mund të kontrollojmë frikën që kemi ndaj saj. Stoikët besonin se lumturia arrihej përmes një jete të urtë dhe të kontrolluar. Pasionet e trupit, sipas tyre, duhej të kontrolloheshin dhe të shtypeshin nga shpirti racional (për ta, shpirti dhe arsyeja, janë një). Në skemë, është jepet rruga që duhet ndjekur sipas stoikëve, për të arritur lumturinë.

Reflektoni dhe përgjigjuni
Cilat ishin tre pjesët e sistemit filozofik, të shkollës stoike?
Në filozofinë stoike, cila është baza e teorisë së njohjes? Cilat janë hapat e këtij procesi?
Pse themi se etika stoike kufizon lirinë dhe vullnetin e individit?
Vlerësoni disa nga parimet morale të etikës stoike. Në ç’formë vijnë ato sot?
Konkretizoni me shembuj nga jeta e përditshme.

Debat dhe dialog
Diskutoni rreth idesë së stoikëve: “Liria njerëzore duhet t’i bindet vullnetit hyjnor, duke iu nënshtruar fatit të paracaktuar”. Përpiquni të jeni bindës në argumentet tuaja pro ose kundër këtij parimi, duke organizuar në klasë debat sa më të plotë e konstruktiv

Jepni opinionin tuaj
Shprehni me shkrim qëndrimin tuaj, ndaj fjalisë së dhënë në mësim: Stoikët pranuan filozofinë e nënshtrimit të njerëzve ndaj fatit, për ta pranuar atë si vullnet superior, të cilit duhet t’i bindeshin gjatë jetës së tyre.