Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 7
Materializmi tipar i filozofisë së Marksit
Materializmi shpjegimi realist i botës
Karl Marksi (Karl Marx) lindi në 5 maj të vitit 1818 në qytetin Trir të Gjermanisë. Ai filloi studimet për drejtësi në Bon, pastaj vazhdoi në Berlin duke iu përkushtuar historisë dhe filozofisë. Në periudhën e parë të veprimtarisë së tij K.Marksi qëndronte në pozitat e filozofisë idealiste të G.Hegelit, por shpejt e kuptoi dobësinë e kësaj filozofie dhe hoqi dorë prej saj. Dialektika e tij është marrë nga filozofia e Hegelit, por nuk është dialektikë e “idesë”, ashtu si te Hegeli, por dialektikë e botës reale. Në vitin 1841 mbrojti tezën “Ndryshimi i filozofisë natyrore te Demokriti dhe Epikuri”. Për shkak të politikës reaksionare prusiane, Marksit iu ndalua karriera akademike dhe u detyrua të punonte si gazetar, e më pas kryeredaktor gazete, e cila shumë shpejt u mbyll nga qeveria prusiane. Kërkimet e mëtejshme, njohja me: jetën, marrëdhëniet ekonomike ekzistuese, me luftën dhe organizatat e punëtorëve në Francë, me kryengritjen e punëtorëve gjermanë etj., ishin faktorët që ndikuan për kalimin përfundimtar të tij (1844) në pozitat e komunizmit shkencor dhe të materializmit dialektik.
Marksi ishte njeri me intelekt të mahnitshëm dhe autodidakt. U detyrua të mërgojë në Francë dhe më pas në Angli. Në këtë periudhë Marksi shtroi nevojën e lidhjes së filozofisë me politikën. Me luftën e proletariatit, ai theksoi nevojën e bashkimit të lëvizjes revolucionare të proletariatit me botëkuptimin shkencor. Procesi i formimit të botëkuptimit të ri revolucionar përfundoi në vitin 1848 dhe kurorëzimi i këtij procesi ishte botimi i “Manifestit të Partisë Komuniste”. Në këtë vepër tregohet sesi Marksi dhe Engelsi bënë revolucion në fushën e filozofisë, krijuan materializmin dialektik dhe historik, filozofinë shkencore dhe revolucionare të proletariatit. Duke zbuluar dhe argumentuar misionin historik – botëror të proletariatit, ata e shndërruan socializmin nga utopi në shkencë dhe e vunë ekonominë mbi baza shkencore, duke zbuluar thelbin e shfrytëzimit kapitalist.
Materializmi i Marksit është dialektik, jomekanik si te Fojerbahu, sepse nëse forcat materiale ndikojnë mbi idetë dhe e kundërta është e vërtetë. Gjithë realiteti merret si proces në transformim të gjithanshëm me anë të: ligjit të mohimit të mohimit; kalimit të ndryshimeve sasiore në cilësore; ligjit të unitetit të të kundërtave. Veprat e tij nuk u botuan në kushtet e vlerësimit intelektual, sepse ishte përkrahës i veprimtarive revolucionare. Vepra kryesore e K. Marksit, “Kapitali” përmban të shkrira në një të vetme, pra të lidhura në mënyrë organike, të tria pjesët përbërëse të marksizmit: filozofinë, socializmin shkencor dhe ekonominë politike.
Kjo është arsyeja që kësaj vepre Marksi i kushtoi të gjitha forcat, duke sakrifikuar interesat e familjes dhe të shëndetit e tij. Vëllimi I i “Kapitalit” u botua në vitin 1867, ndërsa vëllimet e tjera pas vdekjes. Angazhimi i thellë për çështjen e revolucionit shoqëror, e bëri atë të lexojë dhe të shkruajë gjerësisht tema, të cilat sot nuk do të quheshin filozofike. Ndërsa në kritikën që i bën filozofisë së kohës në veprat “Familja e shenjtë” dhe “Mjerimi i filozofisë”, Marksi ngjan më tepër me një sociolog sesa me një filozof. Ndikimi i tij në filozofi ka qenë shumë i madh. Ai, si pjesë e vazhduesve të rinj të filozofisë hegeliane, u përpoq të bashkonte filozofinë gjermane me natyrën e njeriut. Marksi vlerësoi mendimtarët e filozofisë politike angleze. Si studiues edhe autodidakt i filozofisë së mëparshme, Marksi flet për “imperativin kategorik” kantian. Ndërsa në “Kritikën e së drejtës politike hegeliane” argumenton përmbysjen e të gjitha marrëdhënieve, në të cilat njeriu është i poshtëruar, skllavëruar, fatkeq dhe i përbuzur. Fjala është për emancipim njerëzor, të cilin Marksi e lidh me rolin e shkencës në përmirësimin e fatit të njerëzve. I mbështetur në materializmin e Fojerbahut, Marksi u përpoq të “ ringrinte mbi këmbët e saj” dialektikën hegeliane, nga dialektikë e idesë në dialektikë të mbështetur në materializëm.
Analiza e ekonomisë kapitaliste
Marksi analizon thellësisht shoqërinë kapitaliste dhe mënyrën e funksionimit të saj në veprën “Kapitali”. Duke qenë i mbështetur nga ekonomisti anglez, Adam Smith, dhe nisur nga analiza reale e marrëdhënieve kapitaliste, krijoi vizion të ri shoqëror. Vepra “Kapitali” fillon me analizën e mallit dhe “natyrës së dyfishtë të tij”, si një gjë konkrete e dobishme për njeriun, por edhe si marrëdhënie shoqërore. Vetëdija njerëzore, gjuha, zakonet dhe institucionet shoqërore burojnë nga veprimtaria kolektive, që është puna. Ajo është burimi i të gjitha vlerave dhe tipareve të çdo shoqërie. Vetëm nëpërmjet punës njeriu e shndërron botën dhe në këtë mënyrë përcakton edhe veten kundrejt saj. Prandaj Marksi u përpoq të shpjegonte lëvizjen e historisë nga pikëpamja ekonomike, si histori e zëvendësimit të sistemeve ekonomike, të cilat i rendit si më poshtë: komuniteti primitiv, skllavëria, feudalizmi, kapitalizmi, komunizmi. Në periudhën e hershme të zhvillimit shoqëror natyra e zotëronte njeriun. Me lindjen e pronës private ai ndahet nga natyra duke e zotëruar atë. Marksi idealizon dhe shoqërinë pa pronë private, në të cilën njeriu zotëron plotësisht natyrën dhe do të jetë sundues i saj duke u shkrirë me llojine jetës së tij. Kjo do të ishte faza më e lartë e zhvillimit të njeriut dhe shoqërisë. Në qendër të filozofisë së Marksit nuk është sovrani, llogaritari, avokati ose pronari i një prone, por njeriu i zakonshëm me veprimtarinë e të cilit mbështetet e gjithë shoqëria.
Si e përshkruan Marksi kapitalizmin?
Kapitalizmi, i bazuar në pronën private e tjetërson njeriun i cili shfrytëzohet nga ata që kanë para dhe pronë. Në këtë shoqëri, jo vetëm objektet, por edhe njerëzit shiten e blihen. Njëra palë nuk zotëron asgjë tjetër përveç fuqisë së krahut të punës, kështu ajo trajtohet si mjet fitimi nga pala tjetër. Marksi shprehet: “Paraja është vlera universale e të gjitha sendeve. Ajo i ka grabitur gjithë botës, botës së njeriut dhe botës së natyrës, vlerën e saj të vërtetë.”
A mund të ndryshojë kjo shoqëri?
Marksi e zëvendësoi konceptin idealist të Hegelit mbi zhvillimin e historisë, me teorinë e materializmit dialektik, sipas së cilës historia ecën përpara përmes zgjidhjes së kontradiktave. Nëse për Hegelin këto të kundërta ishin në mendim, Marksi mendonte se për zhvillimin e historisë nuk është ideja përcaktuese. Janë forcat “materiale” dhe realiteti material që përcakton edhe vetë zhvillimin e idesë. Në shkrimin e tij “Manifesti komunist”, Marksi besonte për një sistem shoqëror më të mirë sesa kapitalizmi. Kjo gjë, do arrihej me përmbysje revolucionare, sepse çdo shtet në themel është dhunë e njërës klasë ose e një grupi shoqëror ndaj tjetrës. Është misioni i klasës së re punëtore që ta përmbysë këtë sistem dhe të krijojë shoqëri të re.
Marksi ateist
Kritika e Marksit ndaj fesë bazohet në kritikën ndaj idealizmit të Hegelit. Ai e quan fenë opium për popullin, ëndërr nanuritëse që e përgjum dhe nuk e lejon të ketë ndërgjegje të saktë për botën. Ai thekson se ajo lindi në kushtet kur njerëzit primitivë nuk shpjegonin dot botën dhe vazhdon te njerëzit nga rrethanat e palumtura ekonomike, duke mos gjetur rrugëdalje për realitetin ku ndodhen. Duke e lidhur me kushtet ekonomike, ateizmi i Marksit e lufton fenë dhe botën e iluzioneve që i ofrohet njerëzve prej saj.