Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 17
Strukturalizmi dhe hermeneutika si pjesë e filozofisë moderne
Strukturalizmi – metoda e studimit gjuhësor
Filozofia në kohën që jetojmë, përfaqëson një sistem kulturor të shoqërisë njerëzore. Ajo është bërë pjesë e jetës së përditshme dhe e problemeve të njeriut, sidomos në lidhje me bashkësinë e njerëzve dhe kulturën e tyre të përbashkët. Shpesh duket sikur filozofia është larguar nga konceptet që jemi mësuar të dallojmë në epoka të ndryshme. Sot në të vërtetë ajo përfaqëson edukimin kulturor të njeriut, duke u mbështetur në historinë e shoqërisë. Gjithashtu ajo kërkon vendin e ri të individit, duke u mbështetur edhe në shkencat e reja humane, si: antropologjia, linguistika, etika, estetika dhe arti.
Strukturalizmi si drejtim i kohëve moderne, mbështetet në idenë se dukuritë shoqërore dhe kulturore, varen si nga individi dhe nga veprimet e tij, por edhe nga proceset e pavarura të të menduarit të tij. Strukturalizmi është jo vetëm drejtim studimi specifik, por edhe metodë e përbashkët e disa shkencave, për të kuptuar realitetin shoqëror si një tërësi elementesh. Këto elemente (struktura) nuk mund të ekzistojnë të shkëputura nga njëra – tjetra. Linguistika (shkenca e gjuhës), ishte elementi i studiuar nga strukturalisti Ferdinand dë Sosyr (Ferdinand de Sosyr, 1857-1913). Ai mendon se gjuha është mjet komunikimi dhe përcjellëse e ideve mes njerëzve. Si e tillë, ajo është formë dhe jo substancë konkrete. Sosyr ka meritën e ndryshimit të konceptit klasik të gjuhës, si grumbull fjalësh që shërbejnë për të dalluar sendet dhe dukuritë. Për të, gjuha nuk është vetëm një shenjë dalluese, por sistem i strukturuar, proces i vazhdueshëm logjik brenda një konteksti të caktuar të kushteve historike dhe shoqërore. Gjuha nuk përfaqëson të “folurën” e individit në mënyrë arbitrare, por sipas një strukture që vendoset midis njerëzve dhe lidhet me krijimin e marrëdhënieve shoqërore të drejta midis tyre. Kuptimin e gjuhës Sosyri e lidh vetëm me shoqërinë. Në punimin e tij “Kursi i gjuhësisë së përgjithshme”, ai pohon se çdo njësi gjuhësore ka dy funksione: – dallues, – kombinues. Fjalët nuk janë etiketa, që u vendosen sendeve, por ato ekzistojnë sepse kanë aftësinë të lidhen me njëra –tjetrën dhe kështu shprehin mendimin njerëzor.
Klod Levi Stros (Claude Levi – Strauss ,1908-2009) ishte antropologu, që aktivitetin e tij ia kushtoi drejtimit strukturalist dhe vendosjes së tij në një bazë të re etnike dhe antropologjike. Ai u përpoq ta bënte strukturalizmin shkencë për kulturën dhe shoqërinë. Strukturalizmi i tij mbështetet në tri teza themelore:
– Fenomenet sociale dhe kulturore, kanë përmbajtje të përbashkët (kolektive) dhe si të tilla ato marrin kuptim. Ai flet për një ide të përbashkët shoqërore, që shfaqet në zakonet e njëjta, traditat, gjuhën etj.
– Në të gjitha kulturat ekziston raporti reciprok midis individëve, për të vendosur rregull në marrëdhëniet e tyre.
– Individët duke jetuar në një mjedis natyror dhe kulturë të përbashkët i detyrohen njëri – tjetrit, këmbejnë objekte, mirësi dhe solidaritet.
Si arriti K. Stros në këto përfundime?
Ai i përqendroi studimet e tij te mitet, si krijimtari e popujve në shekuj. Njohu mirë cilësi të njerëzve në: Europë, Amerikë, Australi etj. Në këtë mënyrë kuptoi unifikimin e individëve përmes kulturës së tyre. Kushtet dhe problemet e përbashkëta bashkojnë individët në grupe. Nga kjo pikëpamje kultura nuk mund të paragjykohen, sepse secila lidhet me veçori dhe me kushte të ndryshme nga tjetra. Disa mendime të postmodernistëve dhe vazhduesve të strukturalizmit janë:
M. Foucault
Psikologjia zbuloi ndryshimin e njeriut gjatë jetës. Shoqëria ka krijuar edhe disa forma edukimi, të cilat e pengojnë njeriun të jetë ai që dëshiron. Në kohën e sotme ai përpiqet të ruajë individualitetin e tij, për të mos humbur në zhvillimin teknologjik dhe automatizimin e shoqërisë.
J. Derrida
Ndryshimi i qëllimit të shkencave ka ndryshuar shoqërinë dhe vendin e njeriut në të. Janë kushtet historike ato që ndikojnë në përvojën e secilit, në mënyrën e të menduarit për veten dhe të tjerët.
Hermeneutika
Hermeneutika – (greq. interpretoj), pra njeriu studion më parë shkencën dhe kushtet e saj, reflekton dhe interpreton duke përcaktuar vendin e tij në këtë realitet. Hermeneutika është drejtim i ri në filozofinë moderne, e cila lidhet me aftësinë e shpirtit njerëzor, për të kuptuar thënie të ndryshme për botën. Ajo është arti i interpretimeve tona për botën. Interesi kryesor, është të kuptuarit e botës nga njeriu. Për ta arritur këtë, hermeneutika, ka si objekt format e shprehjes së jetës, si: arti, muzika, skulptura dhe veprimet e njerëzve në lidhje me to. Përfaqësuesi i hermeneutikës, H.G.Gadamer shprehet:“Qenia ose bota që ne njohim, është gjuhë”. Gjithçka që njeriu kupton duhet ta interpretojë sipas mënyrës së tij. Studimi ka rëndësi për kuptimin e ndryshimit në historinë e njerëzimit, reflektimit mbi të dhe interpretimit individual të shoqërisë. Ky është rrethi që përshkon njeriu gjatë jetës dhe që e ndihmon në orientimin e tij. E rëndësishme është që ai të përdorë përvojën e tij në kuptimin e gjërave, p.sh., një ngjarje historike interpretohet në mënyra të ndryshme, sepse vetë historia është në ndryshim, prandaj dhe reflektimet për të varen nga individi, që e jeton në mënyrën e tij.
Reflekto dhe përgjigju
Cili është qëllimi i drejtimeve moderne në filozofinë moderne?
Përse është i rëndësishëm roli i individit në filozofinë bashkëkohore?
Çfarë aspektesh historike ndihmojnë në kuptimin e kulturës në shoqëri?
Si ndikon përvoja e individit në konceptin hermeneutik të studimit?
Jepni opinionin tuaj
– Shpjegoni lidhjen midis kulturës dhe gjuhës sipas strukturalizmit dhe hermeneutikës.
Kultura __________________________________________________ Gjuha
– Sa objektiv dhe i saktë mund të jetë gjykimi juaj personal ndaj një ngjarjeje?