Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mesimi 10, Filozofia intuitiste e Henri Bergsonit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 10

Filozofia intuitiste e Henri Bergsonit

Intuita baza e kuptimit të thelbit
Henri Bergson (Henri Louis Bergson) lindi në Paris në vitin 1859. Nëna e tij ishte me origjinë angleze, kurse i ati ishte profesor muzike dhe kompozitor. Pasi përfundoi shkollën Normale Superiore në vitin 1881, Bergsoni dha mësim për njëzet vjet si profesor i filozofisë në liceun e Anzherit, Klemont – Feranit, e më pas në Paris.

Vepra e parë e tij ishte “ Sprovë mbi të dhënat e atypëratyshme të vetëdijes”. Më pas botoi “Materia dhe kujtesa”, e cila u përhap shumë në publik për shkak të qartësisë mbresëlënëse dhe bukurisë së gjuhës së përdorur. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Bergsoni (anëtar që nga viti 1914 i Akademisë Franceze dhe president i Akademisë së Shkencave Morale e Politike) u dërgua shumë herë për misione diplomatike në Spanjë dhe në Shtetet e Bashkuara. Në 1927-ën, Bergsoni fitoi çmimin Nobel në letërsi me veprën “Zhvillimi krijues”. Vdiq në Paris më 4 janar të 1941-it, kur po vendosej politika naziste kundër hebrenjve.

“Hovi jetësor” i Bergsonit
Si mbrojtës dhe mbështetës i evolucionit krijues, Bergsoni është mbrojtës i gjithçkaje që arrin kulmin e vet përmes evolucionit. Ai këtë e sheh si një zhvillim pa fund dhe të vazhdueshëm, por të paplanifikuar më përpara. Në veprën e tij “Materia dhe kujtesa”, ai përpiqet ta kuptojë jetën si një proces në të cilin nuk është i rëndësishëm rezultati përfundimtar, por rruga, forca rrënjësore që çon drejt zhvillimit më të lartë. Këtë forcë Bergsoni e quan “hov jetësor”. Gjithë bota për të është e gjallë dhe e vetëdijshme, jo në kuptimin e një shkence të saktë, por në atë të një filozofie “intuitive”. “Hovi jetësor” vepron te njerëzit, po ashtu edhe në gjirin e natyrës, duke bërë të ecë përpara si historia natyrore edhe ajo shoqërore.“Hovi” për Bergsonin nënkupton gjallërimin e një force të aftë për një rifillim gjithmonë të ri. Këtë fakt ai e zbulon mrekullisht në larminë fantastike të botës së gjallë, me të gjitha format e admirueshme të llojeve dhe aftësisë së tyre për t’u përshtatur sipas nevojave jetësore. Për Bergsonin historia e natyrës është e hapur, e ardhmja ndodh në mënyrë të re dhe të paparashikueshme. Ky fakt kërkon nga individi, nga shoqëria dhe nga shkenca një gatishmëri në çdo kohë për përvoja të reja.

Koncepti i intuitës
Bergsoni e ka konceptuar intuitën në raport me inteligjencën, si mënyrë për të njohur botën. Inteligjenca për të është shumë e rëndësishme si një proces njohjeje, sepse ka gjëra që vetëm ajo mund t’i gjejë. Sipas Bergsonit ajo e vetme nuk mund ta kuptojë jetën në mënyrë të natyrshme. Kjo sepse inteligjenca i copëton gjërat e lidhura të botës për t’i studiuar më mirë. P.sh., studimi i pjesëve të trurit për të kuptuar funksionin e plotë të tij, studimi i një qelize në mikroskop për të kuptuar jetën e një gjallese etj. Kjo për atë nuk është njohje e thellë e botës. Ajo që e realizon këtë proces sipas tij është intuita.

Ç´është intuita për Bergsonin?
Ajo është një instinkt i vetëndërgjegjësuar , i aftë për të reflektuar për veten. Bergsoni shpreh pamjaftueshmërinë e inteligjencës, rëndësinë e zotërimit të intuitës, momentin kur subjekti njehsohet me atë që do të njihet. Ai është dualist. Bergsoni e veçon materien dhe shpirtin. Njeriu është qendra e perceptimit dhe e veprimit në botë. Ai ka trurin, i cili përzgjedh edhe kujtesën tonë, zgjedh gjërat që na duhen në një çast të dhënë dhe ato që janë të dobishme për ne. Intuita na jep kuptimin më të mirë të jetës sipas Bergsonit. Që të arrijë deri tek ajo, njeriu vihet edhe në kundërshtime me veten derisa të hapet një realitet tjetër dhe një nivel i ri njohjeje.

Morali dhe feja
Për Bergsonin morali përbëhet nga parime dhe rregulla, ndërsa feja përbëhet nga ritet dhe ceremonitë. Të dyja kanë synim të ndikojnë dhe të veprojnë për të shkatërruar gjërat e fiksuara e për t’i dhënë lirinë e plotë qenies njerëzore. Morali dhe feja kanë parime, institucione, struktura solide, të cilat Bergsoni i quan të ligjshme. Ato kanë brenda edhe “hovin” e ndryshimit, si themeli i subjektit të lirë, krijues deri në pafundësi. Përtej subjektit fetar, që e gjen veten në një institucion, përtej subjektit moral, që iu bindet parimeve, ka një subjekt të lirë që kapërcen çdo të dhënë të ngurtësuar. Ai është shpirti krijues me hov jetësor.

Reflekto dhe përgjigju
Ç’do të thotë për Bergsonin të njohësh realitetin?
Ku ndryshon inteligjenca nga intuita?
Nga buron detyrimi moral?

Jepni opinionin tuaj
Si e kuptoni lidhjen e intuitës së Bergsonit me njeriun që doli i pari jashtë nga shpella e Platonit?
A e ndihmoi intuita atë?