Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 8,9
Aristoteli dhe sistemi filozofik i tij
Aristoteli dhe shkolla peripatetike
Aristoteli (385 – 322 p.e.s.) lindi në Stagirë, zona verilindore të Greqisë së sotme. Ai ishte i biri i mjekut të familjes mbretërore të Maqedonisë, prandaj u edukua si aristokrat dhe në moshën 17 vjeç hyri në Akademinë e Platonit. Në akademi ai kaloi 20 vjet të jetë së tij, në fillim si student dhe më pas si mësues. Kur vdiq Platoni, Aristoteli u largua nga Athina për në Jonë. Aty studjoi natyrën e egër të zonës. Më vonë ai emërohet mësues në oborrin mbretëror maqedonas dhe kishte nxënës Aleksandrin e Madh. Më 335 p.e.s., i nxitur edhe nga Aleksandri i Madh, kthehet në Athinë për të ngritur shkollën e tij filozofike, Liceun apo shkollën peripatetike (peripatetic – lëvizës, shëtitës – sepse mësimi zhvillohej shpesh në natyrë). Kjo shkollë kishte vlera të rëndësishme për zhvillimin e mendimit filozofik të kohës. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, për shkak të revoltave antimaqedonase, Liceu u mbyll dhe Aristoteli u zhvendos në Kalkis, në ishullin Eubea, ku edhe vdiq. Veprat kryesore të tij, janë: “Metafizika”, “Etika e Nikomakut”, “Politika”, “Retorika”, “Organoni” etj.
Metafizika e Aristotelit
Sipas Aristotelit, metafizika është shkenca që studion natyrën e qenies në përgjithësi, si dhe parimet bazë të ekzistencës së saj. Ndërsa shkencat e ndryshme merren me anë të veçanta të realitetit, si: trupat materialë, trupin e njeriut, sjelljen e tij etj., metafizika studion thelbin e ekzistencës së gjithçkaje. Këtë Aristoteli e quante substancë. Të ekzistosh, sipas tij, do të thotë të jesh lloj i veçantë i substancës. Sipas tij, kur ne mendojmë për një send të caktuar, në fillim kemi përcaktuar thelbin e tij dhe më pas cilësitë e ndryshme. P.sh., kur themi, “tavolinë druri, e rrumbullakët”, në fillim kemi kapur thelbin e kuptimit mbi tavolinën dhe më pas, cilësitë e saj: e rrumbullakët dhe prej druri. Megjithëse ka ekzistencën e saj (thelbi i të gjitha tavolinave është i njëjtë), substanca, nuk mund të gjendet e veçuar nga vetitë. Çdo send i veçantë, ka cilësitë e tij, që Aristoteli i quajti formë. Gjithashtu ka edhe përmbajtjen ku zbatohen këto cilësi, që ai e quajti materie. Sipas Aristotelit, çdo subjekt përbëhet nga materia dhe forma. Megjithëse i dalloi nga njëra-tjetra, ai pranonte se nuk mund të gjejmë kurrë materie pa formë dhe anasjelltas. Çdo gjë që ekziston, pra substanca, është bashkim i formës dhe materies. Materia, është qenia, që mund të përfytyrohet si lëndë e parë, p.sh., druri, mermeri etj., dhe që merr forma të ndryshme nga dora e mjeshtrit. Ndryshe nga Platoni, që e mendonte trupin të ndarë nga shpirti i njeriut, duke e menduar si burg për të, Aristoteli besonte se shpirti është forma e trupit dhe se ata janë në unitet me njëri-tjetrin. Aristoteli kundërshtonte teorinë e botës së ideve të Platonit. Sipas tij, idetë e lindura nuk ekzistojnë. Aristoteli e bazonte njohjen njerëzore tek shqisat dhe përvoja e tyre. Përmes vëzhgimit, thoshte ai, ne arrijmë të dallojmë karakteristikat e çdo specie, çfarë i bën të dallueshme apo të ngjashme ato, me njëra-tjetrën. Në bazë të këtij studimi ai hartoi klasifikimin e zhvillimit të botës, në formë hierarkie. Në përfundim, Aristoteli pranon idenë e motorit të parë, të përjetshëm, që vë në lëvizje gjithçka. Ai arsyeton se motori i parë ka këto tipare:
– vepron në kohë, por nuk ka kufizim në kohë, sepse është i përjetshëm;
– vepron në hapësirë, por nuk ka përmasa të përcaktuara, është i pakufizuar dhe i pafund;
– nuk ka asnjë grimcë materie, por është mundësi e kulluar e saj.
Këtu Aristoteli pranon fuqinë hyjnore, apo Zotin, që është arsyeja e kulluar, e mira supreme, drejt së cilës tentojnë të arrijnë të gjitha qeniet.
Biologjia
Aristoteli bën një përshkallëzim hierarkik të natyrës, që paraqitet në skemën më poshtë. Për të klasifikuar botën që na rrethon, ai u nis nga karakteristikat e përbashkëta të llojit (species), për të përcaktuar më pas nëse një lloj i përkiste asaj kategorie apo jo. Kjo ndarje përfshinte: materien e ngurtë, materien organike, gjallesat (organizmat e gjalla) dhe organet brenda tyre. Tek natyra e gjallë, në fillim, bëjnë pjesë bimët, të cilat realizojnë vetëm funksionin e të ushqyerit, duke marrë lëndë ushqyese nga materia e qendrueshme, pra, nga mjedisi që i rrethon. Më lart tyre, qëndron bota shtazore, e cila ka më shumë funksione: realizon ndijimin dhe lëvizjen. Aristoteli thekson vazhdimësinë e botës së gjallë, pra zhvillimin nga bimët tek kafshët dhe më pas tek njeriu, i cili përveç aftësive të dy shkalllëve të para të renditjes (aftësive vegjetative, ndijimit dhe lëvizjes), zotëron dhe aftësi të tjera më të larta, siç është të menduarit. Kjo cilësi, i jep atij mundësinë e veprimit dhe të pavarësisë.
Aristoteli: Logjika, etika, virtyti
Logjika
Aristoteli është themeluesi i logjikës formale (pjesë e logjikës), që merret me studimin e rregullave të të menduarit, derisa të arrihet e vërteta. Idetë lidhur me këtë fushë ai i paraqiti në veprën “Organoni”. Sipas Aristotelit, arsyetimi duhet të niset nga disa premisa, për të arritur në një përfundim (konkluzion). Ky lloj arsyetimi, u quajt, silogjizëm. Duke përdorur silogjizmin si formë të logjikës, Aristoteli nxjerr në pah fuqinë e arsyes njerëzore, e cila ka aftësi të mësojë nga praktika. Sipas tij, silogjizmi përfaqëson lidhjen mes pohimeve, për vetitë thelbësore të një sendi apo dukurie, në mënyrë që konkluzoni të jetë i padiskutueshëm. Vërtetësia e silogjizmave, sipas Aristotelit, lidhet me saktësinë e premisave. Përmes kësaj metode, u përpoq të gjente rrugën drejt konkluzioneve të qëndrueshme dhe të vërteta. Në formën klasike, Aristoteli, vendosi këtë strukturë të përgjithshme të silogjizmit:
Nëse, të gjitha A janë B (A Premisa e parë – Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm)
dhe
Të gjitha B janë C (B Premisa e dytë – Sokrati është njeri)
atëhere
Të gjitha A janë C (C Konkluzioni – Sokrati është i vdekshëm)
Etika
Etika e Aristotelit, megjithë mangësitë e saj (si p.sh:, përligjjen e punës së skllevërve dhe nënshtrimin e gruas, si qenie inferiore), shërbeu si bazë për filozofët modernë të mëvonshëm. Sipas Aristotelit, çdo njeri gjatë jetës së tij ka një qëllim për të arritur. Ai ndryshe nga Platoni (që hidhte idenë e së mirës, të shkëputur nga përvoja), pyetjes: “Cila është më e mira, që synon të arrijë sjellja njerëzore?”, do t’i përgjigjej, se parimi i së mirës dhe i së keqes është brenda çdo njeriu. Ajo zbulohet përmes sjelljes së tij të përditshme. Për atë, njeri i mirë është ai që realizon funksionin e tij si njeri, pra kur veprimtaria e shpirtit është në përputhje me virtytin. Përgjithësisht njerëzit synojnë drejt kënaqësive të jetës, pasurisë dhe nderimeve, sepse mendojnë se ato u sigurojnë lumturinë apo të mirën. Sipas Aristotelit, lumturia është rruga e shpirtit drejt virtytit, larg pasioneve, si: urrejtja, lakmia, gjaknxehtësia, etj.
Virtyti si “mesi i artë”
Virtytet e moralit nuk lindin tek ne nga natyra, por kanë të bëjnë me zakonet dhe sjelljen tonë gjatë të gjithë jetës. Është i njohur konceptimi i Aristotelit për virtytin si “mesi i artë”, sipas të cilit, njeriu duhet të zbulojë masën e duhur të
pasioneve dhe veprimeve të tij, pa teprim apo mungesë. P.sh., të ndjesh emocionet e frikës, urrejtjes, mëshirës dhe kënaqësisë, në masën e duhur, në vendin dhe njerëzit e duhur, do të ishte “mesi i artë”. Sipas Aristotelit, kjo sjellje është rezultat i kontrollit racional (të arsyes) mbi pasionet. Ai nuk nënkupton hedhjen poshtë të ndjesive dhe dëshirave të njeriut, por veprime të matura, ku rol të rëndësishëm luajnë të mësuarit dhe të lexuarit (urtësia filozofike). Aristoteli thekson rolin e arsyes, të të menduarit dhe urtësisë filozofike, në zgjedhjen e sjelljes së drejtë, që na udhëheq në jetën e përditshme. Virtytet kryesore të moralit janë: kurajua, maturia, drejtësia, toleranca, miqësia dhe vetëbesimi. Megjithatë, “mesi i artë” nuk është i njëjtë për çdo person dhe për çdo veprim. Për më tepër, sipas tij, për disa veprime nuk ka “mes të artë”, të tilla janë sjellje, si: zilia, tradhëtia, vjedhja, vrasja, etj. Lumturia, për Aristotelin, është e mira që njeriu mund ta arrijë përmes një jete në ekuilibër, ku virtyti i përmbahet rregullit të mesit të artë.
Politika
Aristoteli, sikurse Platoni, pranon rëndësinë e madhe të politikës dhe organizimit të shtetit për të mirën e shoqërisë njerëzore. Në veprën e tij Politika, ai lidh ngushtë interesat e individit me shtetin. Sipas tij, njeriu është një kafshë politike (zoon politicon), që do të thotë se, nga vetë natyra si qytetar ai është i lidhur me shtetin dhe problemet e politikës. Nga ana tjetër, shteti është krijuar me qëllim të mirë, për t’u siguruar njerëzve: jetesën, ekonominë, moralin dhe veprimtarinë intelektuale. Sipas Aristotelit, asnjë individ, familje, apo shoqëri, nuk janë të vetëmjaftueshëm për kohë të gjatë. Në gjirin e polisit ka përplasje interesash, për shkak të përbërjes së ndryshme klasore të shoqërisë. Sipas tij, duhet gjetur ekuilibri i këtyre interesave, i cili nuk është statik, por ndryshon vazhdimisht, duke synuar mesin e artë. Ndryshe nga Platoni, Aristoteli nuk e pranon idenë e shtetit ideal. Ai mendon se politikanët, shpesh, nuk janë praktikë në vendimet e tyre, sepse shpesh nuk marrin parasysh rrethanat.
Reflekto dhe përgjigju:
Cili është objekti i studimit të metafizikës, sipas Aristotelit?
Si e shpjegon ai, raportin mes materies dhe formës në realitetin ekzistues?
Cili ishte koncepti për njohjen e botës?
Si e klasifikoi Aristoteli botën e gjallë? Në ç’pozicion qëndron bota e gjallë me shkencat e sotme moderne?
Sipas Aristotelit, cili është roli që luan virtyti në jetën e çdo individi?
Debat dhe dialog
Organizoni në klasë debat filozofik, me temë një nga shprehjet e Aristotelit:
“Njeriu është kafshë politike”.
Duke u bazuar në informacionet dhe përvojat tuaja, përpiquni, siç ndodh shpesh në filozofi, të jepni argumentet të qarta dhe bindëse. Gjatë diskutimit, respektoni fjalën e njëri-tjetrit. Për ta plotësuar debatin, mund të përdorni pamje, fakte ose shembuj nga jeta e përditshme.
Jepni opinionin tuaj
Shprehni mendimet tuaj, përmes një eseje të shkurtër, rreth thënies së Aristotelit: “Lumturia, është e mira, që njeriu mund ta arrijë përmes jetës në ekuilibër, ku virtyti i përmbahet rregullit të mesit të artë”.