Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 7
Platoni dhe qëllimi i filozofisë
Platoni dhe Akademia e Athinës
Platoni, lindi rreth vitit 427 p.e.s., në familje aristokrate të Athinës. Ai mori edukim të pasur, kryesisht në filozofi dhe politikë. Platoni ishte nxënës i Sokratit. Pas dënimit të tij me vdekje thuhet se Platoni u zhgënjye aq shumë nga Athina sa u largua nga qyteti. Ai udhëtoi për kohë të gjatë dhe u kthye në vendlindje kur ishte 40 vjeç. Në këtë kohë themeloi shkollën filozofike, Akademia, në krye të së cilës qëndroi deri sa vdiq, në vitin 347 p.e.s. Platoni ushtroi ndikim të madh tek nxënësi i tij Aristoteli, megjithëse shpesh nuk ndanin të njëjtat mendime. Ai formuloi një doktrinë të mirëfilltë e të gjerë, ku trajtoi tema të natyrës, kozmosit, politikës, drejtësisë, shtetit, etikës, shpirtit, erosit etj. Shumë vepra u ruajtën me kujdes, për shkak të famës së tyre. Më kryesoret, janë:
– Dialogët e hershëm (rreth 339 – 387): Apologjia, Kritoja, Giorgiasi, Hipia i Madh, Menoni, Protagora.
– Dialogët e mesëm (rreth 380 – 360): Fedoni, Fedri, Republika, Symposium-i.
– Dialogët e vonë (rreth 360 – 355): Parmenidi, Sofisti, Theteti.
Platoni kishte qenë i pranishëm në dënimin e mësuesit të tij, për të cilin ushqente adhurim dhe respekt, prandaj i shkroi ato që kishte mësuar prej tij. Në veprën “Apologjia”, tregon për mbrojtjen e shkëlqyer të Sokratit para trupit gjykues, ndërsa në vepra të tjera, në formën e dialogut, përshkruhet metoda sokratike e njohjes. Platoni jetoi gjatë deri në moshën 80 vjeçare, duke lënë trashëgimi të pasur veprash dhe ndihmesë të madhe në zhvillimin e dijes së kohës që vazhdon edhe sot.
Qëllimi i filozofisë
Platoni, në veprën e tij “Republika”, shprehet se, filozofët kanë si qëllim të mbërrijnë tek e vërteta. Kjo nuk mund të arrihet duke u nisur nga opinionet e të tjerëve, por duke soditur thelbin në vetvete dhe të pandryshueshëm të gjërave. Këtë rol mund ta luajë vetëm filozofia, e cila na çon në rrugën e shkencës dhe të vërtetës. Filozofia, thotë Platoni, nuk është në gjendje t’i kthejë shikimin të verbërit, apo të mbushë enë boshe, por ajo është e aftë të zgjojë shpirtin njerëzor dhe ta çojë drejt dijes së vërtetë.
Teoria e njohjes: “Bota e Ideve”
Platoni, në ndryshim nga skeptikët, pranon se mendja njerëzore është e aftë ta njohë botën dhe realitetin ku jeton. Për të përshkruar rrugën që ndjek kjo njohje, Platoni formuloi teorinë e “Botës së Ideve”. Ai arsyeton se ndijimet tona për botën, ndryshojnë dhe zhduken me kalimin e kohës. Ato që mbeten të pandryshuara sipas tij, janë idetë, të cilat na mundësojnë njohjen e gjërave që na rrethojnë. Kur ne shikojmë një pemë, një shtëpi etj., i njohim menjëherë kudo dhe në çdo formë që i hasim. Kjo ndodh, sepse në mendjen tonë ekzistojnë idetë rreth tyre, me të gjitha karakteristikat përkatëse dhe në forma të përsosura. Objektet e përsosura apo format ideale, mund të mos ekzistojnë në botën që na rrethon, por ne i perceptojmë si të tilla, përmes fuqisë së arsyes. Kështu p.sh., në realitet mund të mos gjejmë figura gjeometrike të përsosura, por ne arrijmë t’i imagjinojmë si të tilla. Po ashtu, ne mund të arsyetojmë rreth dashurisë, drejtësisë apo mirësisë, si ndjenja ideale, megjithëse ato mund të mos jenë realisht kaq të vërteta. Pra, arsyeton Platoni, në mendjen tonë ne kemi format ideale të gjërave, të cilat duhet të kenë ekzistuar patjetër më parë, diku. Platoni mendon se duhet të ketë një botë idesh, të ndarë nga bota materiale, në të cilën gjenden të gjitha format ideale të objekteve fizike dhe të koncepteve. Sipas tij kjo mbretëri formash të përsosura, është realiteti i vërtetë, ndërsa bota rreth nesh është vetëm kopje, ose hije e zbehtë e origjinalit. Për të ilustruar idenë e tij, ai paraqet “Alegorinë e Shpellës”. Me anë të shqisave trupore ne mund të njohim vetëm botën materiale, ndërsa “Botën e ideve” e njohim përmes arsyes, si veti e shpirtit. Bota jashtë shpellës është bota e mrekullueshme e ideve, të cilën të burgosurit (pra, ne) nuk mund ta shohin. Secili prej nesh duhet të ushtrojë aftësinë e njohjes, për të vështruar brenda vetes, me qëllim që të zbulojë idetë e lindura në shpirtin e tij. Sipas Platonit këto ide janë të lindura, megjithëse ne nuk jemi të vetëdijshëm. Ai beson se shpirti i njeriut është i pavdekshëm dhe ka jetuar më parë në botën e ideve. Atje, ai është njohur me sendet dhe objektet në formën e tyre të përsosur, të kulluar. Zgjimi i kujtimeve mbi këto ide të lindura (reminishenca) bëhet me anë të arsyes. Ky proces, do të jetë çlirimi i njerëzve nga errësira e shpellës, pra, nga injoranca dhe dalja në dritën e dijes së vërtetë.
Çdo gjë në këtë botë, është kopje iluzore e formës ideale të “Botës së ideve”
“Bota e ideve” përmban format ideale të gjërave
Format ideale janë të lindura tek njeriu
Bota e perceptuar nga shqisat, është kopje e papërsosur e formave ideale
Dija është një proces rikujtimi , që kryhet përmes arsyes (reminishenca)
Rruga për të arritur tek dija e vërtetë
Në skemë, jepet mënyra se si e koncepton Platoni rrugën e njohjes njerëzore, përmes procesit të rikujtimit. Sipas tij, rrugët e realizimit të njohjes, do të ishin përmes zgjimit të vetëdijes, pastërtisë së shpirtit, virtytit dhe ngritjes intelektuale. Platoni me arsyetimin e tij se rruga për të arritur tek dija nuk është vëzhgimi, por arsyeja, hodhi bazat e racionalizmit të shek. XVII.
Dialektika platonike
Platoni shprehet se, dialektika është shkenca që studion marrëdhënien reciproke mes ideve. Ajo është rruga e vetme që të çon tek e vërteta, duke arritur në thelbin e qenies. Dijet e tjera, që nuk lidhen me format ideale, por me besimin dhe imagjinatën, i përkasin fushës së opinioneve, që nuk kanë qendrueshmëri dhe për këtë arsye nuk mund të arrijnë tek e vërteta. Tek vepra e tij, “Dialogët e vonë” (Parmenidi, Sofisti, Theteti), Platoni trajton, jo vetëm lidhjen mes botës së ideve dhe asaj reale, por edhe lidhjen mes vetë ideve me njëra-tjetrën, si përfshirje dhe përjashtim reciprok mes tyre. Kontradiktat janë pjesë e sendeve dhe dukurive të botës reale, ndërsa bota e ideve duhej të ishte në unitet të plotë. Por, meqënëse sendet rrjedhin nga bota e ideve, larmishmëria e marrëdhënieve mes tyre, çon në përfundimin se edhe mes ideve, ekziston ndërveprimi i të kundërtave. Kjo ide, pati rëndësi të veçantë për studimin e natyrës, sepse lejoi të vendoseshin lidhjet mes llojeve të ndryshme në natyrë dhe klasifikimi i tyre në grupe.
Politika e Platonit
Për Platonin, politika është e lidhur me moralin. Sikurse drejtësia është virtyt i njeriut të ndershëm, politika është tipar që karakterizon shoqërinë e mirë. Sipas tij, shteti është “një njeri me përmasa të mëdha” dhe duhet të funksionojë njëlloj si individi, duke respektuar virtytet dhe mirëqenien e qytetarëve. Duke ia nënshtruar politikën moralit, ai hedh poshtë idenë se: “Suksesi mund të arrihet me mjete të padenja”. Në veprën e tij “Republika”, Platoni hedh idenë e qytetit ideal, në krye të së cilit duhej të qëndronte mbreti – filozof. Kështu, duke bashkuar filozofinë me politikën, mund të ndërtohej një qeverisje e drejtë në interes të qytetarëve. Platoni besonte se, vetëm filozofët mund të kuptojnë natyrën e vërtetë të shoqërisë, drejtësisë dhe vlerave morale. Një nga shqetësimet e tij ishte edukimi i mirë i qytetarëve, me shpirtin e së drejtës, që lufton të keqen, të gabuarën, dredhinë.
Reflekto dhe përgjigju
Çfarë përfaqësonte për Platonin, “ Bota e ideve”? Po bota reale?
Mbi çfarë kriteresh e bazoi Platoni njohjen njerëzore?
Cili ishte kuptimi i dialektikës platonike?
Çfarë përfaqëson për Platonin, qyteti ideal?
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Diskutoni mes jush domethënien e shprehjes së Platonit, se:
Çlirimi i njerëzve nga errësira e shpellës dhe dalja në dritën e dijes së vërtetë, realizohet përmes zgjimit të vetëdijes, virtytit dhe ngritjes intelektuale.
Shprehni opinionin tuaj, duke dhënë argumente sa më të qarta dhe bindëse, lidhur me këtë temë.
– A mendoni se në botë, ka më shumë njerëz, që qëndrojnë brenda apo jashtë “shpellës”?
– Cilat do të ishin, sipas jush, rrugët e zgjimit të vetëdijes morale, kombëtare, politike dhe sociale, të tyre?