Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 7 Mësimi 9: Niçe dhe filozofia e tij e jetës

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 9

Niçe dhe filozofia e tij e jetës

Nihilizmi, qëndrimi mohues ndaj vlerave
Fridrih Niçe ( Nietzsche Friedrich, 1844-1900), ishte djali i një prifti protestant. Pas vdekjes së të atit shkoi me nënën dhe motrën e tij të jetonte në Naumburg. Që në moshën dymbëdhjetëvjeçare kishte krijuar kompozime muzikore dhe poema. Studioi në Bon për teologji dhe filozofi klasike. Një vit pas studimeve gjendet në Lajpcig i tërhequr nga veprat e Shopenhauerit. Në moshën 24- vjeçare, Niçe fitoi vendin e punës si profesor në disiplinën e filologjisë në universitetin e Balës. Vepra e tij e parë që botoi ishte “Lindja e tragjedisë” (1872). Në këtë vepër ai parashtroi idenë mbi dy fillimet e qenies dhe të kulturës njerëzore: njëri fillim, ishte fillimi dionisian (i mbushur me gjallëri, gaz dhe hare, plot me vrull ndjenjash, po aq dhe tragjik) dhe fillimi apollonian (meditues, me sens logjik dhe të vetëpërmbajtur, dhe që është njëtrajtësisht intelektual). Ideali, sipas Niçes, gjendet i mbërthyer në baraspeshën e këtyre dy fillimeve.

Pas daljes së veprës “Njerëzor, tepër njerëzor ” në vitin 1878 , u largua nga fakulteti për arsye të gjendjes së rëndë shëndetësore, e cila vazhdoi edhe dhjetë vitet në vazhdim. Niçe kishte shpirt të fortë, por vuante nga dhimbje koke të padurueshme që kalonin në kriza nervore. I alternuar mes sëmundjes, udhëtimeve, vetmisë dhe punës, ai botoi shumë vepra dhe dorëshkrime me përmbajtje të thellë filozofike, në të cilat shprehu dhe filozofinë e fuqishme të tij. Ai ishte filozof idealist irracionalist gjerman, një nga mendimtarët më të shquar të ditëve tona. Ky arsyetim u bë i mundur në kohën e sotme, kurse gjatë shek. XIX ai ka qenë injoruar. Vitet e fundit të jetës i kaloi i mbyllur në Naumburg, nën kujdesin e nënës dhe motrës së tij. Vdiq në Vajmar më 25 gusht të vitit 1900.

Niçeja dhe “mbinjeriu”
Njeriu dhe studimi i tij ishin themeli i filozofisë së Niçes. Vetë filozofia e tij njihet si “filozofia e jetës”, sepse ai studion njeriun dhe jetën e tij, si duhet të jetë përballë shoqërisë në tërësi. Sipas Niçes, të jesh njeri do të thotë të jesh një qenie që pranon dhe kapërcen; kapërcen një realitet faktik dhe kufizimet e tij. Njeriu nuk mjaftohet me atë që është, ai bën ndryshimin dhe vetë historinë. Ai zbulon vazhdimisht një vetvete të re përtej asaj që është. Këtë ndryshim pa ndalim të njeriut, Niçe e lidh me faktin se individi ka një pakënaqësi të pashërueshme në raport me realitetin që e jeton, e lidhur kjo me vetë natyrën njerëzore. Për filozofin nuk mund të quhesh njeri në rast se nuk provon të jesh më shumë se kaq.

Koncepti i “Vullnetit për pushtet”
Vullnetin për pushtet Niçe e quante bazë dhe burim të të gjitha sendeve e fenomeneve, të të gjitha proceseve që kryhen në natyrë e në shoqëri. Në veprat e tij “Vullnetit për pushtet” botuar në vitin 1906, “Kështu fliste Zarathustra”(1883 – 1891), Niçe shtjelloi parimet antihumanitare, antidemokratike të filozofisë së tij. Tabloja e botës, thoshte ai, duhet parë nga pikëpamja e vlerave dhe jo nga pikëpamja e objektivitetit të saj. Niçe kërkon të zbulojë çfarë jemi, çfarë duhet të bëjmë më tepër, si të luftojmë dhe si të fitojmë mbi vetveten duke përballuar rreziqet. Për këto duhet një vullnet i fortë i njeriut (mbinjeriu). Vullneti për pushtet mund të sjellë fitore mbi vetveten dhe gëzim për atë që e pranon. Vlerat e tjera sipas Niçes nuk kanë asnjë rëndësi dhe duhen rishikuar vazhdimisht. Këtë ide e shprehu në librin e tij “Përtej së mirës dhe së keqes”(1886). Nëse në antikitet quheshin vlera virtyti dhe fama, sot gjërat kanë ndryshuar dhe virtyt mund të konsiderohet edhe dija, fama etj. Vlerat e vjetra Niçe i zhvlerëson plotësisht, prandaj e etiketojnë edhe filozof nihilist ndaj tyre. Morali sipas tij ka vlerë kur në qendër të tij vendoset individi dhe jo shoqëria.

Idetë ateiste
Niçe edhe në qëndrimin ndaj Zotit është nihilist duke mohuar ekzistencën e tij. Këtë e bën në emër të “ mbinjeriut” dhe vullnetit të tij. Kur Niçe shpall lajmin se “zoti ka vdekur”, njerëzit sado me probleme të jenë nuk mund t’i drejtohen më zotit që nuk ekziston. Qenia njerëzore duhet tashmë të mbështetet në veten e saj, me vullnetin për pushtet, e vetme dhe me ambicien për të qenë zot i vetvetes. Ai ngrihet kundër njerëzve që u përmbahen rregullave të ngurta, që besojnë në dije të vërteta pa vendosur asnjë pikëpyetje. Këta Niçe i quan shpirtra të ngurtë. Vetë jeta e detyron individin, sipas tij në mënyra të ndryshme, të gjejë përgjigje të reja …e të kapërcejë veten.

Reflekto dhe përgjigju
Ku u mbështet Niçe në përcaktimin e vlerave dhe moralit? Përcaktoni cilësitë e “mbinjeriut”.
Pse Niçe vlerësohet si nihilist?
Si e argumenton ateizmin e tij?

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Ku qëndron ndryshimi i ideve për njeriun midis Kierkegardit dhe Niçes?

Jepni opinionin tuaj
Shkruani një ese për lidhjen e idesë së “mbinjeriut ” të Niçes dhe politikës Hitleriane mbi epërsinë e racës “Ariane”.