Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 7 Mësimi 6
Kierkegard dhe koncepti i ekzistencës
Ekzistenca është thelbi i qenies njerëzore
Soren Kierkegard (Kierkegaard) lindi në vitin 1813 në Kopenhagen. Ishte i fundit nga gjashtë fëmijët e një tregtari pëlhurash. Fëmijëria e tij u diktua shumë nga i ati, që ishte njeri i rreptë dhe autoritar. Kierkegardi në vitin 1830 filloi studimet për teologji në Universitetin e Kopenhagës. Ai ndërkohë interesohej edhe për filozofinë e letërsinë. Shpesh, Kierkegardi gjendej në rrethet intelektuale të shoqërisë së lartë daneze. Prej të atit trashëgoi melankolinë, por si njeri ishte më i thellë, më mendjehollë dhe më zemërmadh sesa ai. Për atë, mund të thuhe se i provoi mbi veten e tij rrjedhojat e depresionit nervor të prindërve. Kierkegardi pak nga pak mundi t’i shndërronte ato në mençuri. Deri në fund të jetës i qëndroi besnik të atit dhe e ruajti me fanatizëm kujtimin e tij.
Në vitet 1834 -1835 u godit nga një krizë e rëndë të cilën e quajti “tërmeti i madh”. Bindja, se mbi familjen e tij rëndonte një mallkim, e futi në depresion të thellë. I ati i la atij një trashëgimi me të cilën do të jetonte deri në fund të jetës. S.Kierkegardi ka pohuar: “Nëse një djalë është pasqyrë në të cilën babai shikon veten e tij, babai është gjithashtu një pasqyrë, në të cilën fëmija sheh vetveten”. Kështu e shprehte ai atmosferën shtypëse në të cilën jetonte. Vdiq shumë i ri , në moshën 37- vjeçare, pa pranuar lutjet e fundit të një prifti – nëpunës.
S.Kierkegardi përballë Hegelit
S.Kierkegard ishte teolog, filozof dhe shkrimtar danez. Ai doli me alternativën: duhet pranuar ose subjektivizmi i skajshëm dhe absolut, ose objektivizmi i mjegullt, që në të vërtetë nuk është objektivitet. Në kohën kur Kierkegardi studionte filozofinë, në shkollë sundonte hegelianizmi. Ai e kritikoi ashpër sistemin e Hegelit. Ky sistem përfaqësonte në vetvete largim nga realiteti dhe bota gjente mbështetje tek absolutja. Ajo nuk e lejon individin të jetë qenie krejtësisht individuale, pra jashtë kornizave të çdo lloj sistemi. Filozofia e Hegelit nuk do t’i shërbente për asgjë S.Kierkegardit, as edhe për të shpjeguar e zgjidhur atë që do të trondiste ekzistencën e tij individuale. Sistemi është një mendim i mbyllur dhe abstrakt.
Njeriu dhe ekzistenca
Sipas S.Kierkegardit çdo individ duhet të jetë ai që do vetë. Njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet asgjëje në botë. Ai është origjinal dhe i papërsëritshëm, sepse vjen vetëm një herë në jetë dhe e jeton vetëm një herë çdo çast të saj. Në ndryshim nga çdo sistem i filozofisë së mëparshme, njeriu ka cilësi ekzistencën, e cila është diçka që jetohet, por nuk përcaktohet dot. Sipas tij, ekzistenca është hapje, mundësi, ndryshim dhe zgjedhje. Sipas S.Kierkegardit këto cilësi i ka vetëm njeriu.
Shpesh veprat e tij ishin me pseudonime, ku paraqiti ide të ndryshme për aspekte të ndryshme të subjektivitetit dhe të së vërtetës. Nisur nga këto dije filozofike, një nga veprat e tij do të titullohej: “Ose – ose”(“Fragmente jete”) (1843). Ky libër është libri më i mirë i Kierkegardit (në gjuhën daneze “Euten –Elle”). Ai nuk është ndërtuar si grumbullim argumentesh për të pohuar “pro” dhe “kundër”. Pjesëmarrësit në dialogë janë personazhe të vërtetë, të bindur në drejtësinë e pohimeve dhe të kundërshtimeve që shprehin. Në libër dallohet synimi i autorit për të arritur atë që lexuesi të mbajë qëndrim të ndryshëm nga të gjithë të mëparshmit. Ndihet theksimi i sinqeritetit dhe i vetvetishmërisë së rrëfimit (kemi të bëjmë me vepër artistike dhe jo me traktat filozofik).
S.Kierkegardi pohon jo vetëm vlerën absolute të çdo individi, por edhe të çdo çasti të përjetuar. Individi ka tipar lirinë e përgjegjshme të tij. Në konceptin e ankthit, Kierkegard do të thotë të kesh humbur siguri filozofike, teologjike apo politike. “Sa më shpirt të vogël të kesh, aq më pak ankth ke”, – pohon ai. Ai që mendon lirinë e tij patjetër jeton dhe me frikën e humbjes dhe pasigurinë. Në këtë moment njeriu heq dorë nga çdo ngushëllim dhe e ndien veten të ngjashëm me Zotin. S.Kierkegard i kundërvuri objektivizmit të dialektikës së Hegelit, dialektikën subjektiviste (ekzistencialiste) të individit, e cila sipas tij, kalon nëpër tri stade në rrugën e vet drejt Zotit.
Stadet e ekzistencës, sipas tij dhe nisur nga jeta personale janë:
– Stadi estetik, në të cilin njeriu drejtohet nga nevoja të tilla, si bukuria dhe kënaqësia. Në këtë stad njeriu mundet të shkelë rregullat morale për hir të kënaqësive.
– Stadi etik, i angazhimit dhe besnikërisë, i martesës. Njeriu përballet me vuajtjen e jetës dhe ndihet njësoj si heroi tragjik. Kërkon të bëhet i pranueshëm në shoqëri, por edhe i nënshtrohet jetës.
– Në stadin fetar çdo njeri e vendos vetë besimin e tij. Edhe pse pa patur ndonjë siguri, ai e zgjedh me guxim atë duke marrë përgjegjësitë e jetës së vet.
Pra ky stad ka të bëjë më shumë me lidhjen e vetme dhe personale që bashkon njeriun me krijuesin e tij.
Kierkegardi dhe ideja e Zotit
Ashtu si e gjithë filozofia ekzistencialiste e tij, edhe qëndrimi ndaj Zotit duket shpesh kontradiktor. S.Kierkegardi dëshiron sundimin e fjalës së Zotit, por për të, Krishti është vetë paradoks. Ai nuk na mëson të vërtetën, por është vetë e vërteta. Për S.Kierkegardin është e domosdoshme të jesh i krishterë, por edhe e pamundur. Kjo pamundësi vjen nga nëpunësit e fesë, si njerëzit më profanë, duke qenë të bindur se janë mishëruesit e krishterimit. Kjo është “teologjia negative” e S.Kierkegardit.
Reflekto dhe përgjigju
Cili është koncepti i Kierkegardit për ekzistencën?
Pse ishte kontradiktore filozofia e tij?
Cilat janë veçoritë e stadeve të ekzistencës?
A ka ndikuar mënyra e jetesës në idenë e ankthit, për Kierkegardin?
DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Cilat janë shkaqet që mendoni se sjellin ankth dhe frikë në jetën tuaj.
Si i shmangni ato?
A jeni optimist në zgjedhjet tuaja? Jepni shembuj.