Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 4 Mësimi 3,4: Thoma Akuini. Filozofia në shërbim të teologjisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 4 Mësimi 3,4

Thoma Akuini. Filozofia në shërbim të teologjisë

Përshtatja e Aristotelit në funksion të krishtërimit
Thoma Akuini (Thomas Aquinas, 1225-1274), lindi në Rokaseka, afër Napolit (Itali), në familje aristokrate. Pasi studioi në universitetin e Napolit për gjashtë vjet me radhë, hyri në Urdhërin Domenikan, që ishte i njohur për nivelin e lartë intelektual dhe idetë përparimtare për kohën. Duke patur interes të madh për teologjinë, vazhdoi studimet në Këln, si nxënës i teologut aristotelian, Albertit të Madh (Albertus Magnus). Në vitin 1245 shkon me mësuesin e tij në Paris, ku qëndroi për 3 vjet dhe u diplomua në teologji. Në vitin 1252, Akuini do rikthehej në Paris, për t’u bërë Master (profesor) në teologji dhe për dhjetë vjet dha mësim në Paris, Romë etj. Akuini u bë njeri shumë i njohur dhe kisha i ofronte vazhdimisht poste të rëndësishme. Në vitin 1273, përjetoi një përvojë mistike (vizion), pas së cilës ai e ndërpreu punën dhe nuk shkroi më. Në vitin 1274, vdes në moshën 49 vjeçare. Në vitin 1323, Kisha Katolike e njohu Thoma Akuinin, shenjtor. Kontributi i tij në historinë e filozofisë është shumë i rëndësishëm. Veprat kryesore janë: “Çështje të diskutueshme mbi të vërtetën”, “Summa Teologica”, “Mbi përjetësinë e universit” etj. Filozofia e tij u ndikua shumë nga vepra e Aristotelit, të cilën ai e përshtati në funksion të krishtërimit. Kjo duket në disa drejtime:

– Së pari, Akuini përshtati konceptin e Aristotelit për hierarkinë e gjallesave. Këtë ide e mbështeti shumë kisha e asaj kohe. Të dy filozofët pranonin evolucionin nga format më të larta, deri tek ato më të ulëta, renditur sipas shkallëve të caktuara në formë hierarkie. Sipas Akuinit, në krye të piramidës është Zoti, nën të qëndrojnë engjëjt dhe poshtë tyre qeniet njerëzore, të cilët kanë përveç shpirtit dhe aspektin material (trupin). Në vazhdim vijnë kafshët, bimët, ndërsa në fund, katër elementet: ajri, toka, zjarri dhe uji.

– Së dyti, sipas Aristotelit, universi ka ekzistuar gjithmonë dhe është në lëvizje të përhershme. Por, kjo ide ishte në kundërshtim me Biblën dhe librat e tjerë të shenjtë, sipas të cilëve bota nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në ndryshim nga Aristoteli, që botën nuk e shihte të krijuar nga Zoti, Akuini e konsideronte Zotin si krijuesin e gjithësisë, si shkak të parë të ekzistencës dhe si motorin e parë, që ve në lëvizje gjithçka. Këtu, ndeshet arsyeja me besimin. Megjithatë, Akuini u përpoq të vërtetonte se arsyeja njerëzore nuk binte në kundërshtim me doktrinën e krishterë, sepse të dyja e kishin burimin tek Zoti. Ai bëri sintezën e krishtërimit me idetë aristoteliane. Akuini arsyetoi se, universi është i krijuar nga Zoti (pra ka një fillim), por është i përjetshëm (sikurse pranonte Aristoteli).

Pra, ne jetojmë në universin e përjetshëm, të krijuar nga Zoti.
Së treti, njohjen e botës, sikurse Aristoteli, Akuini e bazon në njohjen shqisore. Por, sipas Akuinit, kjo nuk është e mjaftueshme për të zbuluar thelbin e gjërave. Qeniet njerëzore, përmes intelektit, mund të kryejnë njohjen e botës duke përdorur arsyen. Ai vlerëson shumë përvojën e njeriut, që në mënyrë racionale njeh dhe zbulon botën. “Të kemi besim tek arsyeja dhe t’i japim rëndësi përvojës, pa u shkëputur kurrë nga ideja e Zotit krijues”- pohon Akuini. Së katërti, Akuini u bazua në idenë e Aristotelit, për unitetin e trupit dhe shpirtit. Por, sipas Aristotelit, shpirti i njeriut është i lidhur me trupin dhe asgjësohet pas vdekjes. Ndërkohë, Akuini beson në pavdekësinë e shpirtit njerëzor dhe ringjalljen e trupave, ide të cilën, Kisha Katolike e mbështeti.

Provat e ekzistencës së Zotit
Akuini u përpoq të formojë teori koherente midis krishtërimit dhe arsyetimit filozofik të Aristotelit, për të qenë njëherësh filozof i mirë dhe besimtar besnik. Ekzistencën e Zotit, u përpoq ta argumentonte në të dyja rrugët, filozofike dhe teologjike. Prova e parë, burimi i lëvizjes – Në botë, një pjesë e gjërave janë në lëvizje, ndërsa disa të tjera në qetësi, por në vetvete mbartin mundësinë e lëvizjes. Lëvizja e tyre nuk mund të bëhet vetvetiu. Sipas Akuinit, në realitet mund të gjenden shkaqe pafund, por nuk arrijmë dot të gjejmë shkakun fillestar të lëvizjes. Ky shkak duhet të jetë ndryshe nga qeniet tokësore dhe të lëvizë trupat, pa qenë vetë në lëvizje. Ai mund të jetë vetëm Zoti. Prova e dytë, shkaku dhe pasoja – Çdo gjë në botë, si p.sh., sendet, fenomenet natyrore apo ngjarjet shoqërore, nuk ndodhin asnjëherë pa shkak. Por, zinxhiri shkak – pasojë është i pafundëm dhe ne nuk mund të gjejmë shkakun fillestar të gjërave. Sipas Akuinit, shkaku i parë duhet të jetë ndryshe nga qeniet reale, të cilat kanë shkakun paraardhës. Kjo fuqi mund të jetë vetëm Zoti. Prova e tretë, qenia e domosdoshme – Në botë gjejmë qenie që ekzistojnë dhe të tjera që janë në mundësi dhe që nuk realizohen asnjëherë. Të gjitha këto qenie janë të rastësishme. Ato nuk mund të ekzistojnë përgjithmonë, por lindin, vdesin ose shkatërrohen. Sipas Akuinit, kjo të thotë se ekziston qenia, e cila është e domosdoshme nga vetvetja, nga e cila rrjedhin të gjitha qeniet e tjera në mundësi. Kjo qenie, sipas tij, mund të jetë vetëm Zoti. Prova e katërt, shkalla e përsosmërisë – Gjërat që ne njohim nga eksperienca, kanë shkallë të ndryshme përsosmërie, të cilën ne e matim duke e krahasuar me njëra -tjetrën. Por, nuk mund të themi për asnjërën prej tyre, se është më e përsosura. Atëhere, konkludon Akuini, duhet të jetë diçka që shënon përsosmërinë absolute, me të cilat krahasohet çdo gjë tjetër dhe ky mund të jetë vetëm Zoti. Prova e pestë, rregulli universal – Ne shohim, se në natyrë ekziston një rregullsi perfekte, si p.sh., lindja dhe perëndimi i diellit, ndërrimi i stinëve, batica dhe zbatica etj. Ato veprojnë në mënyrë të paracaktuar drejt funksionit të caktuar. Por, meqënëse këtu nuk flitet për planifikim, sepse sendeve u mungon arsyeja, atëherë duhet të mendojmë se këto gjëra nuk ndodhin rastësisht, por janë vepër e inteligjencës universale, që vendos rregull. Sipas Akuinit, kjo forcë mund të jetë vetëm Zoti.

Lidhja mes kishës dhe shtetit
Akuini ndikoi shumë në lidhjen e shtetit me kishën. Siç shprehet ai, ato shkojnë bashkë, sikurse arsyeja dhe vullneti hyjnor apo rregulli hyjnor dhe rregullat tokësore. Sipas Akuinit, shteti është krijuar nga Zoti dhe funksionet që ai kryen, janë dhënë prej kësaj fuqie, me qëllim rregullimin e jetës së njerëzve në Tokë. Shteti përmes ligjeve, duhet të sigurojë të mirën e përgjithshme, paqen dhe harmoninë. Megjithëse ka rolin e tij, shteti nuk mund të jetë i pavarur plotësisht. Shteti duhet t’i nënshtrohet kishës, e cila përshtat interesat dhe ligjet tokësore, me drejtësinë hyjnore.

Reflekto dhe përgjigju
Çfarë rrugësh ndoqi Akuini, për të përshtatur filozofinë e Aristotelit me doktrinën e krishterë?
Cilat ishin provat, që solli Akuini për të provuar ekzistencën e Zotit?
Si e mendon Akuini, rolin e shtetit në raport me kishën e krishterë?

DISKUTOJMË IDE FILOZOFIKE
Diskutoni rreth idesë së Akuinit, për teorinë e njohjes: “Të kemi besim te arsyeja dhe t’i japim rëndësi përvojës, pa u shkëputur kurrë nga ideja e Zotit krijues.”

Jepni opinionin tuaj
Arsyetoni me shkrim rreth temës: “Atje ku arsyeja është e aftë të njohë, besimi është i panevojshëm dhe atë që feja e pranon përmes besimit, nuk mund ta vërtetojë arsyeja njerëzore.” Reflektoni për dallimin mes filozofisë dhe teologjisë, si disiplina të ndara dhe të pavarura nga njëra – tjetra.