Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 2 Mësimi 4: Skepticizmi antik dhe e vërteta mbi moralin

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 2 Mësimi 4

Skepticizmi antik dhe e vërteta mbi moralin

Rryma e skepticimit, si dyshim mbi dijen
Skepticizmi është rrymë filozofike e periudhës helenistike, që vjen nga fjala greke, skepsis, që do të thotë mendoj, shqyrtoj. Kjo filozofi shtronte dyshimin mbi vërtetësinë e të gjitha dijeve njerëzore. Fjala skeptik, përdoret edhe sot, për t’iu referuar të menduarit dyshues dhe mospranimit të gjykimeve përfundimtare. Skeptikët vunë në dyshim filozofinë e mëparshme të Platonit, Aristotelit, Epikurit, stoikëve, lidhur me mundësinë e njohjes së botës.

Veçoritë kryesore të skepticizmit antik, janë kërkimi i pandërprerë i së vërtetës dhe gjetja e argumenteve kundër çdo pretendimi dogmatik, që e konsideron dijen përfundimtare dhe gjykimet vetvetiu të sakta. Sipas tyre, gjykimi ynë është i njëanshëm dhe dija e pamjaftueshme. Në këtë mënyrë skepticizmi futi dyshimin në fushën e njohjes, duke e shtyrë atë drejt një arsyetimi dhe dije të re filozofike.

Një nga përfaqësuesit kryesorë të kësaj rryme është Pirroni (Pyrrho), i cili lindi në Elis, rreth viteve 365 – 275 p.e.s. Ai jetoi në kohën e ndryshimeve të rëndësishme historike dhe politike të periudhës helenistike. Pirroni, nuk ka lënë trashëgimi të shkruar, por vepra e tij njihet përmes shkrimeve të bashkëkohësve dhe pasuesve të tij. Ai mblodhi rreth vetes shumë simpatizantë, si për aftësinë argumentuese që zotëronte, ashtu dhe për mënyrën e jetesës. Dëshmitë e ndryshme e paraqesin atë si njeri të vetmuar, të shkëputur nga vlerat tradicionale, indiferent ndaj ngjarjeve të botës së jashtme dhe fatkeqësive përreth tij. Pirroni nuk pretendoi të krijonte sistem të përcaktuar vlerash, por u përpoq t’u jepte atyre që e rrethonin, modelin e sjelljes së lidhur me nevojat e jetesës së përditshme. Një nga mësimet e filozofisë së tij është qetësia dhe indiferenca përpara ngjarjeve të botës që na rrethon, e cila të çon drejt lumturisë dhe ataraksisë (qetësisë shpirtërore). Skepticizmi ka evoluar duke ndryshuar formë në periudha të ndryshme. Përveç rrymës së themeluar nga Pirroni dhe që u quajt pirroizëm, u formua dhe degëzim tjetër, i njohur me emrin akademikas (academicus), nga Arcesilaus (361-241 p.e.s.). Kjo rrymë filozofike, pati përfaqësues në Romë, si: Enesidemi, Agripa, Sekt Empiriku etj. Shumë nga veprat origjinale të përfaqësuesve të kësaj rryme janë zhdukur, ndërsa një pjesë e tyre është përmbledhur nga Sekst Empiriku. Në veprën e tij (Pyrrhonic Sketches), shpjegon disa nga pikëpamjet e skepticizmit. Qëllimi i skeptikëve, ishte arritja e qetësisë dhe paqes së brendshme shpirtërore, kundrejt çdo detyrimi moral dhe shoqëror, kundër çdo vuajtje dhe fatkeqësie në jetë. Parimi bazë i skepticizmit, arsyeton Sekstus, është pranimi se, përballë çdo zgjidhjeje qëndron një tjetër zgjidhje, e kundërt me të. Kjo ndodh, sepse argumentet kundërshtuese, kanë të njëjtën vlerë apo mundësi shpjegimi. Kështu ata pretendonin të ruanin qetësinë shpirtërore.

Dyshimi për njohjen njerëzore
Skeptikët dallojnë dy lloje njohjesh, për:
– çështje, që janë të qarta për arsyen tonë, si p.sh. dita dhe nata;
– çështje të paqarta, si p.sh., lënda përbërëse e atomeve, universi etj.

Skeptikët arsyetojnë, se këtu nuk kemi kriter të besueshëm vlerësimi për të vërtetën. Sipas skeptikëve, arsyeja njerëzore duhet të dyshojë në përvojën që na japin shqisat, sepse informacioni i tyre, për të njëjtat sende në kohë dhe kushte të ndryshme, nuk është i njëjtë. Kështu p.sh., një shkop i zhytur në ujë, duket i përkulur; disa njerëzve mjalti mund t’u duket i hidhur; sendet e vështruara nga larg ose në orë të ndryshme të ditës, ndryshojnë pamje etj. Pra, vërtetësia e dijes, e bazuar në perceptimet tona shqisore, nuk mund të jetë e sigurtë. Por, nëse është e pamundur njohja e gjërave që janë të dukshme dhe të prekshme, ç’mund të themi për ato që janë të padukshme apo abstrakte?

Dyshimi për moralin njerëzor
Të njëjtin arsyetim skeptikët e shtrijnë dhe në çështjet e etikës dhe moralit. Sipas tyre, njerëzit kanë bindje dhe ide të ndryshme lidhur me të mirë dhe të keqen, të drejtën apo padrejtësinë, ligjet dhe moralin. Secili prej tyre mund të sjellë argumente bindëse për të mbrojtur këtë qëndrim. Skeptikët, shpjegojnë se mbi këto çështje, nuk ka kriter universal për të vlerësuar cila nga pikëpamjet është e drejtë apo e gabuar. Në fund të fundit, ato përfaqësojnë vetëm opinionet e njerëzve dhe jo dijen absolute. Nga kjo, lind e drejta e çdo njeriu të dyshojë në vlefshmërinë e gjykimeve për çdo çështje të moralit. Duket sikur skeptikët e privojnë njeriun, nga çdo orientim për sjelljen morale. Ata përpiqen ta mbushin këtë boshllëk të etikës së tyre, duke thënë se e vërteta absolute nuk ekziston. Ekziston vetëm mundësia për të kërkuar vlerat më të besueshme, që intelekti ynë na mundëson. Sipas tyre, për të qenë të sigurt, ne duhet t’i lemë të hapura rrugët e kërkimit drejt së vërtetës, por edhe të dyshimit për sigurinë absolute mbi gjithçka. Mosbesimi ndaj ekzistencës së të vërtetës absolute, u jepte skeptikëve mundësinë të përshtateshin me normat e shoqërisë në të cilën jetonin. Ata nuk ishin të njëanshëm në pozicionet e tyre: fetare, politike apo morale, por pranonin me tolerance çdo pozicion tjetër të menduari, ku asnjëri nuk tenton të arrijë të vërtetën absolute. Kjo sipas skeptikëve, i ndihmon njerëzit të gjejnë, njëkohësisht qetësinë shpirtërore (ataraksia) dhe një jetesë pa vuajtje, për ngjarjet që ndodhin rreth nesh. Këto janë rrugët që të çojnë drejt lumturisë së vërtetë.

Reflekto dhe përgjigju
Ç’kuptojmë me skepticizëm?
Kush e themeloi këtë rrymë filozofike?
Cilat ishin dyshimet, që skeptikët ngrinin mbi sigurinë e njohjes njerëzore?
A mund të gjykoheshin, sipas skeptikëve, idetë dhe sjelljet morale të njerëzve?
Sipas skeptikëve, cila ishte rruga që i ndihmonte njerëzit për të arritur qetësinë shpirtërore?

Debat dhe dialog
Sipas skeptikëve, nuk ekziston e vërteta absolute, sepse:
– Çdo argument ka një kundërargument, po aq të fortë dhe bindës. Kërkimi i provave mund të vazhdojë pa fund, duke mos vërtetuar asgjë.
– Relativiteti i gjykimeve të individëve, varet nga veçoritë e individit, si: morali, kultura, pozicioni social, shijet personale etj.

Mendoni se gjykimi juaj është relativ dhe varet nga faktorë të shumtë, ekonomik, social, kulturor, fetar, personal etj.?
A jeni paragjykues ndaj të tjerëve, apo i pranoni me tolerancë opinionet e tyre?

Jepni opinionin tuaj
Skeptikët shprehen, se:
“…Ne duhet t’i lemë të hapura rrugët e kërkimit drejt së vërtetës, por dhe të dyshimit për sigurinë absolute mbi gjithçka”.

Kjo mënyrë arsyetimi, bie në kundërshtim me të menduarit e zakonshëm, që i merr gjërat si të vërteta, pa u interesuar për saktësinë e gjykimit. Shprehni me shkrim mendimin tuaj, rreth rëndësisë që ka metoda skeptike e arsyetimit në ditët e sotme. A mendoni se, sot mbizotëron konformizmi dhe dogmatizmi në mënyrën e të menduarit? Jepni argumente, lidhur me pohimin tuaj.