Kurrikula
Kursi: Filozofia Klasa 11
Identifikohu

Curriculum

Filozofia Klasa 11

0/53

0/0
Mësimi me video

Linja 1 Mësimi 6: Sokrati dhe dialektika sokratike

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Filozofia 11 Linja 1 Mësimi 6

Sokrati dhe dialektika sokratike

Lindja e rrymës së sofizmit, në Athinën e lashtë
Sokrati lindi më 469 p.e.s., në familje të thjeshtë athinase. Mendohet se në moshë të re ai ka studiuar filozofinë e natyrës. Më pas shkoi ushtar në luftën e Peloponezit, ku u dallua për trimërinë dhe forcën fizike dhe mendore. Ai nuk krijoi ndonjë shkollë apo teori filozofike, por ishte filozofi që pati ndikim të madh në shekujt e mëvonshëm. Pikëpamjet e tij u bënë të njohura nga veprat e Platonit dhe Aristotelit. Sokrati u bë figurë e njohur në Athinë, sepse merrte pjesë në të gjitha diskutimet filozofike apo debatet publike, lidhur me problemet e etikës dhe drejtësisë.

Ai u përfshi në politikë me qëllime fisnike dhe jo fitimprurëse, prandaj bëri dhe shumë armiq. Sokrati fitoi simpatinë e studentëve, të cilëve u mësonte të diskutonin rreth temave të tilla, si: dashuria, drejtësia, politika, morali etj. Ai u kërkonte përgjigje pasuesve të tij, për mënyrën sesi i perceptonin ata, konceptet “i mirë”, “i keq”, “i drejtë” etj. Sokrati besonte se detyra kryesore e filozofisë, është të kuptuarit e vetes. Duke vënë në dyshim gjithçka, çdo lloj pushteti dhe autoriteti, Sokrati u kthye në rrezik për ata që qeverisnin Athinën e asaj kohe.

Dyshimi sokratik përfshin gjithçka, që lidhet me vlerat e kohës.
Dyshimi mbi gjithçka
Të drejtën e pushtetit
Autoritetin
Mbi të vërtetën filozofike
Fenë dhe Zotat
Drejtësinë dhe padrejtësinë
Mbi moralin, virtytin, të mirën dhe të keqen

Në skemë është paraqitur skema e dyshimit sokratik. Nën akuzën se po iu prishte mendjen athinasve të rinj, gjykata e dënoi me vdekje. Megjithëse adhuruesit e tij i përgatitën kushtet për t’u arratisur nga burgu, Sokrati pranoi më mirë të vdiste duke pirë helm dhe të respektonte vendimin e gjykatës. Sokrati, megjithëse i pafajshëm, nuk donte të kundërshtonte mësimet që iu kishte dhënë nxënësve të tij për drejtësinë dhe moralin. Ai ishte i bindur se poliset greke mund të funksiononin vetëm duke u bazuar në ligje dhe shprehu besimin në rolin e rëndësishëm të shtetit në jetën e qytetarëve.

Dialektika sokratike
Sokrati kishte mënyrën e tij për të arritur të mësonte atë që i interesonte. Përmes pyetjeve të vazhdueshme dhe duke luajtur rolin e dikujt që nuk di asgjë, ai zbulonte se idetë dhe bindjet e bashkëbiseduesve ishin në kontradiktë të brendshme. Në fund të diskutimit, arrihej në përfundime të reja, të cilat ishin në kundërshtim me pohimet fillestare. Kjo u quajt metoda sokratike, apo dialektike, sepse zhvillohej si dialog mes pikëpamjeve të kundërta. Sokrati, kishte qëllim të nxiste tek pasuesit e tij, arsyetimin drejt së vërtetës, duke zbuluar se ajo që konsiderohej si e tillë, nuk ishte mjaftueshëm e saktë. Sipas tij, me zbulimin e kontradiktave, jo vetëm mënjanohet dija e gabuar, por nxitet arsyeja në rrugën e kërkimit të së vërtetës. Sokrati ironizonte bashkëbiseduesin, duke dashur të tregojë se dija e vërtetë është vështirë të arrihet. Shprehja: “Unë di, se nuk di asgjë”, nuk lidhet aq shumë me modestinë e tij, sesa me kërkesën për dije më të gjerë se ajo, që vetëdija jonë zotëron. Kjo metodë e shqyrtimit të argumenteve, përmes diskutimit racional, hap pas hapi, deri në arritjen e një përfundim të përgjithshëm, hodhi bazat e të menduarit induktiv (nga të veçantat tek e përgjithshmja). Kjo metodë u shfrytëzua më pas nga Aristoteli dhe shumë filozofë të tjerë.

Sipas arsyetimit tuaj, perënditë dinë gjithçka, apo jo?
Po, sepse perënditë i dinë të gjitha…
Por, ndodh që perënditë të mos jenë të së njëjtit mendim?
Besoj se po! Dimë që ngrinden shpesh mes tyre…
Kjo do të thotë, se ato nuk kanë të njëjtin opinion mbi të mirën dhe të keqen?
Kështu besoj…
Pra, mund të jetë një perëndi gabim?
Mund të rastisë…
Pra, perënditë nuk dinë gjithçka!

Metoda dialektike e Sokratit, ishte një metodë e thjeshtë, me pyetje të njëpasnjëshme, me anë të të cilave ai nxirrte në dritë pretendime ose hamendime, shpesh të pavërteta, për dije të caktuara.

Etika sokratike
Në pikëpamjet filozofike të Sokratit, vend të rëndësishëm kishin çështjet e etikës. Ndryshe nga sofistët, Sokrati besonte në vlerën universale të koncepteve të tilla, si: morali, virtyti, drejtësia etj. Qëllimi i jetës, sipas tij, është të kujdesesh për shpirtin. Kjo arrihet përmes shqyrtimit të jetës tonë, çdo ditë. Është e njohur shprehja, se: “Një jetë që nuk shqyrtohet, nuk ia vlen të jetohet”. Më shumë se pasuria apo statusi i lartë, dijet – fitimi i tyre, është qëllimi kryesor i jetës. Sokrati, besonte se virtyti dhe dituria ishin të lidhura ngushtë. Dituria është virtyt, ndërsa ligësia dhe vesi janë mungesa e diturisë. Sipas tij, askush nuk dëshiron të kryejë vepra të këqija. Këto veprime nuk kryhen me dëshirën e individit, por nga injoranca e tij. Padija i shtyn njerëzit drejt sjelljeve dhe veprimeve, që mendojnë se do t’i bëjnë të lumtur, siç janë: pushteti, pasuria etj. Për të dalluar se çfarë e bën ose jo shpirtin të lumtur, nevojitet të njohësh mirë natyrën njerëzore dhe të jesh në gjendje të dallosh të mirën nga e keqja. Këtu e ka zanafillën thënia e famshme e Sokratit: “Njeri, njih vetveten”. Meqënëse dituria lidhet pazgjidhshmërisht me moralin, atëhere e vetmja mënyrë e mirë për njerëzit, është të shqyrtojnë vazhdimisht vetveten. Vetëm kështu, sipas Sokratit, mund të zbulojmë dobësitë dhe padijen tonë, të cilat mund ta çojnë çdonjërin prej nesh, drejt iluzioneve dhe veprimeve të gabuara.

Debat dhe dialog
Organizoni në klasë një debat konstruktiv, lidhur me thënien e Sokratit, se: “Ligjet janë babai dhe nëna ime”. Diskutoni për faktin se, megjithëse Sokrati ishte i bindur në pafajësinë e tij, iu bind ligjeve të qytetit. A vlerësohen dhe respektohen njëlloj ligjet, në kohët e sotme? Diskutoni mbi pasojat që sjellin moszbatimi i ligjeve për sigurinë dhe të mirën e vendit.

Jepni opinionin tuaj
Klasa ndahet në tre grupe. Secili grup përgatit në formë eseje, njërën nga thëniet e Sokratit.
Grupi i parë: “Jeta që nuk shqyrtohet, nuk ia vlen të jetohet.”
Grupi i dytë: “Njeri njih vetveten.”
Grupi i tretë: “Unë nuk di asgjë, përveç paditurisë time.”