Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 6.1
Sistemet teknologjike të shërbimeve
Sektori i shërbimeve është sektor prodhues, në të cilin disa shërbime janë pjesë e proceseve prodhuese. Ky sektor është zhvilluar në vitet 1800 dhe roli i tij është rritur gjithnjë e më shumë, në sajë të zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes të rolit të informimit. Industria së bashku me sektorin e shërbimeve janë sektorë shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendeve të ndryshme. Sot ajo përfshin të gjitha aktivitetet që mundësojnë shërbime, me anë të të cilave mund të jetohet më mirë. Sektori i shërbimeve përmban edhe profesione të tilla, si: shitës, kamarier, recepsionist, shpërndarës etj., të cilat me zhvillimin e teknologjisë po bëhen më të lehta dhe po përmirësohen vazhdimisht. Në jetën e përditshme, për të plotësuar nevojat e njeriut paraqiten kërkesa të ndryshme për:
– nevojat jetësore ose parësore, të cilat janë nevojat më të thjeshta të njeriut. Në këtë grup renditen: frymëmarrja, të ushqyerit, fjetja, mbrojtja nga të ftohtit etj.,
– nevojat kulturore ose dytësore, të cilat nuk janë të lidhura me mbijetesën, por me realitetin kulturor dhe shoqëror. Në këtë grup renditen nevojat për arsimim, për të njohur botën,për komunikim dhe argëtim.
Nevojat e njeriut janë të shumëllojshme dhe kanë ndryshuar në epoka të ndryshme historike, në bazë të vendndodhjes gjeografike dhe kulturës. Quajmë të mirë ekonomike çdo gjë që njeriu merr për të plotësuar një nevojë duke filluar nga më e thjeshta, si: buka, sheqeri, frutat etj., që plotësojnë nevojën për t’u ushqyer dhe librat që plotësojnë nevojën për arsimim, kulturë etj. Disa të mira plotësohen drejtpërdrejtë nga natyra (p.sh., gurët natyrorë që përdoren në ndërtim) dhe disa të tjera prodhohen nga njeriu, nëpërmjet transformimit të lëndëve të para.
SHËRBIMET
Nevojat e njeriut, si ato parësore dhe ato dytësore, nuk përmbushin të gjitha të mirat, prandaj në disa raste nevojiten edhe shërbimet. Sot qytetarët e botës moderne po jetojnë në ekonomi të bazuara gjithnjë e më shumë në shërbime. Industria e shërbimit përbën sektorin ekonomik, me rritje më të shpejtë në të gjithë botën. Shërbimet përfshihen në fusha të ndryshme, si: financë, sigurim, transport, komunikim, shërbimet komunale, tregti me shumicë dhe pakicë, turizëm, shëndetësi etj. Sipas Leonard Berry, profesor i Marketingut në Universitetin A&M në Teksas: “Një e mirë është një objekt, kurse një shërbim është një veprim, një performancë, një përpjekje”.
Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore njerëzit fillimisht i shpenzonin të ardhurat e tyre për të blerë të mira, por me kalimin e kohës konsumatorët iu drejtuan shërbimeve të tilla, si: udhëtime turistike, arsimim, shërbim mjekësor, kujdes personal etj. Në njëzet vitet e fundit ekonomia e shërbimit ka pësuar zhvillim shumë të madh. Periudha e gjatë e mirëqenies së ekonomisë në këto vite, nënkupton të ardhura më të larta, rritje të kohës së lirë, si dhe rritje të standardit të jetesës. Shumë produkte që blihen, përfshijnë disa elemente të shërbimit brenda tyre. Kështu p.sh., një blerës autoveture blen paketën e plotë të të mirave të shërbimit (financim, mirëmbajtje, siguracion), bashkë me komponentë të prekshëm të autoveturës. Shumë mallra të tjera, si: televizori, lavatriçja, kompjuteri zakonisht shoqërohen me oferta të shërbimit: transporti i mallit, financimi, sigurimi etj. Shumë përkufizime për shërbimin bazohen në faktin se vetë shërbimi nuk prodhon outpute të prekshme, megjithëse mund të jetë instrument për prodhimin e disa prej tyre.
Nocioni i shërbimeve është i vështirë për t’u përcaktuar, pasi shërbimet që ofrohen në treg janë të lidhura ngushtë me të mirat reale. Ato nuk mund të mendohen pa të mirat fizike, p.sh., për të siguruar transportin ajror (shërbim) nevojitet aeroplani (produkt). Zakonisht shërbimet plotësojnë produktet, por në raste të veçanta, produktet mund të plotësojnë shërbimet dhe në të njëjtën kohë kërkojnë mbështetje në shërbime, p.sh., të shesësh një palë këpucë ose / të konvertosh lekë, duhet të paktën shërbimi i arkëtarit. Çdo sistem teknologjik ndërtohet për të përmbushur një ose disa qëllime sipas nevojave dhe dëshirave të njerëzve. Këto qëllime shfaqen në formën e prodhimeve që do realizohen, ose të shërbimeve që do të kryhen. Në pamje të parë duket se shërbimet nuk kanë shumë të përbashkëta me prodhimin. Në prodhim, inputet (hyrja) renditen: lënda e parë, energjia, krahu i punës, kapitali. Me anë të proceseve të ndryshme ato transformohen në mallra, output (dalja), produkt. Në shërbimet, hyrjet e njëjta transformohen në shërbime përfundimtare.
Ndryshimet ndërmjet produktit dhe shërbimit janë:
• Shërbimet nuk janë të prekshme.
• Shërbimet krijohen dhe shpërndahen në të njëjtën kohë.
• Shërbimet nuk mund të ruhen.
• Shërbimet janë të dukshme për klientët.
Shërbimet kryhen gjithmonë nëpërmjet punës që shpenzohet mbi objektet pa i shndërruar ato. P.sh., në një restorant personeli gjatë punës dhe shërbimit përdor një numër të madh enësh (input), të cilat pas shërbimit nëpërmjet larjes në pjatalarëse (proces), pastrohen dhe kthehen në enë të pastra (output). Ndërkokë produktet përftohen nga shndërrimi i lëndëve të para nëpërmjet procesit të prodhimit. Ky është një nga ndryshimet kryesore midis produktit dhe shërbimit.
Njihen dy lloje shërbimesh:
• Shërbime, që konsiderohen objekti kryesor i një transaksioni, p.sh., kur merret autovetura me qera, për të siguruar një shërbim. Në këtë rast blihet përdorimi e autoveturës dhe jo autovetura.
• Shërbime plotësuese, p.sh., kur blihet një televizor shërbimi pagesës kryhet me anë të informimit nga ana e shitësit, me pagesë me kartë krediti ose nëpërmjet shërbimit bankar. Në të tilla raste këto shërbime mbështesin ose lehtësojnë shitjen e produktit.