Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 3.4: Qelqi Qeramika

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 3.4

Qelqi dhe qeramika

QELQI
Qelqi është material homogjen, i fortë, i tejdukshëm, i lehtë, i papërshkueshëm, i qendrueshëm dhe delikat njëkohësisht. Ai është lehtësisht i ngjyrueshëm, ka veti optike dhe izoluese. Qelqi përbën një nga zbulimet më të rëndësishme në historinë e zhvillimit teknologjik dhe artistik. Si prodhim artistik ai përdoret për objekte dekorative, abazhure, vazo etj. Në prodhimin industrial, përdoret në shkallë të gjërë për prodhimin e enëve, të cilat përdoren në industrinë ushqimore farmaceutike dhe mjekësi. Gjithashtu xhamat përdoren në ndërtim dhe në teknologjinë e transportit. Vetitë e qelqit, të dhëna në tabelën e mëposhtme e bëjnë atë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në disa raste.

Përbërja e qelqit
Qelqi karakterizohet nga vetia për t’u modeluar lehtë, në trajtë brumi. Lëndët e para për prodhimin e tij janë: rëra (silici), karbonati i natriumit që ndihmon në uljen e temperaturës të shkrirjes së silicit, karbonati dhe oksidi i kalciumit(lëndë stabilizuese), nitrati i natriumit dhe arseniku shtohen në sasi të vogla (lehtësojnë nxjerrjen e flluckave të gazta nga përzjerja), ngjyruesit (oksidi i hekurit dhe kromi për ngjyrën e gjelbërt, squfuri për ngjyrën e verdhë etj). Për të përshpejtuar procesin e shkrirjes shtohen hedhurina (mbetje) qelqi. Objekte të ndryshme prej qelqi dallohen ndërmjet tyre për nga vetitë e qelqit.

QERAMIKA
Fjala qeramika rrjedh nga fjala greke kèramos, që do të thotë baltë. Qeramikat e para të pikturuara datojnë në periudhën neolitike, në të cilën pigmentet natyrale u përdorën për të pikturuar argjilën, që do të zbukuronte muret e shpellave. Në Greqinë e lashtë, qeramika u pikturua me imazhe ngjyrë të zezë, me dizajn gjeometrik, të cilat vazhdojnë të jenë shumë të njohura edhe sot. Edhe artistët gjermanë të shek.XVII dhe XVIII, e sollën qeramikën në nivelet më të larta, duke krijuar vepra me peizazhe dhe portrete të ndryshme. Porcelani i shpikur në Kinë kishte përbërës kryesor baltën e bardhë. Zhvillimi i teknologjisë bëri të mundur të prodhohen sasi të mëdha qeramike me kosto të ulët. Punimet artizanale në këtë fushë mbeten më të saktat dhe më origjinalet.

Lënda kryesore për prodhimin e qeramikës është argjila.
Karakteristika kryesore e saj është plasticiteti, kur ajo ngopet me ujë, mund të modelohet në forma të ndryshme, që përftohen pas tharjes. Ka shumë lloje argjilash, të cilat ndryshojnë nga përmbajtja e rërës dhe e papastërtive. Ngjyra e qeramikës, ndryshon në varësi të oksideve që përmban argjila, p. sh., oksidet e hekurit i japin ngjyrë të verdhë në të kuqe – kafe, ndërsa oksidet e titanit i japin ngjyrë nga e bardhë në të verdhë. Qeramika zakonisht përbëhet nga materiale të ndryshme, si argjila, feldspate (natrium, kalium ose të dyja), rërë silicore, okside hekuri, alumin dhe kuarc. Ajo përftohet nga përgatitja e brumit, i cili përmban argjilë, ujë dhe shtesa të ndryshme. Ky brumë pasi thahet, piqet në temperaturë të lartë. Karakteristikat dhe vetitë e qeramikës varen nga përbërja e argjilës, mënyra e përpunimit dhe e pjekjes. Sa më të mira të jenë përpunimet, aq më shumë përmirësohen vetitë, në këtë mënyrë rritet dhe kosto e prodhimit dhe çmimi i produktit të përftuar.

Cikli i prodhimit të qeramikës, në varësi të llojit të përpunimit (artizanal ose industrial) kalon në këto operacioneve kryesore: grumbullimi i lëndëve të para dhe shtesave, përgatitja e brumit, formimi, tharja, pjekja, zbukurimi (riveshja), pjekja e zbukurimeve.

Gjithashtu ky cikël ndryshon dhe përshtatet sipas produktit që do të prodhohet (tullë, qeramikë e emaluar ose porcelan).