Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.30: Arredimi i mjedisit shtëpiak

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.30

ARREDIMI I MJEDISIT SHTËPIAK

Vendosja dhe sistemimi i mobiljeve dhe i çdo objekti zbukurues në banesë përbën arredimin e saj. Mobiljet duhet të vendosen në vende të përshtatshme dhe të zënë sa më pak hapësirë. Për arredimin e banesës, arkitektët këshillojnë që idenë më të mirë për banesën tuaj duhet ta hidhni në letër, duke vizatuar çdo detaj me hollësi. Në arredimin e një shtëpie ose banese duhet të merren parasysh edhe disa elemente të tjera, si: forma, ngjyra, modeli, materialet, burimi kryesor i dritës, ndriçimi artificial, objektet zbukuruese etj. Kuzhina është një mjedis i rëndësishëm i banesës. Ajo mund të jetë vetëm për gatim ose për gatim e ngrënie njëkohësisht. Në varësi të hapësirës dhe të shijes ka shumë mundësi për mobilimin e saj. Për arredimin e kuzhinës përdoren materiale të ndryshme, si: dërrasë, çelik, qelq etj. Ato janë shumë të qëndrueshme, pastrohen lehtë, janë estetike. Në mjedisin e kuzhinës vendosen edhe pajisjet elektro –shtëpiake. Në arredimin e kuzhinës tregohet kujdes që frigoriferi, soba dhe lavamani, të vendosen “në kulmet e një trekëndëshi”. Kjo vendosje është funksionale.

Mobiljet në kuzhinë vendosen në formë “ U ”- je, ose në formë “ L” – je, që të kursehen lëvizjet e tepërta. Në skicë tregohet në mënyrë grafike vendosja e pajisjeve në kuzhinë në formë “L”-je.

ARREDIMI I NJË MJEDISI NË SHTËPINË TUAJ
Grumbulloni revista dhe libra me fotografi dhe me skica për arredimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë. Nëpërmjet tyre do të zgjeroni njohuritë, do të zgjidhni modele dhe do ta kini të lehtë të skiconi arredimin e mjediseve në shtëpi. Zgjidhni dhe bëni arredime të kuzhinës dhe të dhomës së ndenjjes, duke përdorur mënyra të paraqitjes grafike të tyre.

ARREDIMI I KUZHINËS

Kompetenca
• Identifikon burime të nevojshme (foto,revista, libra, video, skica të gatshme) për arredimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë.
• Paraqet idetë personale para të tjerëve për modele të arredimit e kuzhinës.
• Përdor mjetë digjitale për të krijuar, modeluar, realizuar dhe demonstruar arredimin e kuzhinës me anë të paraqitjes grafike ose animacioneve elektronike.

Mjetet dhe pajisjet
Fletore vizatimi, laps, gomë, vizore, makinë llogaritëse. Vizatoni në modelin e kuzhinës së dhënë në formë“ U”- je, pajisjet elektro – shtëpiake, sipas rregullit të trekëndëshit. Përdorni paraqitjen grafike të tyre sipas modelit të dhënë në figurë. Gjatë praktikimit mbani parasysh që puna duhet t’i përgjigjet nevojave, si në jetën reale për arredimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë.

ARREDIMI I DHOMËS SË NDENJJES
Dhomat e ndenjjes shërbejnë për shumë qëllime, që kryhen në një sipërfaqe me ndarje, me mobilime dhe pajisje të përshtatshme. Kështu krijohen zonat e pushimit, të ngrënies, të pritjes etj.

Kompetenca
• Demonstron aftësi praktike dhe kompjuterike për skicimin, modelimin dhe përdorimin e ngjyrave sipas rregullave grafike.
• Prezanton raste konkrete nga përvoja personale për arredimin e dhomës së ndenjjes të banesës së tij.
• Vlerëson materialet dhe mënyrat e përdorura për arredim, sipas shembujve në jetën reale.
• Përshtat vendosjen e pajisjeve, mobiljeve, perdeve dhe objekteve të tjera zbukuruese, me hapësirat dhe pozicionet e vendosjes së dyerve e dritareve në banesë.

Mjete
Letër e milimetruar, laps,vizore, lapsa me ngjyra, kompas, makinë llogaritëse, kompjuter. Në figurat e mëposhtme jepet planimetria, arredimi i një dhome ndenjeje dhe paraqitja grafike e disa prej mobiljeve. Në letër të milimetruar vizatoni planimetrinë e dhomës me përmasat që jepen në figurë, sipas shkallës së zvogëlimit 1: 50. Vizatoni mobiljet përkatëse duke përdorur paraqitjen grafike të tyre.

NDËRTIMI I NJË MAKETI ME MATERIALE TË THJESHTA TEKNOLOGJIKE

Kompetenca
• Përgatit vendin e punës për ndërtimin i një maketi me materiale të thjeshta teknologjike
• Skicon planin e hapësirave të ndryshme të banesës në një letër vizatimi.
• Vizaton skicën në letër të milimetruar në shkallën 1:50 me mjetet e vizatimit.
• Lexon dhe interpreton paraqitjen grafike të planimetrisë të një banese, si: skicë, vizatim dhe planin e përgjithshëm.
• Demonstron aftësi për përdorimin e materialeve të ndryshme teknologjike, ngjyrave në realizimin e maketit të banesës.
• Gjykon për lidhjen e mjeteve dhe materialeve të thjeshta teknologjike për ndërtimin e maketit.

Pajise dhe materiale
Letër vizatimi, letër e milimetruar, laps, gomë, ngjyra, ngjitës (ose pineska), plastelinë, karton me trashësi 0,5 dhe 0,2 cm, gërshërë.

Skiconi planin e apartamentit në një letër vizatimi për të ushtruar dorën. Këtë skicë e vizatoni në letër të milimetruar në shkallën 1:50. Përcaktoni zonat e ndryshme të banesës dhe i ngjyrosni ato. Fiksoni vizatimin (me ngjitës ose pineska) në karton me trashësi 0,5cm. Prisni elementet, që do shërbejnë si mure kryesore, duke përdorur kartonin me trashësi 0,5cm dhe 0,2cm për muret ndarëse. Këto elemente duhet të kenë lartësi jo më pak se 4cm. Elementet që pretë ngjitini me shumë kujdes.