Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.11 Projeksionet kënddrejta

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.11

Projeksionet kënddrejta (ortogonale)

Projektimi i objekteve, pjesëve mekanike dhe trajtave gjeometrike ka qëllim, paraqitjen e pamjes dhe madhësinë e tyre, me tre dimensione: gjatësi, gjerësi dhe lartësi. Çdo pjesë makinerie në realitet është trup gjeometrik, forma e të cilit në mënyrë të përshtatshme, paraqitet në rrafshin (planin) e projektimit. Mënyrat e projektimit grupohen:
• Projektimi qendror (perspektiva) është mënyra e projektimit, tek e cila të gjitha rrezet projektuese rrjedhin nga një burim O (qendër), syri i vrojtuesit. Kjo mënyrë e projektimit nuk është e përshtatshme për vizatime teknike.
• Projektimi paralel është projektimi, tek i cili qendra
e projektimit largohet aq shumë nga shikuesi dhe rrafshi i projektimit, sa që rrezet projektuese bëhen paralele në mes tyre. Pra, pamja e trupit të vizatuar është projeksion paralel.
• Projektimi i pjerrët quhet projeksioni, kur rrezet
projektuese bashkë me rrafshin projektues krijojnë kënd të ngushtë të çfarëdoshëm. Pamja përfundimtare e trupit të vizatuar është e pjerrët.
• Projektimi kënddrejtë (ortogonal) është mënyrë
projektimi, kur rrezet projektuese paralele krijojnë kënd të drejtë (ortogonal) me rrafshin projektues.

Projeksionet ortogonale gjejnë përdorim në të gjithë sektorët e prodhimit, sepse krijojnë mundësinë t’a paraqesin objektin me dimensione të sakta. Në këtë mënyrë ato japin informacione të shumta rreth formës reale të objektit.

Në projeksionet ortogonale, objekti paraqitet në tre plane (rrafshe). Plan projektimi është plani, në të cilin paraqitet figura, pra projeksioni i trupit. Në varësi të pozicionit në të cilin gjendet plani i projektimit, dallojmë tri lloje plane projektimi:
-Plani horizontal (H).
-Plani vertikal (V).
-Plani anësor (W).
Çdo plan projektimi në vizatim teknik ka përdorim dhe funksion të caktuar. Ndërpreja e planit horizontal me planin vertikal, jep drejtëzën që quhet boshti (aks) x. Vendosja e planit anësor (W) krijon dy drejtëza prerëse me planet horizontale dhe vertikale. Bashkimi i planit horizontal me planin anësor krijojnë boshtin (aksin) y, ndërsa bashkimi i planit vertikal me planin anësor krijojnë boshtin (aksin) z. Pika e përbashkët për tre planet e projektimit (ku priten boshtet x, y dhe z ) emërtohet me 0 (zero).

Në hapësirë ndodhet një objekt i çfarëdoshëm (kuti), i rrethuar nga tre plane. Për ta paraqitur atë në projeksion ortogonal veprohet sipas hapave të mëposhtme: 
1. Projeksioni horizontal (H) i objektit përftohet duke
parë në drejtim të planit horizontal (i paraqitur në figurë me shigjetë). Nga çdo kulm i objektit ndërtohen rreze projektuese, paralele mes tyre dhe pingule me planin H. Pjesa e ngjyrosur në figurë është projeksioni horizontal ose plani i objektit. 
2. Projeksioni vertikal (V) i objektit, përftohet duke
parë në drejtim të planit vertikal. Në anën ballore të objektit shihet drejtëkëndëshi (i ngjyrosur në figurë). Kulmet e tij japin vija projektuese pingul mbi planin vertikal. Kështu krijohet projeksioni vertikal ose pamja e objektit.
3. Për të marrë projeksionin anësor të kutisë shihet në drejtim të planit anësor (W). Drejtëkëndëshi i formuar (i ngjyrosur në figurë) është projeksioni anësor i kutisë ose profili i tij.
4. Pas heqjes së objektit (kutisë) nga planet projektuese shihen tre projeksionet. Projeksionet mbi planet V dhe W kanë të njëjtën lartësi nga plani horizontal H. Nga çdo kulm i këtij projeksioni vendosen viza të ndërprera paralel me boshtin x nga plani W dhe paralel me boshtin y nga plani V.
5. Meqënëse vizatimi mbi planin real nuk është i përshtatshëm, planin anësor W e rrotullojmë 90° sipas aksit të paraqitur në figurë, derisa të vendoset në të njëjtin plan me planin vertikal V.
6. Në të njëjtën mënyrë veprojmë edhe me planin horizontal H, duke e zhvendosur 90° mbrapa, drejt me planin vertikal V.
7. Hapja në këtë mënyrë e planeve bën të mundur vizatimin në një fletë (që është një plan i vetëm) i tre pamjeve të objektit. Kuadrati poshtë në të djathtë (ndërmjet boshtit y) është bosh. Vendoset kompasi në pikën 0, duke ndërtuar harqe, që bashkojnë vijat e ndërtimit.