Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.27 Llojet e instalimeve në banesë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.27

Llojet e instalimeve në banesë

Projektit teknik i bashkëngjiten edhe fletët që paraqesin rrjetet e instalimeve të nevojshme për çdo banesë, të cilat janë sisteme teknologjike me funksione të ndryshme. Këto projekte realizohen nga inxhinierë elektrikë dhe hidrosanitarë. Rrjetet e instalimeve jepen nëpërmjet simboleve, të vizatuara në planimetri. Por mënyra e furnizimit të banesë me rrjetet e ndryshme të instalimeve paraqitet me skema, të cilat ndërtohen në projeksione ortogonale ose aksonometrike. Sipas funksionit, që ato kryejnë për rrjetet e instalimeve dallohen këto skema:
• skema e rrjetit elektrik,
• skema e rrjetit hidrosanitar,
• skema e ngrohjes,
• skema e rrjetit të telefonisë, citofonisë dhe antenës televizive.

INSTALIMET ELEKTRIKE TË NJË BANESE
Në fazën e projektimit në banesë është i parashikuar edhe instalimi elektrik. Instalimi elektrik është bashkësia e elementëve, që shpërndajnë energjinë në banesë nga hyrja deri tek pajisjet elektroshtëpiake.

Skema e instalimeve elektrike të një banese varet nga shumë faktorë, si: numri i dhomave, i pajisjeve elektrike, shkalla e komoditetit, tipi dhe numri i ndriçuesve, mënyrës së komandimit të tyre etj. Në vendin tonë, në banesa, rrjeti elektrik është i tipit njëfazor, pra në hyrje të banesës vjen faza dhe nuli (dy përcjellës) dhe më tej faza kalon në siguresë ose automat, kurse përcjellësi i nulit jo. Duke vazhduar lidhjen elektrike, përcjellësi i fazës lidhet në hyrjen fazore të matësit të energjisë elektrike dhe më tej në dalje të aparatit. Faza dhe nuli futen në aparatin matës të energjisë (sahati). Të dy përcjellësit që dalin nga aparati: faza dhe nuli shpërndahen për furnizimin me energji elektrike të mjediseve në banesë. Në qytetet e mëdha, në pallatet e banimit, matësi i energjisë së bashku me siguresën ose automatin e çdo familjeje, vendosen në dollapë metalikë (kaseta) në hyrje të pallatit dhe nga kjo kasetë dalin për çdo banesë (çdo hyrje) dy përcjellësit (faza dhe nuli) si dhe përcjellësi i tokëzimit.

Energjia elektrike, transmetohet nga nënstacionet me anë të një rrjeti i shpërndarjeje drejtpërdrejt në hyrje të pallatit (banesës) me tension 230 V. Përcjellësit elektrik, që formojnë rrjetin e brendshëm të banesës, janë tela bakri, me seksione të ndryshme fijesh, të izoluara dhe të futura në tuba plastikë, të cilët vendosen në mure. Prizat dhe çelësat, vendosen zakonisht në lartësinë 40 cm për prizat dhe rreth 1m për çelësat. Ngjyrat e tubave veshës dallohen sipas funksionit që ato kryejnë. Teli me ngjyrë të kuqe është faza dhe dërgon rrymë; teli me ngjyrë të zezë mbyll qarkun, kurse teli me ngjyrë të verdhë quhet teli i tokëzimit.

INSTALIMET HIDRAULIKE NË NJË BANESË
Instalimet hidraulike përbëhen nga rrjeti i ujësjellësit (që furnizon objektin me ujë të pijshëm) dhe nga rrjeti i kanalizimeve (që bën shkarkimin e ujrave të ndotura). Nga tubi kryesor i ujësjellësit bëhet një dalje me një tub që ka seksion të vogël, që bën lidhjen me banesën. Ky tub futet në mur dhe në çdo kat degëzohet dhe shpërndahet në apartamente, ku janë vendosur aparatet matëse të ujit. Uji ngjitet në tuba në sajë të prurjeve të rrjetit kryesor ose nga presioni i krijuar me vendosjen e pompave në banesa. Nga matësi dalin tubat, që çojnë ujin e ftohtë në ambjentet e gatimit (ku janë lavapjata, lavastovilja) dhe në banjo (ku janë hidrosanitaret WC, bide, pllaka e dushit, lavamani). Rrjeti i ujit të ngrohtë kalon me tubacione në ambjentet e dëshiruara.Uji i përdorur hyn në tubin e shkarkimit e më pas në kolonën e shkarkimit, e cila zbret nga banesa dhe kalon në tubin kryesor të kanalizimeve të ujërave të zeza. Pranë kolonës së shkarkimit vendoset edhe kolona e ventilimit, e cila lidhet me kolonën e shkarkimit dhe shërben për nxjerrjen e gazeve që krijohen nga këto tuba. Rrjeti i brendshëm i shpërndarjes me ujë ndërtohet me tuba plastikë. Skema e instalimeve hidrosanitare paraqitet në plan për çdo kat, me simbolet përkatëse. Por këto instalime paraqiten edhe në aksonometri.

INSTALIMET PËR NGROHJE
Në projektet teknike, rëndësi i kushtohet edhe instalimeve për ngrohjen e banesës. Ajo mund të bëhet me ngrohje qendrore dhe kaldaja për ngrohje vendoset në një vend të caktuar të banesës (zakonisht në bodrum). Sipas llojit të përcjellësit të nxehtësisë, dallojmë ngrohje me ujë të ngrohtë, avull, ajër, naftë, dru, gaz, pellet si dhe ngrohje me panele diellore etj. Sistemet më të njohura për ngrohjen e ndërtesave janë sistemet me ujë të ngrohtë. Ngrohja qendrore ka avantazhin e prodhimit të nxehtësisë në një qëndër të vetme. Nëse kaloriferi vendoset poshtë dritareve, ngrohja bëhet në mënyrë të njëtrajtshme. Ky impiant funksionon sipas skemës me qark të mbyllur, sepse uji që qarkullon është gjithmonë i njëjti.

Në sistemet e ngrohjes me kaloriferë shpesh ndodh, që dhomat ngrohen në mënyrë jo uniforme, pavarësisht rendimentit të lartë të ngrohjes. Në banesat e reja po përdoren sistemet ngrohëse nën dysheme. Ngrohja që bëhet me këto mënyra është uniforme nga dyshemeja deri në tavan. Kjo mënyrë e bën lehtësisht të kontollueshme temperaturën në secilën dhomë.

Panelet diellore të cilat po përdoren gjithënjë e më shumë prodhojnë ujë të ngrohtë, sanitar dhe për ngrohjen e mjediseve në shtëpi. Ato vendosen në çati ose tarraca dhe shfrytëzojnë energjinë diellore.

RRJETI I TELEFONISË, CITOFONISË DHE ANTENËS TELEVIZIVE
Rrjeti i telefonisë vjen nga linja kryesore dhe lidhet me kasetën e telefonisë të objektit, e cila shpërndan rrjetin në të gjitha apartamentet. Këto përcjellësa vendosen në shtresën e dyshemesë dhe një pjesë në muret anësore. Rrjeti i citofonisë kalon nga posti i jashtëm i citofonisë në banesë, me anë të përcjellësve përkatës. Për çdo apartament ndodhet vetëm një aparat citofonie, i cili vendoset në korridore ose ambjentin e ndenjes. Rrjeti i antenës televizive realizohet si rrjetet e mësipërme. Ai shpërndahet në banesa dhe lidhet me antenën qendrore, e cila është e vendosur në tarracën e godinës.