Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.16: Prerjet dhe projeksionet e tyre

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.16

Prerjet dhe projeksionet e tyre

Projeksionet ortogonale nuk janë gjithmonë të mjaftueshme që të japin të plotë strukturën e një objekti. Kjo ndodh sepse mund të ketë edhe pjesë të padukshme në brendësinë e tij. Në raste të tilla përdoren paraqitjet me prerje. Imagjinoni një prerje (seksion) të objektit me një ose më shumë plane ndihmëse (plane prerëse), të cilat shpesh ndodhen paralel me planet e projektimit ose kalohen nga aksi i simetrisë, në mënyrë që të duken pjesët e brendshme të objektit. Seksion prerës quhet plani prerës, i cili kalon tek disa pjesë të objektit, që nuk iu dallohet forma.

Sipërfaqet e prera (seksionet) vijëzohen me vijë të vazhduar të hollë (tipi B), kurse vija e konturit vizatohet me një vijë më të theksuar. Vijëzimet bëhen në kënd 45° (përdoren edhe pjerrësi të tjera, si 30° ose 60°) me vijën horizontale. Distanca e vijëzimeve me njëra – tjetrën varet nga madhësia e vizatimit. Në fletët me format A4 kjo distancë është 2 deri 4 mm. Për prerjet e objekteve përdoren:
• vija e planit prerës tregon vendin ku kalon prerja,
• vija e thyer e gjatë përdoret kur objekti është shumë
i gjatë,
• vija e thyer e shkurtër përdoret kur prerja e objektit
është e pjesshme,
• vija e prerjes tregon sipërfaqen e prerë.

Megjithatë, për të kuptuar formën e një objekti, është e nevojshme të dihet ku ka kaluar prerja. Për këtë, planet prerëse tregohen gjithmonë nga një gjurmë e bërë me vijë të përzier, të hollë dhe të trashë. Kjo vijë ka në skajet e objektit dy vija të trasha, që shoqërohen me shkronja të barabarta dhe shigjeta të orientuara në drejtim të projeksionit. Vizatimi, që paraqet se çfarë shihet në prerje, emërtohet p.sh.: Prerja A – A

Në ndërtimet arkitektonike kur objektit i bëhet prerje horizontale prerja që përftohet quhet planimetri. Ky rrafsh prerës rekomandohet të bëhet në lartësi të ndërmjetme kati, ku pret dritaret, me qëllim që të dallohet sa më mirë plani.

Në bazë të problematikave që ka objekti, prerjet klasifikohen:
• prerje të thjeshta, kur objekti pritet vetëm nga një rrafsh prerës,
• prerje horizontale, kur projeksioni ballor i detalit
pritet nga një plan paralel me rrafshin horizontal të projektimit dhe pingul me rrafshin ballor,
• prerje ballore, kur projeksioni horizontal i detalit
pritet nga një plan paralel me planin ballor të projektimit dhe pingul me planin horizontal,
• prerje anësore, kur rrafshi prerës është paralel me
rrafshin anësor të projektimit.

Prerjet gjithashtu janë të plota ose të pjesshme.
Prerjet e plota janë prerjet, ku rrafshi prerës kalon në të gjithë sipërfaqen e objektit. Gjatë vendosjes së përmasave duhet patur parasysh simetria e objektit që vizatohet. Aksi i simetrisë është vija referuese e vendosjes së përmasave. Të gjitha përmasat rrethore të diametrit shoqërohen me simbolin e tij përkatës.
Prerjet e pjesëshme ose gjysmëprerjet përdoren në raste kur nevojiten hollësi vetëm për pjesë të veçanta të detalit. Detalet rrotullues me vrima dhe hapësira të tjera brenda tyre, shpesh paraqiten me anë të gjysmëprerjes. Tek kjo paraqitje, të gjitha të dhënat e nevojshme për prodhimin e detalit, vendosen në të njëjtën pamje. Gjatë vendosjes së përmasave duhet patur parasysh simetria e objektit që vizatohet. Aksi i simetrisë është vija referuese e vendosjes së përmasave. Të gjitha përmasat rrethore të diametrit shoqërohen me simbolin e tij përkatës.