Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.24 Vizatimi arkitektonik

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi

Vizatimi arkitektonik

Sektori i ndërtimit është nga një sektorët më të rëndësishëm në progresin teknologjik, me sisteme dhe mjete ndërtimi gjithnjë e më moderne e më të sigurta, të shpejta dhe efikase. Në të njëjtën kohë, ato mbrojnë dhe respektojnë mjedisin, si edhe ndikojnë në cilësinë e banesave apo në kursimin e energjisë. Fjala arkitekt rrjedh nga gjuha latine architectus, e cila do të thotë shef i ndërtimit. Ndërsa arkitektura është arti dhe shkenca e projektimit të ndërtesave dhe strukturave ose ndryshe projektimi i çdo objekti të ndërtuar, duke filluar nga planifikimi i qyteteve dhe projektimin urbanistik e deri në projektimin i mobiljeve (orendive). Arkitektura merret me llogaritjen e hapësirës, vëllimit, formës, dritës, hijes dhe elementeve abstrakte, për të arritur në përfundim estetik. Kjo veçori e bën arkitekturën të dallohet nga shkencat e zbatuara dhe inxhinieria. Ato përqëndrohen më shumë në aspektet e funksionalitetit dhe realizimit të projektit, sesa në estetikën e tij. Arkitektura është e lidhur me shumë disiplina, duke përfshirë matematikën, shkencën, artin, teknologjinë, shkencat shoqërore, politikën, historinë, filozofinë dhe sidomos shkencat kompjuterike. Proceset studimore për ndërtimin e objekteve kalojnë në disa faza. Hedhja e ideve në skica përfaqëson fazën e parë. Në hartimin e skicave dhe vizatimeve arkitektonike duhen respektuar rregullat e vizatimit teknik dhe të projeksioneve, sipas gjeometrisë diskriptive. Ato janë vizatime të bëra me dorë të lirë, si mënyrë e shpejtë dhe e thjeshtë për të projektuar idetë fillestare për vizatimet. Skicat nuk kanë qëllim të jenë të sakta ose përfundimtare, por të prezantojnë parimet e projektimit dhe konceptet estetike të tij.

Skicat paraprake paraqesin dhe transmetojnë thelbin ideve, duke u përqendruar në karakteristikat e tij. Vizatimet konceptuale ndonjëherë mund të paraqesin kuptimin e një ideje më qartë se vizatimet e mëvonshme. Për të konceptuar sa më mirë idenë e objektit, që propozohet për t’u ndërtuar, shpesh herë këto projekte shoqërohen me makete.

Pas aprovimit të projekt – idesë kalohet në fazën e projekt zbatimit të objektit. Këto projekte duhet të respektojnë rregullat e projeksioneve ortogonale. Projeksionet horizontale janë planvendosjet dhe planimetritë e objektit, ndërsa në projeksionet vertikale paraqiten pamjet, prerjet dhe elementet e tjera të objektit. Për vizatimin e planimetrisë së objektit, fillohet nga kompozimi i saj në fletën e vizatimit. Formati i fletës ku do të punohet zgjidhet në bazë të madhësisë së planimetrisë (shkallës që ajo lexohet më mirë). Në fillim, vizatohen akset vertikale dhe horizontale. Akset vertikale emërtohen me numra (1,2.3 etj.), kurse akset horizontale emërtohen me gërma të mëdha (A, B, C, etj.). Ato vizatohen me vijë pikë të hollë (tipi E). Më pas, në të dy anët e akseve, vendosen kolonat dhe trashësitë e mureve. Muret janë mbajtëse (me trashësi 20, 25, 38cm) dhe mure ndarëse (me trashësi 8, 10, 12cm).

Në çdo planimetri vendosen kuota, të cilat tregojnë lartësinë e katit të godinës. Përmasat e planimetrisë vendosen jashtë objektit, në katër vija paralele të holla (tipi B). Në vijën e parë vendosen përmasat e hapësirave midis mureve e dritareve. Në vijën e dytë vendosen hapësirat e dhomave dhe trashësitë e mureve, kurse në vijën e tretë vendosen largësitë ndërmjet akseve (kolonave ose mureve mbajtës).

Në vijën e katërt vendoset përmasa e përgjithshme e objektit. Vijat e përmasave vendosen në të katër anët e objektit. Për paraqitjen sa më të saktë të planimetrisë, në zbatimin e rregullave të vizatimit teknik, vijat e mureve që priten, vizatohen me vijë të plotë dhe më të trashë se vijat, që nuk priten nga rrafshi projektues horizontal. Me vijë më të vazhduar të hollë (tipi B), vizatohen dritaret, parmakët, davancalet e dritareve, pllakat e dyshemesë dhe element të tjerë. Në planimetritë arkitektonike është i domosdoshëm plani i mobilimit, sepse në bazë të llojit dhe sipërfaqes së mobiljeve, përcaktohen sipërfaqet e mjediseve të banesës. Plani i mobilimit vizatohet në shkallë më të madhe së planet e tjera.