Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.19: Aksonometria dhe aksonometria e figurave plane

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.19

Aksonometria (projektimi aksonometrik) dhe aksonometria e figurave plane

Aksonometria është mënyrë e veçantë e vizatimit teknik, që paraqet objektin, në tre dimensionet e tij, në një figurë të vetme. Ndryshe nga projeksioni ortogonal, aksonometria e jep pamjen e objektit shumë më të saktë. Kjo është arsyeja pse aksonometria gjen përdorim të shpeshtë në vizatimet teknike, në paraqitjen e pjesëve mekanike, montimin e makinave, pamjet arkitektonike etj. Metoda e projektimit aksonometrik e vendos objektin në sistemin e boshteve koordinative kënddrejtë, me ndihmën e rrezeve paralele ndërmjet tyre. Fjala aksonometri vjen nga greqishtja e lashtë (akso dhe metri), që do të thotë matje në akse. Kjo është mënyrë projektimi e planeve, që përdor sistem boshtesh x, y, z, në të cilat vendosen përmasat e objektit. Në boshtin x vendoset gjatësia e objektit, në  boshtin y – thellësia dhe në boshtin z vendoset lartësia e tij. Boshti z (lartësia) vizatohet gjithmonë në pozicionin vertikal, ndërsa boshti x dhe y vizatohen në drejtime të ndryshme. Gjatë paraqitjeve aksonometrike, përmasat mund të ndryshojnë gjatësi. Kjo ndodh nga drejtimi i zhvendosjes së akseve me planin horizontal. Pikërisht nga pozicioni, në të cilën paraqiten këto boshte (boshti x dhe y), dallohen tri mënyra të paraqitjes aksonometrike: projeksione izometrike – izometria, projeksione dimetrike – dimetria dhe projeksione trimetrike – trimetria.

Projeksioni izometrik – izometria është mënyra e paraqitjes aksonometrike e objektit, tek e cila përmasat zvogëlohen në të tri akset me të njëjtën raport, ndërsa të tria akset formojnë midis tyre kënde prej 120°. Akset x dhe y formojnë këndin 30° me vijën horizontale. Raporti i përmasave të objektit, në pamje izometrike është 1:1:1.

Projeksioni dimetrik – dimetria është mënyra e paraqitjes aksonometrike e objektit, tek e cila në dy akset (x dhe z), përmasat jepen në përpjestim të njëjtë, kurse në aksin e tretë (y) vizatohet në raport 1:2 ndaj përmasës së dy akseve të mëparshëm. Aksi y formon me aksin z këndin 45°.
• Projeksioni trimetrik – trimetria është mënyra e paraqitjes aksonometrike e objektit, tek e cila të tre akset formojnë kënde të ndryshme ndërmjet tyre. Izometria dhe dimetria janë projektimet më të përdorëshme.
• Projeksioni monometrik Në aksonometri, të ngjashme me izometrinë horizontale, dallojmë edhe përdorimin e aksonometrisë monometrike, në të cilën dy akset x dhe y formojnë këndin 90° dhe janë të rrotulluara në kënd 30° ose 60° kundrejt qendrës O. Përmasat e vendosura në të tri akset janë të njëjta me realet.

AKSONOMETRIA E FIGURAVE PLANE
– Izometria e pikës
Për të gjetur pozicionin e pikës në hapësirë, përveç projeksionit aksonometrik, duhet të jepet edhe një projeksion i dytë i saj. Për të paraqitur pikën në izometri, në boshtin x vendoset madhësia e koordinatës XA dhe në boshtin y vendoset koordinata YA. Nga këto pika hiqen paralelet me boshtet përkatëse. Pika e prerjes së dy vijëdrejtëzave a1, është projeksioni i dytë i pikës A. Projeksioni aksonometrik (izometrik) A1 ndodhet në drejtëzën e hequr nga projeksioni i dytë i pikës, paralel me boshtin z, në lartësinë Z.
– Trekëndëshi në aksonometri (izometrike dhe dimetrike)
Për të ndërtuar në aksonometri (izometri dhe dimetri) një trekëndësh ose një figurë tjetër plane, veprohet si në figurë.
– Izometria e rrethit 
Projeksionet izometrike të rrathëve, që shtrihen
në rrafshet e projektimit janë elipse. Por për lehtësi vizatimi, në praktikë pranohet, që elipsi të zëvendësohet me formën ovale. Në fillim ndërtohet katrori, që i jashtëshkruhet rrethit (në aksonometri). Në ndërtimet aksonometrike duhet pasur parasysh, që brinjët e katrorit të jenë tangjent me perimetrin e rrethit. Edhe në këtë rast veprohet si tek ndërtimi i ovales. Ashtu si në ndërtimin aksonometrik të rrethit të shtrirë në rrafshin horizontal, veprohet edhe në vizatimin aksonometrik izometrik të rrathëve, që ndodhen në dy rrafshet e tjera (V dhe W).