Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.2: Llojet e vizatimeve

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.2

Llojet e vizatimeve

Komunikimi grafik, i paraqitur nëpërmjet vizatimeve është pikënisja e veprave artistike dhe teknologjike. Vizatimi fillon me skicim dhe vazhdon më tej me realizim të vizatimeve të studiuara mirë, që shprehin kuptime apo abstraksione.
– Skica është vizatim me dorë, që zakonisht nuk është punë e përfunduar, por përdoret si një mënyrë e shpejtë, për të demonstruar grafikisht imazhe ose parime. Skicografët, nëpërmjet skicimit, shprehin tiparet kryesore në vija më të përgjithshme për një objekt ndërtimi apo pjesë të tij, makinë, vepër artistike etj. Skica mund të bëhet me grafit, laps ose pastel. Por mund të zbatohet edhe në vizatimet me stilolaps, lapsa me ngjyra, bojëra uji dhe bojëra vaji.

-Vizatimi artistik është formë e artit pamor, në të cilin artisti përdor mjete të ndryshme vizatimi për të hedhur në letër idetë e tij. Vizatimi artistik mund të jetë linear, me dritë – hije, njëngjyrësh ose pikturë.

Përveç formave artistike, vizatimi përdoret shpesh nga projektues në arkitekturë dhe inxhinieri.

– Vizatimi gjeometrik paraqet ndërtimin e sipërfaqeve ose vëllimeve të formës, sipas metodave dhe rregullave gjeometrike, në modelet 2D dhe 3D. Modelet 2D janë të rëndësishme në tipografinë kompjuterike dhe në vizatimin teknik. Modelet 3D janë të rëndësishme për projektimin dhe prodhimin e kompjuterizuar në fusha të aplikuara teknike, si gjeologjia dhe përpunimi i imazhit mjekësor. Këto vizatime realizohen me veglat e vizatimit teknik (vizore, kompas etj.), duke zbatuar rregullat e përcaktuara në standartet ndërkombëtare.

– Vizatimi shkencor paraqet aspekte pamore të shkencës, veçanërisht vëzhgimet e botës natyrore. Ai synon të ilustrojë parime shkencore, skema inxhinierike, shpikje teknologjike si dhe studime dhe publikime shkencore.

– Vizatimi arkitektonik është vizatimi teknik i objekteve ndërtimore ose të ashtuquajtura projekte ndërtimi, i cili shpreh ide dhe jep zgjidhje kërkesave arkitektonike. Ai realizohet nëpërmjet vizatimeve teknike në projeksione kënddrejta, që kryhen me saktësi dhe në shkallë të zvogëluar.

– Perspektiva është teknikë grafike, që shprehet nëpërmjet vizatimeve gjeometrike, duke ndjekur rregulla gjeometrike, të cilat paraqesin objektet (3D) në fletën e vizatimit, ashtu siç shihen nga syri i njeriut.

-Vizatimi kompjuterik është paraqitja e vizatimeve teknike të realizuara me programe kompjuterike. Software më i përhapur për komunikim grafik është programi Auto CAD.

Auto CAD – i, përdoret në të gjitha fushat teknike, si: ndërtim, gjeodezi, mekanikë dhe elektroteknikë. Gjithashtu ai shërben kudo ku përdoret vizatimi, si mënyrë komunikimi dhe prezantimi për ide dhe mendime. Me ndihmën e këtij programi krijohen vizatime ose projektime me saktësi të madhe, me mundësi teknike e estetike dhe mbi të gjitha me cilësi të lartë.