Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.1: Komunikimi grafik

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.1

Komunikimi grafik

Komunikimi ka lindur dhe është zhvilluar përkrah zhvillimit njerëzor, si nevojë e shprehjes së mendimeve, ndjenjave, ideve dhe abstraksioneve. Fillimisht njeriu pikturoi ato çfarë shihte me mënyrat e tij të thjeshta. Më pas piktura mori trajtën e fjalëve dhe gjuhës së shkruar. Të shumta janë dëshmitë, që tregojnë se njerëzimi ka filluar të komunikojë shumë kohë më parë. Kjo shihet nga pikturat e bëra në muret e shpellave, nga shkronjat e alfabetit të atëhershëm etj. Komunikimi, nga antikiteti e deri në ditët e sotme, është zhvilluar duke marrë trajta të reja. Sot ne zotërojmë një komunikim mjaft modern, elektronik, efikas dhe shumë të shpejtë. Të komunikosh do të thotë të japësh dhe të marrësh informacione, të shkëmbesh ide, mendime, ndjenja etj. Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, lindi nevoja e shprehjes në letër të ideve me mënyra të ndryshme grafike për format e sendeve, si dhe të veprimeve që kryhen mbi to. Grafika është një lloj arti figurativ, që shprehet në letër me anë të vijave të kontureve, të sipërfaqeve të mbushura me vija me dendësi të ndryshme, të kontrasteve dritë – hije, si dhe të ngjyrave, të cilat përdoren më pak se në pikturë.
Grafika ndahet në dy lloje:
• Në grafikën artistike dallojmë: vizatimin artistik, gravurat, shkrimet dekorative, ilustrimet e revistave dhe të librave etj.
• Në grafikën teknike dallojmë: vizatimet teknike mekanike, të ndërtimit, topografike, hartografike si dhe të gjitha vizatimet e sendeve të ndryshme.
Mënyra më e shpejtë e paraqitjes grafike është fotografia, e cila paraqet në letër vetëm pamjen e jashtme të objekteve. Ndërsa grafika teknike e paraqet objektin në pamje dhe në mënyra të tilla, ku dallohen lehtësisht jo vetëm forma e jashtme, por edhe pjesët brenda tij.
Komunikim grafik është shkenca, ku projektuesit e të gjitha fushave të teknologjisë shprehin grafikisht idetë e tyre, para se ato të realizohen. Në realizimin e ideve të projektuesve, për objektet që do të ndërtohen, përdoren disa rregulla dhe norma teknike, të cilat zbatohen për të paraqitur grafikisht objektin me tri përmasat e tij. Një nga format më të përdorura të komunikimit grafik është vizatimi teknik. Punimi i vizatuar, në mënyrë të saktë dhe të qartë, me mjete dhe materiale të nevojshme për vizatime, quhet vizatim teknik. Vizatim teknik është disiplinë teknike, e cila shërben për shprehjen e ideve dhe perspektivave të projektuesve të vizatimit. Që të mund të realizohen idetë dhe planet për objektet nga praktika teknike, si: shtëpi, ndërtesa, rrugë, ura, lagje dhe qytete, duhet të vizatohen më parë në letër. Vizatimi duhet të paraqesë pamje të saktë dhe të qartë për dimensionet, formën, përpunimin, materialin dhe të gjithë të dhënat e tjera të domosdoshme, për realizimin e objektit. Rregullat e vizatimit teknik duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Paraqitja e objekteve në vizatim teknik dallohet qartë nga vizatimet tjera (vizatime artistike), të cilat përpunohen me dorë të lirë dhe jo patjetër duhet të jenë të qarta dhe të sakta. Vizatimet që kryen me dorë të lirë në ndërtim, quhen skica dhe përdoren në fazën fillestare të procesit të projektimit. Vizatimet teknike emërohen përkatësisht sipas degëve të teknologjisë, në të cilën ato përdoren.

Të tilla janë:
• Vizatime teknike mekanike, ku projektohen lloje të ndryshme detalesh, për prodhimin e makinerive, që shërbejnë në të gjitha fushat e jetës.
• Vizatime teknike elektrike, të cilat u japin zgjidhje problemeve aplikative të elektricitetit.
• Vizatime teknike në fushën e konfeksioneve, ku projektohen imazhet (në detaje) e mallrave, që do të prodhohen.
• Vizatime teknike të ndërtimit, me të cilat ndërtohen objektet jetësore të ndërtimit, ku bëjnë pjesë projektet arkitektonike, të infrastrukturës, hartat gjeografike, ato topografike etj.

Mënyra e paraqitjes së objekteve në vizatimet teknike bazohet në parimet dhe metodat e projeksioneve gjeometrike. Më shpesh, objektet janë paraqitur në projeksion ortogonal, por mund të paraqiten edhe në projektim të pjerrët, aksonometrik ose në perspektivë. Sipas metodës së përpunimit të vizatimeve teknike, dallohen dy metoda të vizatimit:
– Vizatim me dorë, metodë e përdorur deri në vitet e fundit.
– Vizatim me anë të programeve të veçanta kompjuterike, i cili krijon mundësinë e realizimit të vizatimeve me shkallë të lartë vështirësie.