Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 1.4: Prodhimi dhe faktorët e tij

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi

Prodhimi dhe faktorët e tij

Duke vëzhguar përreth, vihet re se natyra nuk i jep njeriut të mirat e nevojshme sipas dëshirës së tij. Ajo siguron lëndët e para, të cilat në pamundësi për t’u përdorur drejtpërdrejt në konsum, i nënshtrohen veprimtarive prodhuese për t’u transformuar në të mira të dobishme.

Bashkësia e veprimeve të nevojshme për të transformuar lëndët e para në produkte përfundimtare quhet prodhim. Pjesa më e madhe e objekteve me të cilat ndeshemi çdo ditë i nënshtrohet përpunimit, fabrikimit apo prodhimit. Shumë lëndë të para, përpara se të kalojnë në industri për pro dhim, transformohen në gjysmë produkte, si p.sh.: mëndafshi i papërpunuar (lëndë e parë) që nxirret nga krimbi i mëndafshit, për t’u endur duhet të fijëzohet (gjysmë i përpunuar); përpunimi i trungjeve të drurit (lëndë e parë), për t’u përdorur në prodhimin e letrës, duhet të transformohet në ‘’brumë druri” (gjysmë i përpunuar). Transformime të tilla janë të ndryshme dhe të shumëllojshme.

Në shembullin e treguar në figurë, duket qartë kalimi në disa faza i lëndës të parë, që nga nxjerrja nga burimet natyrore, deri në prodhimin e produktit përfundimtar, aeroplanit. Boksiti i nxjerrë nga minierat është minerali kryesor, nga i cili përftohet alumini. Ai përbëhet nga oksid alumini (45 -60%), dhe papastërti të ndryshme si: rërë, hekur dhe metale të tjera. Objektet prej alumini prodhohen nëpërmjet proceseve:
– Procesi i rafinimit, me anë të të cilit kryhet përpunimi i xeherorit të boksitit për të prodhuar aluminin.
– Procesi i shkrirjes e shndërron xeherorin në alumin të pastër. Ky proces kryhet me praninë e elektrodave, të cilat e transmetojnë rrymën elektrike përmes elektrolitit. Karboni i përdorur në shkrirjen e aluminit është nënprodukt i rafinimit të naftës, i cili përftohet nga qymyri.
– Fabrikimi i aluminit, si produkt gjysmë i gatshëm ose i quajtur ndryshe produkt i ndërmjetëm dhe përftimi i produkteve përfundimtare.
– Riciklimi. Alumini është plotësisht i riciklueshëm.
Pjesë e prodhimit janë gjithashtu edhe aktivitetet, që kanë të bëjnë jo vetëm me prodhimin e të mirave materiale, por edhe me shërbime në fusha të ndryshme: asistencë mjekësore, shërbim arsimor (shkollim), shfaqje muzikore etj.

FAKTORËT E PRODHIMIT
Për prodhimin e çdo produkti, objekti apo shërbimi, nuk mjafton vetëm puna e njeriut. Rruga që ndiqet, e njohur edhe si proces prodhues, është rezultat i kombinimit të katër faktorëve: burimet natyrore, puna, kapitali dhe organizimi.
– Burime natyrore përfshijnë tokat bujqësore, lëndët e para (nafta, qymyri, hekuri, druri etj). Në burimet natyrore renditen edhe energjitë natyrore (forca e erës, rrymat detare, energjitë diellore etj), faktorët klimatikë dhe metereologjikë. Burimet janë elemente hyrës – inpute të prodhimit.
– Puna realizohet nëpërmjet aftësive mendore dhe fizike të njerëzve për të punuar. Ajo është sjellja personale e njeriut ndaj prodhimit, pra përdorimi i energjive fizike dhe intelektuale të nevojshme për zhvillimin e procesit të prodhimit.
– Kapitali. Nga pikëpamja ekonomike, me kapital kuptojmë vetëm kapitalin fizik dhe jo atë financiar. Me kapital nënkuptojmë: mjetet e prodhimit ose impiantet, pajisjet, instrumentet, makinat e nevojshme për prodhim, si dhe lëndët e para apo gjysmë të përpunuara, të përdorura gjatë ciklit të prodhimit.
Gjithashtu quajmë kapital paranë e përdorur në blerjen e mjeteve të nevojshme të prodhimit, e njohur si kapital financiar. Ndërtimet, impiantet dhe makineritë e qëndrueshme në kohë quhen kapitale fikse; paraja e investuar për pagesën e rrogave dhe blerjen e lëndëve të para quhet kapital qarkullues.
Nuk është e mjaftueshme të bashkosh burimet natyrore, punën dhe kapitalin për prodhimin e të mirave ose shërbimeve. Gjithashu është i nevojshëm dhe organizimi i këtyre elementeve në mënyrë që të bëhet i mundur prodhimi i produkteve, objekteve apo shërbimeve (output).
– Organizimi lidhet me aftësinë sipërmarrëse.
Aftësia sipërmarrëse i referohet talenteve që kanë disa njerëz për organizimin e burimeve ekonomike në procesin e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo mundëson eksplorime për mundësi të reja për biznes, si dhe për zhvillimin e metodave të reja të prodhimit. Sipëmarrësi i talentuar organizon prodhimin, merr vendime, përballon riskun dhe projekton inovacione. Faktorët e prodhimit lidhen me procesin e prodhimit nëpërmjet disa parimeve të caktuara teknologjike.
• Teknologjia i referohet tërësisë së aftësive dhe njohurive shkencore, që lidhen me përdorimin e inputeve në procesin e prodhimit.
• Niveli i teknologjisë ndryshon përkrah ndryshimeve dhe përditësimeve.
• Teknologjia e avancuar sjell rritje në produktivitetin, pra në sasinë e prodhimit për njësi të një inputi. Shpesh faktorët e prodhimit referohen si inpute të procesit të prodhimit. Sasia e burimeve, pra e faktorëve të prodhimit për një ekonomi është në përputhje me 20 nivelin e zhvillimit të teknologjisë.

SI FUNKSIONON NJË NDËRMARRJE
Burimet natyrore, puna dhe organizimi duhet të kombinohen mirë që të arrihen qëllimet ekonomike të dëshiruara. Kjo detyrë zhvillohet nga ndërmarrja, e cila ofron kapitalet dhe organizon prodhimin e mallrave apo shërbimeve. Sipas disa kritereve praktike njihen ndërmarje të mëdha, mesme dhe të vogla. Këto kritere bazohen në përpunimin e kapitalit, vëllimin e prodhimit, numrin e punëtorëve të punësuar etj.
Për të kuptuar si funksionon një ndërmarrje, në figurën e mëposhtme jepet shpjegimi i përpunimit dhe prodhimit të lëndës drusore. Ky shembull tregon qartë se vetëm bashkësia e veprimeve të nevojshme e transformon lëndën drusore në gjysmë produkt, i c ili me përpunime të mëtejshme shndërrohet në mobilje.