Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.14: Përmasimet kuotimet dhe shkallët e vizatimit

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.14

Përmasimet (dimensionimet), kuotimet dhe shkallët e vizatimit

 

– Përmasimet (dimensionimet) dhe kutimet e vizatimit Përmasim (dimensionim) i një vizatimi do të thotë vendosja e madhësisë së largësive ndërmjet pikave të skajshme të objektit. Para se të vendosen numrat që tregojnë madhësinë e largësive ndërmjet pikave, vizatohen vijat e përmasave, që janë vijat e referimit dhe ato të madhësisë. Të vendosurit e përmasave është një nga problemet më me përgjegjësi në kryerjen e vizatimit ose të skicës. Vizatim teknik duhet të përmbajë të gjitha përmasat e nevojshme për prodhimin e objektit. Nëse në vizatim mungon ose është vendosur gabim përmasa, objekti që do të prodhohet nuk do të jetë i rregullt. Në vizatimet teknike përmasat e gjatësive vendosen në milimetra, pa shënuar njësinë mbrapa. Kurse në vizatimet e ndërtimit ose edhe në disa vizatime të tjera, ku kemi të bëjmë me largësi të mëdha, dimensionet tregohen në centimetra ose metra. Përmasat e këndeve në gradë, minuta ose sekonda shoqërohen me simbolin përkatës (p.sh., 900 60’20’’). Për të vendosur një përmasë, në fillim hiqen vijat referuese të përmasës, pingule me segmentin (sipërfaqen) që do të vendoset ajo.

Mbi vizatimet teknike, për të treguar përmasat përkatëse të sendit të paraqitur, në fillim hiqen brenda kufijve të vijave të mësipërme, vija të vazhduara të holla, të quajtura vija të përmasave. Pas kësaj shkruhen numrat, që tregojnë përmasat. Metoda e zgjedhur për vendosjen e numrave të përmasave duhet të jetë e njëjtë për të njëjtin vizatim teknik. Në të dy skajet e saj bëhen shigjeta me maja të takuara në vijat referuese të përmasave. Vijat referuese të pëmasës bëhen me vijë të vazhduar të hollë me trashësi b/4. Madhësia e shigjetës varet nga trashësia “b” e vijës të vazhduar kryesore. Numri që përcakton madhësinë e gjatësisë, diametrit etj., shkruhet mbi vijën e përmasës, afër por pa e takuar atë, dhe mundësisht në mesin e vijës së përmasës. Kur numri vendoset mbi konturin e detalit dhe vijës së parmasës, ajo bëhet 7 -10 mm larg vijës së konturit. Nëse numri vendoset jashtë këtyre vijave, atëherë vijat e përmasave bëhen 5 -7 mm larg vijave të konturit.

Në figurat e mëposhtme tregohen hapat, që ndiqen për vendosjen e përmasave sipas rregullave.
1. Shkruhet mbi vijën e përmasës numri, që shpreh madhësinë e cila ka në skaje shigjeta drejtuese deri në vijat referuese (vija që nxjerr përmasën).
2. Vija e përmasës dhe vija referuese duhet të jenë vija të vazhduara të holla (tipi B).
3. Vendosen shigjetat drejtuese të vijës së përmasës, që duhet të jenë të qarta. Ato mund të shprehen me shigjeta (për detaje mekanike), me vija të trasha të pjerrëta (për vizatimet e ndërtimit) ose me pikë.
4. Vija e përmasës vendoset paralel me përmasën, që i referohet. Ajo vendoset (mundësisht) jashtë figurës, në mënyrë që të mos ndërpresë vijat e figurës të vizatuar dhe të lejojë shikimin e numrit mbi to. Kur ka disa përmasa, ato vendosen në vazhdim. Përmasat më të vogla vendosen më pranë figurës, kurse ato më të mëdha më larg saj.
5. Përmasa shkruhet qartë, dukshëm dhe paralel me vijën e përmasës. Ajo shkruhet drejt nga baza (për vijat horizontale) dhe nga ana e djathta (për vijat vertikale).
6. Vendosen vijat e përmasës paraprakisht jashtë figurës. Dimensionet shkruhen drejt pjesës qendrore të vijave të përmasës, duke shmangur mbulimin e numrave nga vija e vizatimit. Dimensionet e diametrave paraqiten me shenjën konvenciale “ ø ”, e cila vendoset vetëm atëherë kur është e qartë nga vizatimi, që kjo shenjë tregon diametrin.

KUOTAT E LARTËSISË
Përveç mënyrës së treguar të dimensionimit në vizatimet teknike, përdoret edhe kuotimi me kuota të lartësisë. Kuotat e lartësisë tregojnë se në cilën lartësi është një sipërfaqe, gjatësi ose pikë në raport të sipërfaqes së pranuar zero. Për të paraqitur kuotat e vërteta përdoren shenja të veçanta:
për kuota të lartësisë në prerje vertikale,
për kuota të lartësisë në prerje horizontale.

Në vizatimet e ndërtimit (në planimetritë apo prerjet planimetrike), përveç dimensioneve përdoren kuotat. Kuotat e lartësisë kanë shenjën (+), nëse sipërfaqja e kuotuar është mbi sipërfaqen e miratuar zero dhe shenjën minus (-), nëse sipërfaqja e kuotuar është nën sipërfaqen e pranuar zero. Ka dy lloje kuotash: absolute dhe relative. Kuotat absolute i referohen nivelit të detit, që në këtë rast është ± 0,00. Mbi nivelin e detit kuotat janë pozitive dhe nën nivelin e detit ato janë negative. Kuotat relative bazohen duke iu referuar një kuote çfarëdo 0,00.

Në arkitekturë me kuotë ± 0,00 tregohet rrafshi i dyshemesë të katit përdhe, pra katit mbi tokë. Mbi këtë kat, kuotat janë pozitive dhe zakonisht shënohen në metra p.sh., kati i parë e ka dyshemenë në kuotën + 3,20m, kati i dytë +6,40m,… Nën kuotën ± 0,00 pra në bodrum, mund të jetë kuota : -3m. Terreni natyror në planet gjeodezike dhe në hartat gjeografike tregohet me izoipse dhe kuota të lartësisë, me të cilat shënohet lartësia e terrenit në raport me sipërfaqen e detit (±0,00), të cilat quhen kuota absolute. Kuotat e lartësisë me të cilat shënohet lartësia në raport të sipërfaqes së miratuar quhen kuota relative.

SHKALLËT E VIZATIMIT
Të vizatosh një objekt në përmasa reale jo gjithmonë është e mundur. Shpesh është e nevojshme të përdoret zvogëlimi ose zmadhimi i tij. Kjo realizohet duke përdorur shkallët e vizatimit. Shkalla e vizatimit është raporti i zvogëlimit ose i zmadhimit, ndërmjet përmasave reale të objektit me përmasat në fletën e vizatimit. Në vizatim përdoren disa shkallë vizatimi.
Kur objekti vizatohet në madhësinë reale të tij thuhet se vizatimi është realizuar në shkallën 1:1 (lexohet një me një). Kjo do të thotë se 1cm në objekt është vizatuar 1 cm në vizatim.

Në shumë raste, objekti është më i madh se formati i letrës ku do të paraqitet. Në këtë rast do të përdoret zvogëlimi i tij në mënyrë të përpjesshme (në shkallë). Pra, p.sh., një vizatim është në shkallën 1:10 kur përmasat zvogëlohen 10 herë; 1 cm në vizatim është 10 cm në përmasën reale. Kur objektet janë shumë të vogla, nuk do të lexohen nëse ato vizatohen në përmasat reale. Pra është e nevojshme, që objekti të vizatohet me përmasa më të mëdha; të përdoret shkalla e zmadhimit. P.sh., nëse objekti është në shkallën 5:1; kjo tregon se 1 cm i objektit në natyrë, është vizatuar 5 cm në fletën e vizatimit.

Pavarësisht nga shkalla e vizatimit e përdorur, përmasat e vendosura në fletën e vizatimit vendosen, sa ato të objektit në natyrë.

Në një fletë vizatimi ndodh që të përdoren disa shkallë, të cilat i përkasin elementeve të ndryshme. Shkalla e vizatimit është pjesë përbërëse e çdo vizatimi teknik dhe duhet të jetë e shënuar në një vend të dukshëm të fletës; më shpesh në titullin e vizatimit ose në këndin e djathtë të poshtëm të vizatimit.