Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 1.2: Zhvillimi i teknologjisë

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi

Zhvillimi i teknologjisë

Historia e njerëzimit, që nga lashtësia është e lidhur ngushtë me zhvillimin e teknologjisë. Zhvillimet e para e patën fillesën në kohët primitive, atëherë kur njeriu kishte nevojë të ushqente familjen, të mbrohej nga moti dhe kafshët e egra. Për dhjetëra mijëra vjet ai përdori gurin, si mjetin kryesor për të siguruar jetesën. Disa nga dëshmitë më të vjetra të aktiviteteve njerëzore, janë mjetet e punës ose armët prej guri. Gjatë kësaj periudhe, njeriu mësoi të ndezë zjarrin, që e përdori për gatim dhe për të përgatitur vegla pune të thjeshta. Zbulimi i zjarrit ishte burimi kryesor, që çoi në zhvillimin e metalurgjisë (bronxi, hekuri).

Prodhimi i objekteve dhe i enëve prej balte, ishte ndër industritë më të rëndësishme të kohës antike. Kjo industri ishte shumë e zhvilluar kryesisht në Azi, Europë, Afrikë. Gjatë kësaj epoke u zhvillua shumë edhe filatura. Lëndët e para ishin fibrat bimore dhe shtazore. Fibrat bimore shërbenin për prodhimin e velave të anijeve, si edhe të tekstileve. Zhvillimet në vende të ndryshme të botës pasuan me shumë shpikje teknologjike, inovacione dhe ngjarje.

– Në vitin 1793 Eli Ëhitney shpiku një makinë të thjeshtë, që hiqte fara nga pambuku me një shpejtësi të madhe. Kjo përbënte ineres për njerëzit e asaj kohe. Shpikja e tij nxiti për zbulime dhe inovacione të tjera, që i dhanë hov revolucionit të parë industrial. Në Mesjetë, në Europë filloi të përdorej mulliri për bluarjen e grurit duke shfrytëzuar forcën e erës dhe të ujit. Gjithashtu përdorimi i qymyrgurit për përpunimin e mjeteve metalike, rriti mundësinë e prodhimit në seritë armëve të llojeve të ndryshme. Qendra të mëdha manifakture u zhvilluan në këtë kohë (shek.XVII), ku ndër të tjera u shquan ato të prodhimit të stofit, letrës, qelqit etj.

– Në vitin 1876 u shpik telefoni, nga Alexander Graham Bell, i cili përmes telave telefonik, i transmetoi ndihmësit të tij fjalët e para të kuptueshme. Nuk do duhej shumë kohë nga eksperimenti i parë primitiv, që telefoni të evoluonte në një pajisje shumë të përdorshme dhe të dobishme për komunikim verbal dhe vizual.

 

 

 

 

– Thomas Alva Edison, i njohur gjithashtu si “Magjistari i Menlo Park”, shpiku llambën në vitin 1878. Kjo shpikje me të cilin lidhen ngushtë një varg ndryshimesh e shkëputën njerëzimin nga e kaluara.

– Vëllezërit Wright (Orville & Wilbur) shpikën fluturimin e parë të kontrolluar. Para kësaj shpikje ishin realizuar shumë fluturime pa pilot, por asnjë nuk kishte pasur kontroll mbi avionin. Vëllezërit Ëright fluturuan me aeroplanin e tyre mbi Kill Devil Hills, në Karolinën e Veriut. Shpikja e tyre u quajt revolucioni më i madh në botë. Fluturimet shërbyen për komunikimin postar, plotësimin dhe zgjidhjen e nevojave mjekësore në luftërat e ndryshme etj.

– Henry Ford në vitin 1909 krijoi jo vetëm automjetin më të suksesshëm të prodhuar ndonjëherë, por gjithashtu solli evolucion botëror në linjën e montimit të makinave. Është e vështirë të thuhet se cila nga shpikjet që ai krijoi, kishte ndikimin më të madh në teknologji.

– Në vitin 1927, Philo Farnsëorth kishte futur konceptin e televizorit dhe u desh kohë për të vërejtur se si do të funksiononte ai. Kjo shpikje, pa dyshim pati ndikim të rëndësishëm në fushën e kulturës, shkencës dhe komunikimit në botë.

– Gara hapësinore filloi pas nisjes së satelitit sovjetik “Sputnik 1”, në 4 tetor1957. Ajo u bë pjesë e rëndësishme e rivalitetit teknologjik dhe kulturor midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

– Më 20 korrik 1969, komandanti i fluturimit Neil Armstrong ishte njeriu i parë, që shkeli në sipërfaqen e Hënës, “Apollo 11”. Kjo ngjarje e mahnitshme u ndoq nëpërmjet ekranit televiziv me habi dhe kureshtje nga e gjithë bota.

– Steve Jobs në vitin 2007, ishte i pari që shpiku gjigantin elektronik Apple, i cili revolucionarizoi industrinë në fushën e elektronikës. Janë edhe mijëra shpikje, që nuk janë përfshirë në listën e mësipërme të inovacioneve dhe ngjarjeve. Zhvillimi i teknologjisë dhe energjitë e zbuluara, që u përdorën për një periudhë të caktuar të historisë së njerëzimit u shoqëruan me shndërrime të vazhdueshme të industrisë gjatë revolucioneve industriale.

FAZAT E REVOLUCIONIT INDUSTRIAL
Revolucioni i parë industrial përfshinte kryesisht sektorët e tekstilit dhe metalurgjisë. Ai filloi në vitet 1790 me zbulimin e qymyrit dhe avullit, që çuan në zbulimin e motorrit me djegie të brendshme. Kjo ishte ndeshja e parë makinë – njeri, prandaj dhe u quajt Revolucion industrial.
Revolucioni i dytë industrial filloi në vitet 1850 dhe shpikjet e kësaj periudhe janë të lidhura me zbulimin dhe përdorimin e energjisë elektrike, kimikateve dhe naftës.
Revolucioni i tretë industrial, i cili filloi rreth vitit 1950, përkon me kalimin nga mekanika dhe teknologjitë e tjera, në teknologjinë digjitale, e cila u zhvillua në fillim në vendet më të përparuara.
Në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990, ndodhën ndryshime të reja dhe pati një zhvillim të madh të teknologjisë. Përveç rezultateve pozitive, u dalluan edhe pasoja negative, veçanërisht për njeriun (ndotja e mjedisit, zvogëlimi i rezervave të burimeve natyrore etj.).
Përfshirja e madhe e shpikjeve që nga revolucioni i tretë teknologjik e në vazhdim, u pa në të gjitha fushat e jetës. Teknologjia e re, me të drejtë quhet Revolucion teknologjik dhe njihet si periudha më e rëndësishme në evolucionin njerëzor.
Teknologjia digjitale ka ndryshuar çdo aspekt të aktiviteteve njerëzore, ndërsa bioteknologjia ka ndryshuar vetë jetën jo vetëm në drejtim të zhvillimit të bujqësisë, farmaceutikës apo mjekësisë, por edhe të industrisë ushqimore. Informatika luan rol themelor në shoqërinë bashkëkohore. Ajo është shkenca, që merret me përpunimin automatik të informacionit me kompjuter. Në kohën e sotme, në sajë të zhvillimit të madh të elektronikës, kompjuterat kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë vazhdimisht. Sot ata janë pajisur me mikroprocesorë të shpejtë, memorie të mëdha etj. Shumë nga teknologjitë e prodhimit kanë zëvendësuar krahun e punës me pajisjet robot duke mendësuar realizimin e proceseve në kohë më të shkurtër dhe me kosto më të ulët. Energjia bërthamore zë vend kryesor në shkencë e teknologji dhe luan rol të rëndësishëm në sigurimin e energjisë. Ajo është një nga teknologjitë e ndërlikuara dhe përdoret në industri të ndryshme, si: energjetikë, mjekësi, buj 14 qësi, ushtri, gjeologji etj.

Nanoteknologjia është shkenca që lidh botën e sotme me të ardhmen, sepse aktualisht kjo teknologji është boshti kryesor i shpikjeve dhe novacioneve shkencore. Ajo sot shfrytëzohet edhe në industrinë e ndërtimit. Kërkues të ndryshëm nëpërmjet kësaj teknologjie, sollën risi në përgatitjen e betonit. Ata kanë arritur të përmirësojnë cilësitë mekanike të tij duke e bërë atë më të lehtë, më të fortë dhe të padepërtueshëm nga uji. Nanoteknologjia përdoret edhe në idustritë e tjera. Ky term ka përfshirë teknologjitë moderne, që përdoren për punë me një saktësi dhe precision të rendit nano. Nanoteknologjia është një nga shkencat më të rëndësishme të shek.XXI dhe e ka çuar botën në prag të zhvillimeve të reja.