Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.5: Vijat dhe përdorimi i tyre në vizatim teknik

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.5

Vijat dhe përdorimi i tyre në vizatimin teknik

Vijat që përdoren në vizatim teknik janë të llojeve dhe të përdorimeve të ndryshme. Ato përdoren për të paraqitur konture të dukshme apo të padukshme të objekteve ose sendeve, për të treguar boshtet e simetrisë të figurave dhe qendrat e rrathëve, për të treguar se elementi i vizatuar vazhdon, për ta shkurtuar grafikisht etj. Në mënyrë që vizatimet të ndërtohen dhe të lexohen me lehtësi, duhet që pjesë të ndryshme të tyre të vizatohen me vija të të ndryshme, të cilat përcaktohen nga standarde dhe dallohen, sipas llojit, përdorimit dhe trashësisë.

LLOJET DHE PËRDORIMI I VIJAVE

Në tabelën e mëp oshtme jepen vija të llojeve të ndryshme.Teknologjia 12 Imazh Mesimi 2.5

Vija e vazhduar kryesore, në standard emërtohet me shkronjën A, trashësia e saj shënohet me shkronjën “b”, dhe merret 0,4 -1,4 mm. Trashësitë e vijave të tjera varen nga trashësia e zgjedhur për vijën kryesore. Këto vija përdoren për të gjithë llojet e kontureve më të dukshme të trupave gjeometrikë, pamjet e objekteve të projektuara, vijat e kuotimit, vijëzimet etj. Në vizatimet teknike këto janë vijat më të përdorshme.
Vija e vazhduar e hollë (B), përdoret për vijat e nxjerrjes së përmasave, vijat për përcaktimin e sipërfaqes së prerë etj. Trashësia e tyre duhet të jetë katër herë më e hollë, se vija kryesore.
Vija e valëzuar (C), përdoret për vijat e shkëputjes së detaleve, kur detalet nuk paraqiten të plota. Këto vija ndërtohen me dorë të lirë, me trashësi sa 0,25 e trashësisë së vijës kryesore.
Vija e ndërprerë (D) është vija, e cila përbëhet nga një vazhdimësi vijash. Në heqjen e këtyre vijave ka një rregull: të gjitha vijat duhet të kenë të njëjtën gjatësi dhe distanca midis tyre duhet të jetë e njëjtë. Këto përdoren për të treguar vijat kryesore të padukshme.
Vija (E) është një vijë – pikë e hollë, e përbërë nga viza dhe pika ndërmjet tyre. Vizat duhet të kenë të njëjtën gjatësi dhe pika ndërmjet tyre të jetë 1 mm larg. Kjo vijë përdoret për të treguar boshtet e figurës ose qendrën e rrathëve.
Vija (F) paraqitet si një vijë – pikë e trashë. Këto vija përdoren kryesisht në vizatimet teknike, për të treguar pjesë të detaleve me të dhëna të veçanta.
Vija (G), është vijë e vazhduar e trashë. Kjo lloj vije përdoret për të paraqitur prerjet e objektit, në vizatimet  gjeometrike etj.
Vija (H) është një vijë – dy pika e hollë. Me këtë lloj vije vizatohen vijat e përkulshme të shpalosjes. Gjatësia dhe largësia ndërmjet vijave dhe pikave është treguar në tabelë. Në rastet kur përdoret vijë me pikë, vizatimi duhet të mbarojë me vijë dhe jo me pikë.

TRASHËSIA E VIJAVE
Në kryerjen e vizatimit teknik duhet pasur kujdes zgjedhja e trashësisë së vijave sipas standardit. Trashësia bazë e vijave merret sa trashësia e vijave të vazhduara (A), me të cilat paraqitet konturi i dukshëm i objektit. Trashësia e vijave të tjera, të ndërprera ose me pikë vijë, duhet të kenë marrëdhënie të caktuar me trashësinë e zgjedhur të vijave të vazhduara të konturit të dukshëm. Këto të dhëna jepen në tabelë, ku me shkronjën “b” është shënuar trashësia bazë e vijave të konturit të dukshëm.

 

Sipas trashësisë vijat mund të grupohen:
• vija të holla: 0,1; 0,18; 0,2; 0,25 mm,
• vija mesatarisht të trasha: 0,3; 0,4; 0,5 mm,
• vija të trasha: 0,6; 0,8; 1,0; 1,2 mm,
• vija shumë të trasha: mbi 1,2 mm.

Gjithashtu, në bazë të asaj që do të vizatohet apo shkruhet, dallohen këto vija:
• vijë e hollë, e cila vizaton vijat ndihmëse, vijëzimi, kuotimi, shenjat etj.
• vijë mesatarisht e trashë me të cilën vizatohen vijat e dukshme, shkruhet teksti dhe numrat ( kuotat).
• vijë e trashë, me të cilën vizatohen vijat e veçanta, titujt kryesorë etj.

SHEMBUJ TË PËRDORIMIT TË VIJAVE NË VIZATIM
Për të treguar ndërprejet e detaleve prej druri ose të sipërfaqeve të mëdha përdoret vijë e hollë e thyer si në figurat e mëposhtme. Rëndësi të madhe ka zgjedhje e trashësisë së vijës kryesore, e cila varet nga madhësia e vizatimit dhe nga dendësia e vijave në të. Në përgjithësi, për vizatimet e mëdha, vija kryesore zgjidhet më e trashë se në vizatimet e vogla, por kur në vizatimet e mëdha ka figura me dendësi të madhe vijash, vija kryesore zgjidhet më e hollë.

Teknologjia 12 Imazh 2 Mesimi 2.5