Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.1
Struktura dhe mekanizmat. Makinat e thjeshta
Inxhinieria mekanike është disiplina që zbaton parimet e inxhinierisë, fizikës dhe shkencës së materialeve për të dizenjuar, analizuar, prodhuar dhe mirëmbajtur sistemet mekanike. Ajo është një nga disiplinat më të vjetra të inxhinierisë. Zhvillimet e inxhinierisë mekanike janë të lidhura ngushtë me krijimin dhe funksionimin e mekanizmave dhe makinave. Me termin mekanizëm teknologjik, kuptohet struktura e formuar nga bashkësi detalesh të lidhur me njëri – tjetrin, për të realizuar qëllimin e caktuar.
Makinë quhet bashkësia e detaleve (pjesëve) të palëvizshme ose të lëvizshme, që realizojnë një punë të caktuar në dobi të njeriut. Ato janë të lidhura në mënyrë të tillë, që lëvizja e njërit është plotësisht e përcaktuar dhe shkakton lëvizjen e tjetrit dhe kështu me rradhë. Pra tërësia e detaleve përdor energjinë për të kryer aktivitete ose detyra të caktuara. Dallohen lloje të ndryshme makinash, nga më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat. Përdorimi i tyre e bën jetën më të thjeshtë, komode, gjithashtu bën të mundur kryerjen e punëve, që kërkojnë edhe përdorimin e forcës fizike të njeriut, si: ngritja ose zhvendosja e ngarkesave të mëdha, transporti i njerëzve apo mallrave, prerja e materialeve rezistente etj. Format, dimensionet dhe strukturat e makinave janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre dhe varen nga funksioni i tyre. Detalet janë pjesa më e thjeshtë e makinës, e cila kryen një punë të caktuar dhe përgatitet pa pasur nevojë të kryhet procesi i montimit të saj. Ato janë të shumëllojshme, kanë forma të ndryshme dhe ndeshen në të gjitha makinat. Dallohen:
-makina me shumë përdorime (me shërbim të përgjithshëm), të tilla janë: boshte, kiaveta, akse, rrota me dhëmbë etj.
-makina të llojit të veçantë (me shërbim të posaçëm). Përmasat dhe forma e tyre varet nga procesi teknologjik që do të kryejnë. Pra makinat janë të llojeve, formave, strukturave dhe përmasave të ndryshme.
Shumë nga pajisjet që përdoren në jetën e përditshme janë makina të thjeshta, si: gërshërët, thyesja e arrave, pincat, rrotullat, vidat etj. Në grupin e makinave të thjeshta dallohen leva dhe rrafshi i pjerrët.
Nga leva rrjedhin edhe disa makina të thjeshta si:
rrotulla, çikrik me cilindër vertikal dhe çikrik me cilindër horizontal. Ndërsa në grupin e dytë (rrafshi i pjerrët) dallohen pyka dhe vida. Edhe në industrinë mekanike pjesa kryesore e procesit të prodhimit është teknologjia që ndiqet, kontrolli etj. Në këto procese bëjnë pjesë prodhimi i detaleve dhe montimi i tyre. Proceset ndihmëse luajnë rol të rëndësishëm në prodhim dhe në riparimin e makinave e pajisjeve të ndryshme. Procesi teknologjik është ajo pjesë e procesit të prodhimit, i cili është i lidhur në mënyrë të vazhdueshme me përgatitjen e pjesëve të detaleve, punimin termik ose mekanik dhe kthimin e tyre në produkte të gatshme. Në industrinë mekanike procesi mund të kryhet me një ose disa vendosje. Vendosje quhet ajo pjesë e procesit, që kryhet me një shtrëngim të detalit. Ngritja dhe shtrëngimi i detalit në makinë, përfaqësojnë jo vetëm procesin por edhe veprimet e tjera, që kryen punëtori dhe makina për ndryshimin e formës së detalit deri në një rivendosje të tij. Element tjetër i rëndësishëm i procesit është veprimi, i cili ka të bëjë me punën që kryen punëtori për realizimin e procesit në përgjithësi dhe për pjesë të veçanta. Pavarësisht nga shkalla e ndërlikimit të makinave, të gjitha sistemet teknologjike mekanike kanë këto elemente kryesore: qëllimi, inputet, outputi, feedbacku.
STRUKTURA E SISTEMEVE TEKNOLOGJIKE MEKANIKE.
Të gjitha sistemet mekanike kanë strukturën e tyre përcaktuese, elemente të ndryshme dhe marëdhënie të caktuara midis tyre. Pjesa kryesore e procesit të prodhimit në industrinë mekanike është procesi teknologjik. Në këto procese renditim prodhimin e detaleve dhe montimin e tyre. Ky proces kalon në disa hapa sipas procedurës:
• projektimi
• përgatitja (prerja)
• punimi i detaleve
• montimi
Input – et janë burimet, që nevojiten për zhvillimin e procesit në këtë sistem. Më të rëndësishme janë: Energjia e nevojshme, për funksionimin e sistemit (mekanike, elektrike, kimike, bërthamore etj). Materialet, si: ndërtesa, pajisje, vegla, lëndë e parë (detale për përpunim) dhe materialet. Krahu i punës janë njerëzit, të cilët kryejnë funksione të ndryshme në sistem (projektojnë, mirëmbajnë, kontrollojnë, montojnë, presin, furnizojnë dhe riparojnë). Kapitali janë paratë që përdoren për mbarëvajtjen e sistemit (blerjen e lëndës së parë, makinerive, mjeteve të ndryshme, ndërtimet etj.). Koha përfaqëson kohën e nevojshme, për kryerjen e shndërrimeve input – output.
Informatat janë i gjithë burimi i informacionit, që nevojitet për ndërtimin dhe funksionimin e sistemit teknologjik mekanik.
– Output – i është rezultati i kryerjes së procesit, pra produkti përfundimtar (formimi i objekteve prej metali, zhvendosja e objekteve, ngritja e ngarkesave etj.).
– Feedback – u, krahason outputin e marrë me inputin dhe nëse nevojitet, korrigjon komandat apo instruksionet për të marrë outputin e dëshiruar. Ai është i thjeshtë, i mekanizuar, konrollues, korigjues dhe vlerësues. Në të gjitha ndërmarrjet vazhdimisht kontrollohet cilësia, veprimet e ndryshme dhe merren masa që të merret outputi i dëshiruar.