Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 2.3: Materialet në vizatim teknik

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 2.3

Materialet për të realizuar vizatimin teknik

Paraqitja grafike e vizatimeve në vizatimin teknik realizohet me ndihmën e materialeve, pajisjeve dhe veglave, duke zbatuar rregulla të përcaktuara në baza të karakteristikave të vizatimeve teknike. Këto rregulla në dallim nga figurat, japin me saktësi maksimale përfytyrimin dhe njohuritë për format, dimensionet, ndërtimin dhe të dhëna të tjera objekteve në ndërtim dhe të pjesëve të veçanta të detaleve. Vizatimet teknike, të cilat bëhen me dorë realizohen me mjete, që shërbejnë për vizatim cilësor dhe të saktë.

Ato klasifikohen në:
• materiale,
• vegla dhe pajisje.
Materialet, që të përdoren në vizatim teknik janë të gjitha ato mjete, që harxhohen gjatë punës. Në mënyrë që vizatimi teknik të jetë i qartë dhe i saktë duhet që të përdoren materiale cilësore. Për të siguruar cilësinë e vizatimit, nevojitet një praktikë pune afatgjatë, e kujdesshme dhe cilësore. Në materialet e vizatimit bëjnë pjesë: letra, lapsa, goma, mprehëse lapsi dhe mjete të tjera ndihmëse. 

LETRA
është materiali mbi sipërfaqen e së cilës përgatitet vizatimi. Ajo klasifikohet në bazë të llojit, peshës dhe trashësisë. Llojet e letrës dallohen, sipas:
• natyrës dhe trajtimit të sipërfaqes. Ky lloj shërben për “përdorim dore, natyrale” dhe “mat” ose “me shkëlqim”;
• ngjyrës, letër “e bardhë” dhe “me ngjyrë”;
• përbërjes, me prejardhje nga fibrat (pothuajse gjithnjë me origjinë bimore), prej të cilave nxirret letra.
Pesha e letrës. Për të zgjedhur llojin e letrës që do të përdoret, është e rëndësishme pesha e saj. Pesha është e shprehur në gram / sipërfaqe ose në metër katror. Për lloje të ndryshme letre, pesha është e ndryshme dhe varion nga letra: 40 – 200 g / m² deri tek kartoni me 200 – 400 g / m² etj.
Trashësia e letrës e matur në μ (mikron), është një matje që e përdorin kryesisht teknikët, të cilët duhet të kontrollojnë standardet e prodhimit. Ajo ndikon shumë në vëllimin total të shtypjes. Përveç klasifikimit të mësipërm, bazuar në qëllime specifike të vizatimit teknik, dallohen edhe letra të tjera, si:
– Letra – skicë është letër e hollë dhe e bardhë, e cila shërben për skicim me dorë të lirë të ideve të projektuesve, në bazë të të cilave do të vendoset për formën përfundimtare të objektit.
– Letra e lëmuar (kalk) është letër e tejdukshme e trashë, e cila përdoret kur vizatimi teknik duhet të shumëfishohet. 
Mbi këtë letër vizatohet me laps të fortë ose më shpesh
me bojë tush. Meqenëse kjo letër është e tejdukshme, në atë mund të rivizatohen vizatime të bëra më parë në një letër tjetër.

Vizatimet në letrën e lëmuar kopjohen në makina speciale dhe mund të shumëfishohen me numër të pakufizuar, të cilat shërbejnë për ecurinë e objekteve, ndërsa letra e lëmuar ruhet si origjinali i vizatimit. Ajo paketohet në role, me gjerësi nga 70- 150 cm dhe gjatësi 20 m. Për vizatime teknike ka edhe letra të tjera të lëmuara speciale. Ato përdoren për vizatime, të cilat kanë rëndësi të veçantë dhe ruhen për një kohë të gjatë.
– Letra hamer, është letër shumë cilësore dhe përdoret për vizatime, të cilat ruhen si model. Ajo mund të jetë letër e bardhë jo e tejdukshme ose edhe me ngjyrë. Njëra anë është e lëmuar dhe shërben për të vizatuar me tush, ndërsa ana tjetër është e ashpër dhe shërben për skicime dhe vizatime me laps ose me ngjyra uji (nëse vizatimi ngjyroset).
– Letra heliografike (ozolit), është letër me përbërje kimike speciale dhe shërben për riprodhimin dhe shumëfishimin e vizatimeve të letrës së lëmuar. Ajo “digjet”, nëse merr dritë dhe që të mbrohet nga drita, ambalazhohet me najlon të zi. Sot kjo letër është pothuajse e papërdorur, pasi me aparaturat bashkëkohore, kopimi dhe shumëfishimi bëhet me letra të zakonshme.
– Letra e milimetruar është letër e bardhë e tejdukshme ose jo, me rrjet të shtypur kuadratik, në distancë nga një milimetër. Përdoret për vizatimin e lehtë dhe të shpejtë të vizatimeve të figurave të vogla, simetrike etj., të cilat më pas vizatohen në letër të tejdukshme.
– Letrasetet janë letra të holla, të tejdukshme dhe me efekt vetëngjitës. Në to janë të shtypura elementë të ndryshëm (shkronja dhe numra, figura, automjete, gjelbërim, vijëzim), të cilët shfrytëzohen për përpunimin e vizatimeve teknike në mënyrë cilësore, të lehtë dhe të shpejtë.

Formatet e letrës kanë dimensione të projektit. caktuara, të cilat janë të përcaktuara nga standardet ndërkombëtare. Standardet bazohen në raportin e lartësisë me gjerësinë dhe shprehet gjithmonë me raportin 1 : 2. Formati bazë dallohet nga shkronja “A”, e cila është më e përdorura për vizatimet teknike. Nga përgjysmimi i faqes më të gjatë del formati pasues më i vogël. Formati bazë i letrës së vizatimit shënohet me A0 dhe ka formën e katërkëndëshit me raport 1: 2 të brinjëve me dimensione 1189 x 841 mm = 1m2 Me përgjysmimin e formatit A0 fitohen dy formate A1 (594 x 841 mm). Me përgjysmimin e formatit A1 fitohen dy formate A2 (420 x 594 mm). Me përgjysmimin e formatit A2 fitohen dy formate A3 (297 x 420 mm). Me përgjysmimin e formatit A3 fitohen dy formate А4 (210 x 297 mm), i cili përdoret më shpesh për përpunim të vizatimeve teknike.

Edhe pse formatet e letrës janë të standardizuara, madhësinë e vizatimit teknik e përcakton përmbajtja e tij. Përveç formateve “A” ka edhe formate letre më të vogla “B” dhe “C”, të cilat përdoren kryesisht për postera, reklama etj. Në formatin e vizatimit, si fillim bëhet korniza e fletës së vizatimit. Ajo vizatohet në distancë 25 mm në të majtë të formatit të letrës, ndërsa nga ana e djathtë, lart dhe poshtë në distancë 5 mm. Distanca prej 25 mm shërben për lidhjen e fletëve të vizatimit. Në këndin e djathtë të poshtëm të fletës, vizatohet stampa, e cila përmban të dhëna për emrin e nxënësit, klasën, shkallën, numrin e detyrës dhe numrin e fletëve. Nëse bëhet fjalë për vizatime të grupeve projektuese, stampa përmban edhe të dhënat për çdo pjesëmarrës në përpunimin e projektit.

LAPSAT
Për kryerjen e vizatimit teknik përdoren lloje të ndryshme lapsash:
– lapsa të thjeshtë me mbështjellës druri dhe mina grafiti në mes;
– l apsat teknik (portamina), të cilat janë prej metali ose me material plastik. Mina prej grafiti është e vendosur në mes të cilindrit, në mënyrë që të jetë e mbrojtur dhe të mos thyhet. Gjatë punës, mina tërhiqet jashtë për rreth 8 – 15 mm, në varësi nga fortësia e saj.
Lapsat teknikë përdoren në forma dhe madhësi të ndryshme. Për vizatim të saktë dhe preçiz, më shumë përdoren lapsa teknikë me minë shumë të hollë nga 0,3 – 0,7 mm (të njohura si mina të holla) dhe më rrallë minat me trashësi 2 mm, pasi ato duhet të mprihen vazhdimisht. Trashësia e minave shkon nga 3 – 8 mm, të cilat përdoren më shpesh për skicim ose vizatim me dorë të lirë (perspektiva). Sipas fortësisë së grafitit lapsat ndahen në, lapsa të: butë, mesëm, fortë dhe shumë të fortë. Lapsat dhe minat janë me fortësi të ndryshme. Mina me shenjën “H” janë mina të forta, ndërsa me shenjën “B” janë mina të buta. Fortësia e tyre tregohet me numra, që rriten nga numri 00 – 9. Sa më i madh të jetë numri para shkronjës “H”, aq më e fortë është mina (Н, 2Н, ЗН, 4Н, 5Н, 6Н, 7Н, 8Н dhe 9Н), ndërsa sa më i madh të jetë numri para shkronjës “B”, aq më e butë është mina (В, 2В, ЗВ, 4В, 5В, 6В, 7В, 8В dhe 9В). Mina me fortësi mesatare janë ato me shenjat 2Н, Н, F, НВ. Lapsat (minat) më të mirë për të vizatuar janë me shenjën “НВ”, të cilët janë me fortësi mesatare.
Zgjidhja e fortësisë së minës varet nga lloji i vizatimit dhe nga letra në të cilën vizatohet. Lapsat (minat) gjatë vizatimit, kanë nuanca të ndryshme të ngjyrës së zezë. Sa më e fortë është mina, gjurma që lë është më e hirtë, ndërsa sa më e butë është mina, gjurma është më e zezë. Lloji i lapsit gjithashtu zgjidhet: në varësi të fazës së kryerjes së vizatimit, në varësi të ashpërsisë së letrës dhe në varësi të trashësisë së vijave. Për përgatitjen e skicave me dorë të lirë përdoren lapsat B dhe 2B; për fazën e parë të ndërtimit të vizatimit me vija të holla përdoren lapsat e fortë (H); dhe lapsat mesatarë (HB) përdoren për të trashur vijat, pra në fazën përfundimtare.

MPREHËSET E LAPSAVE
Për të bërë vizatime teknike, maja e minës duhet të jetë mundësisht sa më e hollë. Pra cilësia dhe saktësia e vizatimeve, varet edhe nga mprehja e lapsit. Ata mprihen në formë koni me lartësi deri në 30mm. Lapsat e drurit mprihen me mprehëse, ndërsa lapsat teknik janë të paisur me mprehësen përkatëse. Mprehja e lapsit duhet bërë nga ana e kundërt e numrit që tregon fortësinë, për të mos ngatërruar llojet e lapsave.

GOMAT FSHIRËSE
Goma është një tjetër mjet i rëndësishëm, që përdoret në vizatimin teknik. Ajo përdoret për fshirjen apo heqjen në mënyrë mekanike të vijave, ngjyrave, shenjave të tepërta ose të gabuara nga fleta e vizatimit. Gomat fshirëse mund të jenë të buta ose të forta. Nëse do të fshihen gjurmët e lapsit, ato duhet të jenë të buta në mënyrë që mos lenë njolla gjatë fshirjes. Ndërsa për të fshirë gabimet e bëra me tush, përdoren gomat e forta.
Dallohen disa lloje gomash:
– Gomë fshirëse e montuar në laps, e cila në disa raste përdoret duke e montuar në një mbështjellëse metalike në fundin e lapsave. Materiali kryesor është i butë ose gomë sintetike.
– Goma fshirëse me dy ngjyra. Pjesa e kuqe shërben për të fshirë lapsat e zinj ose me ngjyra. Pjesa blu, për të fshirë bojën e stilolapsave me bojëra me ngjyrë. Përmasat e saj janë: 50 x 19 x 12 mm.
– Goma fshirëse rondele ka formën e një rondeleje tetëkëndëshe. Materiali është shumë abraziv dhe e bën atë shumë gërryese, kështu që ajo shpesh gjatë fshirjes dëmton letrën.
Për përdorimin e gomës fshirëse duhet treguar kujdes. Ajo duhet të lëvizet vetëm në njërin kah, në drejtim të vijës që do të fshihet, ndërsa fleta duhet mbajtur në drejtim të kundërt të tërheqjes.