Kurrikula
Kursi: Teknologjia 12 me zgjedhje
Identifikohu

Curriculum

Teknologjia 12 me zgjedhje

0/55
Mësimi me video

Mësimi 4.5: Trasmisionet me zinxhir

Lexoni mësimin në libër duke klikuar këtu: Teknologjia 12 me zgjedhje Mësimi 4.5

Transmisionet me zinxhir

Transmisionet me zinxhir bëjnë pjesë në grupin e transmisioneve ndihmëse, por edhe në transmisionet delikate. Në krahasim me transmisionet e tjera, këto mund të transmetojnë ngarkesa nga më të voglat e deri tek ato më të mëdhatë. Biçikleta dhe motori janë mjete transporti, të cilat përdorin transmisionin me zinxhir, sepse ka siguri dhe rendiment të lartë. Kjo ndodh për shkak se në këto transmisione, raporti i transmisionit ka vlera kostante. Ai njehsohet njësoj si raporti i transmisionit, tek transmisionet me rrota të dhëmbëzuara. Transmisionet me zinxhir përdoren jo vetëm për ngritjen e ngarkesave, por edhe për transmetimin e lëvizjeve. Këto transmisione kanë shumë anë pozitive por edhe disa të meta, të cilat jepen në tabelën e mëposhtme.

Pjesët përbërëse të transmisioneve me zinxhir janë: zinxhiri, rrota yll motorike dhe rrota yll e dhëmbëzuar.

Hallkat e zinxhirit duke u futur tek dhëmbët e rrotës yll transmetojnë lëvizjen nga boshti motorik në boshtin e udhëzuar.Zinxhiri është elementi më i rëndësishëm i këtyre transmisioneve dhe gjithashtu ai është më delikati. Duke u nisur nga forma e tyre do të dallojmë tre grupe zinxhirësh:
• Transmisionet me zinxhirë me hallka përdoren për ngritjen e ngarkesave. Ata përbëhen nga shufra çeliku, të cilët mund të jenë të kalibruar ose të pakalibruar. Zinxhirët me hallka të gjata janë të pakalibruar dhe kjo është arsyeja që i bën ata të mos përdoren në pajisjet ngritëse.
• Transmisionet me zinxhirë me pllaka përdoren për transmetimin e lëvizjes.
• Transmisionet me zinxhirë me dhëmbë përbëhen nga pllaka në formë dhëmbësh të lidhura në mënyrë të alternuar. Këta zinxhirë kanë këto karakteristika: punojnë pa zhurmë, përgatiten me vështirësi dhe shpejtësia e tyre është v = 20 m / s . Materialet që përdoren për zinxhirët janë lidhje (aliazhe), si: çelik me karbon, krom me nikel etj.

Transmisionet me zinxhir me rule janë më të përdorshëm. Këto transmisione përbëhen nga 2 pllaka (e jashtme dhe e brendshme) dhe spina e presuar në pllakën e jashtme. Në mënyrë bashkëqendrore me spinën montohet bokola cilindrike, në të cilën fiksohen rulet që rrotullohen lirisht në të. Këto transmisione kanë raport transmisioni të shumëfishuar kur rrota e dhëmbëzuar me diametër më të vogël dhe rrota e dhëmbëzuar me diametër më të madh (rrota e pasme) lidhen me aksin e motorit. Kur mjeti ingranohet, prania e ruleve transformon lëvizjen e rrotave të dhëmbëzuara nga lëvizje drejtvizore në lëvizje rrotulluese të pjesshme. Duke përdorur këto lloj zinxhirësh shpejtësia është më e madhe (sot është mbi 30 m / s). Me kalimin e kohës ajo mund të rritet edhe më tepër, sepse në sajë të zhvillimit të teknologjisë mekanike po përmirësohen metodat e ndërtimit dhe cilësia e vajrave që përdoren për lubrifikim. Në veçanti është arritur të realizohet mbyllje efektive e ruleve në bokola përmes guarnicioneve të quajtura O – ring (X- ring, W – ring në bazë të seksionit). Ka shumë rëndësi përdorimi i lubrifikantit në brendësi të tyre dhe cilësia e tij. Përdorimi i çelikut të paoksiduar nuk këshillohet sepse ka rezistencë të ulët mekanike. Kur zinxhiri rrethon rrotën, pra kur rulat vendosen në hapësirat mes dhëmbëve, çdo spinë merr formën e një poligoni të rregullt, ana e të cilit është i barabatë me hapin e zinxhirit (dhe të rrotës). Ka shumë rëndësi edhe materiali që përdoret për zinxhirët. Sot përdoren më tepër lidhjet me peshë të vogël dhe që kanë rezistencë të lartë sipërfaqësore (alumin i trajtuar). Material tjetër i përdorshëm është çeliku me përqëndrim të ulët karboni.

Zinxhirët mund të jenë të llojeve të thjeshta (formohen nga unaza) ose të përbëra. Zinxhirët e përbërë mund të klasifikohen sipas emrave të atyre që i shpikën p.sh., zinxhira Galle, Zöbel dhe Renold. Një lloj tjetër janë zinxhirët me dhëmbë (zinxhirët Morse) të cilët përdoren në motorë. Këto lloj zinxhirësh, ashtu si edhe zinxhirët dupleks ose tripleks, aplikohen në fushat ku nevojiten transmisione me fuqi të lartë dhe shpejtësi të lartë rrotullimi. Zinxhirët klasifikohen në bazë të hapit, diametrit të rulit dhe largësisë. Ndër përparësitë e transmisioneve me zinxhir përmenden: janë më ekonomike në krahasim me transmisionet me ingranazh, funksionojnë në mënyrë sinkrone (nuk rrëshket), kapacitet i lartë i transmisionit të fuqisë për njësi të gjatësisë dhe mund të punojnë në temperaturë të lartë. Rendimenti në varësi të llojit të zinxhirit që përdoret varion nga 98÷ 99%